Do ishim europianë po të mos na bënte proçkën një gjerman

Postuar në 22 Janar, 2023 01:47

 Gjatë një diskutimi para disa ditësh rreth librit mbi Skënderbeun të Aurel Plasarit, aktivitet ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, autori i veprës ndër të tjera sqaroi edhe sesi gadishullit tonë i mbeti emri aktual. Pra Ballkan. 

Z. Plasari e lidh këtë emërtim me një gjeograf gjerman, i cili u nis nga kriteri gjeografik – vargmalet – për ta quajtur Ballkan, sipas emrit turqisht për Mal. Për Plasarin kjo proçkë e inskenuar mbi një studim në vitin 1811 i paska bërë një dëm të madh kulturor dhe politik rajonit tonë. 

Vërejtjen z. Plasari e rimerr në Facebook ku e shtjellon disi duke vënë në dukje edhe emërtesa të mëhershme për gadishullin tonë që ndër kohëra i kanë ngjitur gjithfarë emrash, por vetëm ky, pra Ballkan qëlloka se është problematik. Idenë e tij e riprodhon me pasion z. Rama në takimin e Davosit ndoshta kur teksa tregonte këtë copëz historie si dëshmi se ky dallim mes Europës dhe Ballkanit është një keqkuptim, përfundoi për të bërë gaztorin kur deklaroi se ne do të shkojmë drejt BE-së edhe sikur ajo të mos jetë më. 

Nuk dihet për cilat arsye ka disa shqiptarë që kanë problem me emrat. Ai të thuash nuk gjejnë karar me kapistrën onomastike, toponimike e tani edhe apelativin rajonal që po duan ta paraqesin si të huaj, të tepërt madje, provokatove. 

Në Facebook, në një faqe që publikon dokumente me karakter historik, ndesh një postim ku një hartë e Dumresë e ka të shënuar emrin e fshatit Kajan si Shkëmbi. Postuesi thotë se nuk ka shkëmbinj afër Kajanit dhe shton se ndoshta ka ardhur (apo ka ikur koha) për të vënë emrat e duhur vendeve të Shqipërisë sonë të dashur.

Kjo marrëzi që paketohet me amballazhin e modës – Europën – të sjell ndërmend atë që mund ta quajmë fushatën e emrave në kohën e Enver Hoxhës kur bëheshin sugjerime për emra fëmijësh, ndaloheshin emrat e nomenklaturës fetare dhe nisi madje ndryshimi i emrave të fshatrave. Do të arrihej që edhe një qytet të quhej “Stalin”, ndërkohë që Çlirim, Fitore etj., ishin pagëzime të kohës për fshatra me emra sllavë. Problemi i sllavizmave erdh e mori karakter politik pa sqaruar historinë e tyre, me lehtësinë tipike të këtyre anëve. Se këtu edhe emrin e qafave dhe shtigjeve i di qeveria, jo njerëzia. Ndaj nuk është çudi që si pararendës të cancel culture që jemi për shkaqe jo filozofike, por fizologjiko-sociologjike, të vijonim me ndërrim emrash në Greqi e më tej sapo kostumi i komunizmit ra. 

Për të ardhur te problemi që shtron z. Plasari e që është një “zbulim” i kohëve të vona, një sajdisje e vetes me fabula të rreme fisnikërish e rrënjësh. Ballkan është po aq legjitim sa Apenine, apo Pirenej dhe sikundër nuk ka një emërtim me përbërësin Europë në të, nuk ka sesi të shpiket Europa Juglindore si propozim për përdorim politik. E më tej me pretendime kulturore. Sepse nëse sot këtë zonë e bashkon diçka në vetvete nuk është karakteristika gjeografike në relacion me Europën, por bërthama e kulturës otomane që trashëgon dhe gjurmët e së cilës duken ngado. Nëse do besojmë autorë tanët është pikërisht otomanizmi që e shndërroi arbërin në shqiptar, dhe Arbërinë në Shqipëri, me ç’rast do na duhej të thoshim se për turp tonin ndryshuam emrin. Po kështu nën shembullin tonë ndoshta edhe spanjollët e ndryshojnë emrin e Andaluzisë për të korrigjuar një proçkë tjetër. Por shyqyr që mendjen e parë të shqiptarit nuk e ka askush tjetër. 

Është e vështirë të kuptosh sesi një emër na paska ndarë me Europën e cila vetëm këto 50 vjet ka nisur të mendojë në masë si e tillë dhe që gëlon nga rajonet, partikularizmat dhe ndasitë fetare. Është e vështirë të kuptosh sesi vallë gjeografë si ai gjermani nuk e panë sesa europianë jemi ne këtu, ndonëse albanologjinë dhe studimet e antikitetit helen, të cilit ia pretendojmë pronësinë i nxitën po ata perëndimorë që na bënë edhe prroçkën. 

Është po ashtu e vështirë të kuptosh sesi me një ndërrim emri do legjitimohet një truk me kufijtë imagjinarë të kontinentit që në fakt gjeografikisht shkon deri në Urale. 

Por për një gjë megjithatë z. Plasari ka të drejtë. Shqipëria nuk duhet të quhet pjesë e Ballkanit. Xhanëm kur kujton këtë fjalë e lidh me male dhe lugina, me një peizazh urban tipik që pak të përbashkëta ka me Europën perëndimore. Se Ballkan është p.sh edhe Janina, Konica e kështu me radhë, por jo Selaniku edhe aq, i krijuar nga emigrantë të Turqisë. Ballkan është Serbia dhe Bosnja, por Shqipëria Jo. Kush ka udhëtuar në këto vendet fqinj e prek Ballkanin në të tërën e kuptimit të termit, teksa sa hyn në Shqipëri syri të zë çdo gjë, çdo trill dhe hallkatje identiteti që e sheh nga flamujt e të gjitha kombeve majë çative, te ndërtimet, te emrat e objekteve tregtare, e kështu me radhë, menuja e befasishme e ushqimit, veshja e më tej. Ka në Shqipëri çdo gjë, ndaj edhe ide të tilla që nuk dihet se ku duan të dalin është mëse e natyrshme të lindin këtu, në një vend që zgjedh historinë e vet si telenovelat në televizione.  

s.zaimi

Comments

Submitted by dorian (not verified) on

Kjo eshte nje teme shume e nderlikuar per tu trajtuar, sepse mund te biesh lehtesisht ne pozicionin e atij qe ironizon. Po te ndiqet me konsekuence kjo logjike kozmopolite - por ne kuptimin shqiptar, si cdo gje tjeter qe e huazojme nga jashte dhe e percudnojme shqiptarisht - nuk do te ekzistonte ajo levizja e stermadhe romantike ne Perendim e kudo ne Europe, qe pervec te tjerash ishte edhe burim i ideologjive nacionaliste qe krijuan shtetet-kombe ne shekullin XIX, e qe sollen gjithe ate shnderrim kolosal ekonomik, politik, shoqeror, kulturor ne mbare boten.
Ne jemi te vonuar, dhe gjera te tilla, mendja e ndotur kozmopolitisht (gjithmone ne kuptimin e percudnuar shqiptar), i tall dhe i ironizon, njejt si ata personazhet otomaneske te Kadarese qe tallnin zakonet e reja allafrenga qe sapo kishin zene te ndiqnin shqiptaret... gjithe pa e kuptuar, se fenomene te tilla, ne Europen e qyteteruar kane qene te zakonshme deri para nje shekulli, kurse per fqinjet tane, si prsh Rumani, Greqi, keto jane te zakonshme edhe ne ditet e sotme madje ; nder shume arsye, kjo eshte nje nder kryesoret, se pse keta fqinje, jane shume perpara nesh, ne te gjitha aspektet. E ta mendosh, se si ne Perendim ashtu edhe ne Greqi e Rumani, meqe ra fjala, keto gjera jane bere edhe me dhune, me shume dhune. Por ajo qe e ben edhe me ironike gjithe gjene, eshte se vete Turqia e sotme i ka rrenjet ne ate dhune te jashtezakonshme qe Ataturku, babai i turqve moderne, u beri eterve te ketyre, per t'i qyteteruar... dhe bijte sot e adhurojne pikerisht per ate dhune! Fjalen dhune spo e fus ne thonjeza, sepse, sipas logjikes se zotit Zaimi, ajo ashtu eshte.
Te krahasosh ndryshimet e emvrave te vendeve, fshatrave etj, qe jane bere ne Greqi dhe Serbi, me ato ne Shqiperi, eshte fyese; jane ndryshuar me qindra e mijera emertime shekullore te vendbanimeve, ne Greqi dhe Serbi; shume prej tyre me dhune absolute shteterore. Ato pak qe jane bere ne Shqiperi, si ne kohen e Zogut ashtu edhe te komunizmit, jane pak a shume te ngjashme si ndryshimet vullnetare te emrave te pervecem; nga shqiptare per shqiptare.
(Te me kuptoni drejt, kjo moda kozmopolite qe kane zene shume shqiptare, pas viteve '90 me acaron shume, sepse, edhe si e tille ajo eshte e percudnuar)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.