Nevojë për një Kontratë të re Sociale në botën digjitale

Postuar në 08 Janar, 2023 15:17

Në këtë pjesë të dytë të esesë së një grupi autorësh të Universitetit të  Groningen, për ndikimin e të dhënave në stabilitetin dhe alienimin e demokracisë, autorët trajtojnë aspektin ligjor dhe nevojën për të kuptuar se parim funksional duhet të jetë ekonomia e shpërndarjes, vetëvendosja informacionale dhe në finale paradigma e inteligjencës kolektive përkundrejt asaj artificiale. Nëse duam që të kemi shpresë se demokracia do të mbijetojë, ose se bëmë gjithçka që ajo të mbijetojë. 

***

Vijon nga pjesa e parë...

Çështje ligjore

Kjo ngre çështje ligjore të cilat, nisur nga gjobat e mëdha kundër kompanive të duhanit, bankave, IT dhe kompanive të automobilëve përgjatë viteve të fundit, nuk duhen injoruar. Por nëse shkelen, cilat ligje shkelen? Së pari, është e qartë se teknologjitë manipulative e kufizojnë lirinë e zgjedhjes. Nëse kontrolli në distancë i sjelljes sonë ka funksionuar në mënyrë perfekte, ne do të duhet të ishim skllevër digjitalë, për shkak se vetëm do të ekzekutonim vendimet që janë marrë tashmë prej të tjerëve. Sigurisht, teknologjitë manipulative janë vetëm pjesërisht efikase. Megjithatë liritë tona ngadalë por me siguri, po zhduken – në fakt mjaftueshëm ngadalë saqë ka patur pak rezistencë nga popullsia deri më tani.

Përkufizimet e iluministit të madh Immanuel Kant mund të jenë shumë të rëndësishme në këtë rast. Mes të tjerave, ai vinte në dukje se një shtet që tenton të përcaktojë lumturinë e qytetarëve është despotik. Megjithatë, e drejta e vetë zhvillimit individual mundet të ushtrohet vetëm prej atyre që kanë kontroll mbi jetët e veta, që presupozon vetë-vendosje informative. Kjo nuk është asgjë më pak sesa të drejtat tona më të rëndësishme kushtetuese. Një demokraci nuk mund të funksionojë mirë nëse këto të drejta nuk respektohen. Nëse ato kufizohen, kjo minon kushtetutën tonë, shoqërinë dhe shtetin. Për sa kohë që teknologjitë manipulative si – Big Nudging - funksionojnë në mënyrë të ngjashme me reklamat e personalizuara, edhe ligje të tjera afektohen po ashtu. Publiciteti duhet të shenjohet si i tillë dhe nuk duhet të jetë çorientues. Në të nuk lejohet të përdoren disa hile psikologjike si stimujt subliminalë. Kjo është arsyeja pse është e ndaluar të tregosh një pije të lehtë në një film për një fraksion sekonde, për shkak se në atë rast reklama nuk perceptohet në mënyrë të ndërgjegjeshme, ndërkohë që mund të ketë megjithatë një efekt të pandërgjegjshëm. Më tej akoma, koleksioni aktual i përhapur i të dhënave personale dhe procesimi i tyre, sigurisht që nuk përputhet me ligjet e mbrojtjes së të dhënave personale që zbatohet në vendet europiane dhe gjetkë.

Së fundmi, ligjshmëria e çmimit të personalizuar është e diskutueshme, për shkak se mund të jetë një keqpërdorim i një informacioni të brendshëm. Të tjera aspekte me rëndësi janë thyerje të mundshme të parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit si dhe e ligjeve të konkurencës, për sa kohë që aksesi në treg dhe transparenca e çmimeve nuk garantohen më. Situata është e krahasueshme me bizneset që shesin më lirë produktet e tyre në vende të tjera, por që përpiqen të parandalojnë blerjet përmes këtyre vendeve. Raste të tilla kanë rezultuar në gjoba të mëdha ndëshkuese në të shkuarën.

Publiciteti dhe çmimi i personalizuar nuk mund të krahasohet me publicitetin klasik apo kuponat e uljes së çmimeve, derisa këto të fundit nuk janë të specifikuara dhe gjithashtu nuk e invadojnë privatësinë tonë me synimin e përfitimit nga dobësia jonë psikologjike dhe nuk e godasin të menduarin tonë kritik. Mandej, të mos harrojmë se në botën akademike, edhe vendimet eksperimentale më të padëmshme konsiderohen të jenë eksperimente me subjekte njerëzorë, të cilat do të duhet të miratohen nga një komitet etike publik dhe i besueshëm. Në secilin dhe çdo rast, personave të interesuar dhe që preken nga kjo u kërkohet të japin konsensusin e tyre.

Në të kundërt, një klik i vetëm për të konfirmuar se ne jemi dakord me përmbajtjen e qindra faqeve të marrëveshjes së “termave të përdorimit”(që është rasti me tani me shumë nga platformat informative) është mjerisht i papërshtatshëm.

Megjithatë, eksperimente me teknologjitë manipulative si nudging, performohen me miliona njerëz, pa i informuar, në mungesë transparence dhe pa kufizime etike. Edhe rrjete sociale më të mëdhenj si Faceboook apo platforma të dhënash online si OkCupid kanë pranuar tashmë publikisht se ndërmarrin këto lloj eksperimentesh sociale. Nëse ne duam të shmangim kërkime të papërgjegjshme mbi njerëzit dhe shoqërinë(mendoni vetëm për përfshirjen e psikologëve në skandalet e torturës në të shkuarën) atëherë ne kemi nevojë urgjente të imponojmë standarde më të larta, sidomos kriteret cilësore shkencore dhe një kod sjelljeje të ngjashëm me betimin e Hipokratit. A është hakeruar mënyra jonë e mendimit, liria jonë, apo demokracia?

Le të supozojmë një makinë superinteligjente me dije zotash dhe aftësi mbinjerëzore: a do të ndjekim udhëzimet e saj? Kjo duket e pamundur. Për nëse do ta bënim, atëherë paralajmërimet e shprehura nga Elon Musk, Bill Gates, Steve Wozniak, Stephen Hawking dhe të tjerë do të përmbusheshin: kompjuterët do të kenë marrë kontrollin e botës. Ne duhet të jemi të qartë se një superinteligjencë mund gjithashtu të bëjë gabime, gënjejë, të ndjekë interesa egoiste apo të manipulohet. Përmbi të gjitha, ajo nuk mund të krahasohet me inteligjencën e shpërndarë kolektive të të gjithë popullsisë. Ideja e zëvendësimit të të menduarit të të gjihë qytetarëve nga një nyje kompjuterësh do të ishte absurde, për shkak se do të ulte dramatikisht diversitetin dhe cilësinë e zgjidhjeve të arritshme. Është qysh tani e qartë se se problemet e botës nuk janë pakësuar pavarësisht fluksit të fundit të të dhënave dhe përdorimit të informacionit të personalizuar – përkundrazi. Paqja botërore është e brishtë. Ndryshimi afatgjatë i klimës do të çonte në humbjen më të madhe të specieve që nga zhdukja e dinosaurëve. Ne jemi ende larg nga kapërcimi i krizës financiare dhe ndikimit të saj mbi ekonominë. Krimi kibernetik vlerësohet se shkakton një humbje vjetore prej 3 trilionë dollarësh. Shtete dhe terroristë po stërviten dhe përgatiten për luftë kibernetike.

Në një botë në ndryshim të shpejtë, një superinteligjencë nuk mund të marrë kurrë vendime perfekte: kompleksiteti sistemik po rritet më shpejt sesa vëllimi i të dhënave që janë rritur më shpejt sesa aftësia për t’i procesuar dhe shkallët e transferimit të të dhënave janë të kufizuara. Kjo çon në mos-konsiderimin e dijes dhe fakteve lokale që janë të rëndësishme në arritjen e zgjidhjeve të mira. Duke qenë të shpërndara, metodat e kontrollit lokal janë shpesh superiore ndaj qasjeve të centralizuara, veçanërisht në sisteme komplekse, sjellja e të cilëve është shumë e ndryshueshme, vështirësisht e parashikueshme dhe e paaftë për optimizim në kohë reale. Kjo provohet qysh tani për kontrollin e trafikut në qytete, por edhe më shumë për sistemet ekonomike dhe sociale të botës sonë të globalizuar dhe shumë të ndërlidhur.

Më tej akoma, ekziston një rrezik se manipulimi i vendimeve nga algoritme të fuqishme minon bazat e “inteligjencës kolektive” që mund t’i përshtatet me fleksibilitet sfidave të botës sonë komplekse. Që inteligjenca kolektive të funksionojë duhet që kërkimet e informacionit dhe vendimmarrja nga individët të ndodhin në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Nëse gjykimet dhe vendimet tona paracaktohen nga algoritmet, kjo çon megjithatë realisht në një trushpëlarje të njerëzve. Qeniet inteligjente reduktohen në marrës të thjeshtë komandash që u përgjigjen automatikisht stimujve. Me fjalë të tjera: informacioni i personalizuar ndërton “një fluskë filtër” rreth nesh, një lloj të burgut digjital për mënyrën tonë të të menduarit. Si mund të jetë i mundur në këto kushte kreativiteti dhe të “menduarit të pavarur”?

Në finale, një sistem i kontrollit teknokratik të sjelljes dhe kushteve sociale duke përdorur një sistem superinteligjent të informacionit do të rezultonte në një formë të re diktature. Prandaj shoqëria e kontrolluar nga lart-poshtë që shfaqet nën flamurin e “paternalizmit liberal” është në parim asgjë më shumë sesa një regjim totalitar me një mbulesë të bukur. 

Në fakt Big Nudging synon të sjellë në linjë veprimet e shumë njerëzve dhe të manipulojë perspektivën apo vendimet e tyre. Kjo e vendos atë në hapësirën e propagandës dhe paaftësimin e planifikuar të qytetarëve përmes kontrollit të sjelljes. Ne presim që pasojat të jenë fatale në terma afatgjatë, sidomos kur konsideron efektin e sipërcituar të minimit të kulturës

Është e mundshme një shoqëri më e mirë digjitale

Pavarësisht konkurencës së egër globale, do të ishte e mençur që demokracitë të mos flaknin tej arritjet e shumë shekujve. Në kontrast me regjimet e tjera politike, demokracitë perëndimore kanë avantazhin se do kanë mësuar tashmë të merren me pluralizmin dhe diversitetin. Ato tani duhet thjesht të mësojnë t’i kapitalizojnë ato më tej. Në të ardhmen do të udhëheqin arto vende që arrijnë një balancë të shëndetshme mes biznesit, qeverisë dhe qytetarëve. Kjo kërkon të menduar të ndërlidhur dhe krijimin e një “ekosistemi” të informacionit, inovacionit, prodhimit dhe shërbimit. Që të funksionojë siç duhet, nuk është e rëndësishme vetëm të krijohen mundësi për pjesëmarrje, por edhe gjithashtu të mbështetet diversiteti, pasi nuk ka mënyrë si të përcaktohet funksioni i qëllimit më të mirë:

a duhet të optimizojmë Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë apo qëndrueshmërinë? Pushtetin apo paqen? Lumturinë apo jetëgjatësinë? Se çfarë do të ishte më mirë, shpesh njihet pas faktit.   Duke lejuar ndjekjen e synimeve të ndryshme, një shoqëri pluraliste është më e aftë të përballet me gamën e sfidave të paparashikuara që shfaqen

Kontrolli i centralizuar nga lart-poshtë, është një zgjidhje e së shkuarës, e cila është e përshtatshme vetëm për sisteme me kompleksitet të ulët. Ndaj, sistemet federale dhe vendimet e shumicës janë zgjidhjet e së tashmes. Me evolucionin ekonomik dhe kulturor, kompleksiteti social do të rritet. Ndaj zgjidhja për të ardhmen është inteligjenca kolektive. Kjo do të thotë se shkenca qytetare, projektet e hapura dhe platformat e diskutimit online janë qasje të rëndësishme eminente për të bërë të disponueshme më shumë dije, ide dhe burime.

Inteligjenca kolektive kërkon një shkallë të lartë diversiteti. Kjo është megjithatë reduktuar nga sistemet e personalizuara të informacionit, që përforcon prirjet. Sociodiversiteti është po aq i rëndësishëm sa biodiversiteti. Ushqen jo vetëm inteligjencën kolektive dhe inovacionin, por gjithashtu edhe qëndresën – aftësinë e shoqërive tona për të përballur goditjet e papritura. Reduktimi i sociodiversitetit shpesh redukton gjithashtu funksionimin dhe performancën e një ekonomie dhe shoqërisë. Kjo është arsyeja pse regjimet totalitare shpesh përfundojnë në konflikt me fqinjët. Pasojat tipike afatgjata janë paqëndrueshmëria politike dhe lufta, siç ka ndodhur kaq shpesh në histori. Pluralizmi dhe pjesëmarrja nuk duhen parë për rrjedhojë kryesisht si koncesione ndaj qytetarëve, por si prerekuizita për lulëzimin e shoqërive komplekse moderne.

Me pak fjalë, mund të thuhet se ne jemi tani në kryqëzim. Big data, inteligjenca artificiale, kibernetika dhe ekomia biheivioriste po i japin formë shoqërisë sonë – për mirë ose për keq. Nëse teknologji kaq të përhapura nuk përputhen me vlerat bazë të shoqërisë sonë, herët apo vonë ato do të shkaktojnë dëm të madh. Ato mund të çojnë drejt një shoqërie të automatizuar me tipare totalitare. Në rastin më të keq, një inteligjencë artificiale e centralizuar mund të kontrollojë atë çfarë ne dimë, si mendojmë dhe si veprojmë. Ne jemi në momentin historik kur duhet të vendosim mbi drejtimin e duhur – shtegun që na lejon të gjithëve të përfitojmë nga revolucioni digjital. Ndaj, ne kërkojmë që të respektohen parimet themelore më poshtë:

  1. Të thellohet decentralizimi i funksionit të sistemeve informatike
  2. Të mbështetet vetëvendosja informacionale dhe pjesëmarrja
  3. Të përmirësohet transparenca në mënyrë që të arrihet besim më i madh
  4. Të reduktohet shtrembërimi dhe ndotja e informacionit
  5. Të mundësohet e drejta e përdoruesit për të kontrolluar filtrat e informacionit
  6. Të mbështetet diversiteti social dhe ekonomik
  7. Të përmirësohet ndërveprueshmëria dhe mundësitë e bashkëpunimit
  8. Të krijohet asistenca digjitale dhe mjetet e koordinimit
  9. Të mbështetet inteligjenca kolektive dhe
  10. Të promovohet sjellje e përgjegjshme e qytetarëve në botën digjitale përmes alfabetizimit digjital dhe iluminimit

Me ndjekjen e kësaj agjende digjitale ne do të përfitonim të gjithë frutet e revolucionit digjital: ekonomia, qeveria dhe qytetarët po ashtu. Çfarë po presim?

Një strategji për Epokën Digjitale

Big data dhe inteligjenca artificiale janë padyshim inovacione të rëndësishme. Ato kanë një potencial të jashtëzakonshëm për të katalizuar vlerë ekonomike dhe progres social, nga mjekësia e personalizuar te qytetet e qëndrueshme. Është tërësisht e papranueshme megjithatë që të përdoren këto teknologji për të paaftësuar qytetarët. Big nudging dhe pikëzimi për zbatimin e ligjit nga qytetarët abuzojnë mbi të dhënat personale, të mbledhura dhe përpunuara në mënyrë të qendërzuar për kontrollin e sjelljes, në mënyra që janë totalitare në natyrën e vet. Kjo jo vetëm nuk përputhet me të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike, por është edhe e papërshtatshme për menaxhimin e shoqërive moderne dhe inovative. Për të zgjidhur problemet e vërteta të botës, kërkohen qasje shumë më të mira në fushën e informacionit dhe menaxhimit të riskut…

Çfarë mund të bëjmë tani?

Së pari, edhe në këto kohë të revolucionit digjital të drejtat bazike të qytetarëve duhen mbrojtur përderisa ato janë një prerekuizitë themeore e një shoqërie moderne, demokratike dhe funksionale. Kjo kërkon një kontratë të re sociale, bazuar në besim dhe bashkëpunim, e cila i sheh qytetarët dhe klientët jo si pengesa apo burime për t’u shfrytëzuar, por si partnerë. Për këtë shteti duhet të ofrojë një kuadër të përshtatshëm rregullator, i cili siguron se teknologjitë janë projektuar dhe përdoren në mënyrë të përputhshme me demokracinë. Kjo do të garantonte vetëvendosjen informacionale jo vetëm teorikisht, por gjithashtu praktikisht, për shkak se është një parakusht për ne që t’i orientojmë jetët tona në një mënyrë vetëvendosëse dhe të përgjegjshme.

Duhet po ashtu të ketë një të drejtë të kemi një kopje të të dhënave personale të mbledhura për ne. Duhet të rregullohet me ligj që ky informacion të dërgohet automatikisht në një format të standardizuar, në një bazë të standardizuar, përmes së cilës individët mund të menaxhojnë përdorimin e të dhënave të tyre(potencialisht mbështetur nga asistentë të veçantë digjitalë të inteligjencës artificiale)

Për të siguruar privatësi më të madhe dhe për të parandaluar diskriminim, përdorimi i paautorizuar i të dhënave duhet të jetë i ndëshkueshëm me ligj. Kështu individët do të jenë në gjendje të vendosin se kush mund të përdorë informacionin e tyre, për cilin qëllim dhe për sa kohë. Më tej akoma, duhen marrë masa të përshtatshme për të siguruar që të dhënat janë ruajtur dhe shkëmbyer në siguri.

Duke konsideruar kritere të shumëfishta, sistemet e sofistikuara të vlerësimit reciprok(Sophisticated reputation systems), do të ndihmonin në rritjen e cilësisë së informacionit mbi të cilin bazohen vendimet tona. Nëse filtrat e të dhënave, rekomandimet dhe algoritmet e kërkimit do të ishin të selektueshëm dhe të konfigurueshëm nga përdoruesit, ne mund të këqyrnim problemet nga perspektiva të shumëfishta dhe do të ishim më pak të epshëm ndaj manipulimit nga informacioni i deformuar. Shtuar kësaj, neve na duhet një procedurë efikase ankimi për qytetarët, po aq efektive sa sanksionet për shkeljen e rregullave. Në fund, në mënyrë që të krijohet mjaftueshëm transparencë dhe besim, institucionet shkencore kryesore duhet të veprojnë si mbajtës të të dhënave dhe algoritmeve që aktualisht u ikin kontrollit demokratik. Kjo do të kërkonte po ashtu një kod të përshtatshëm sjelljeje që do të duhej të ndiqej deri në pikën e fundjt nga kushdo me akses në të dhënat e ndjeshme dhe algoritmet – një lloj Betimi i Hipokratit për profesionistët e IT-së.

Po ashtu, ne do të na duhej një agjendë digjitale për të hedhur themelin e vendeve të reja të punës dhe të ardhmen e shoqërisë digjitale. Çdo vit ne investojmë miliarda në sektorin e bujqësisë dhe të infrastrukturës publike, shkollave dhe universiteteve – në përfitim të industrisë dhe sektorit të shërbimeve.

Për cilat sisteme publike kemi ne nevojë që të sigurohemi se shoqëria digjitale të bëhet një sukses?

Së pari, na duhet koncepte të reja arsimore. Na duhet një pqërqendrim më i madh në mendimin kritik, kretivitetin, shpikjet dhe sipërmarrja dhe më pas krijimi i punëtorëve të standardizuar(detyrat e të cilëve në të ardhmen do të bëhen nga robotët dhe algoritmet kompjuterike). Arsimi duhet po ashtu të ofrojë një kuptim të përdorimit të përgjegjshëm dhe kritik të teknologjive digjitale, për shkak se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për atë sesi bota digjitale ndërlidhet me botën fizike. Që të ushtrojnë efektivisht dhe me përgjegjësi të drejtat e tyre, qytetarët duhet të kenë një kuptim mbi këto teknologji, por edhe se cilat përdorime të tyre janë të paligjshme. Kjo është arsyeja pse ka përherë e më shumë nevojë për institucione shkencore, industriale, politike dhe arsimore për ta bërë këtë dije gjerësisht të disponueshme.

Së dyti, nevojitet një platforme pjesëmarrjeje për të bërë më të lehtë vetëpunësimin për njerëzit, të paraqesin projektet e veta, të gjejnë partnerë, produkte tregu dhe shërbime në mbarë botën, të menaxhojnë burimet dhe të paguajnë taksat dhe kontributet sociale(një lloj ekonomie e shpërndarjes për të gjithë). Për ta përmbushur këtë, qytetet dhe madje fshatra mund të ngrejnë qendra për komunitetet digjitale në rritje, ku idetë mund të zhvillohen bashkarisht dhe të testohen falas. Falë qasjes së hapur dhe inovative, në këto qendra mund të promovohet inovacioni masiv dhe bashkëpunues.

Lloje të veçanta të konkurencës mund të ofrojnë incenticva shtesë për inovacionin, të ndihmojnë në rritjen e vizibilitetit publik dhe të gjenerojnë momentum për një shoqëri digjitale pjesëmarrëse. Ato mund të jenë veçanërisht të dobishme në mobilizimin e shoqërisë civile për të siguruar kontributet lokale për zgjidhjen e problemeve globale(p.sh me mënyrat e "Olimpiadës së Klimës"). P.sh platformat që synojnë të koordinojnë burimet e pakta mund të ndihmojnë në çlirimin e një potenciali të madh të ekonomisë shpërndarëse dhe qarkulluese, e cila është ende në masë të madhe e pashfrytëzuar. Me angazhimin ndaj një strategjie të shoqërisë së të dhënave të hapura, qeveritë dhe industria do të rrisin disponueshmërinë e të dhënave për përdorim shkencor dhe publik, krijojnë kushte të përshtatshme për një ekosistem informativ efiçent dhe inovativ, që i përgjigjet ritmit të sfidave të botës sonë. Kjo mund të inkurajohet nga ulja e taksave, në të njëjtën mënyrë si u veprua në disa vende për përdorimin e teknologjive miqësore me mjedisin.

Së treti, ndërtimi i "një sistemi nervor digjital” të drejtuar nga qytetarët mund të hapë mundësi të reja në Internetin e Gjërave për çdokënd dhe të ofrojë matje të të dhënave në kohë reale dhe në dispozicion të të gjithëve. Nëse duam të përdorim burimet në një mënyrë më të qëndrueshme dhe të ngadalësojmë ndryshimin e klimës, ne duhet të masim efektet anësore, negative dhe pozitive të ndërveprimeve tona me të tjerët dhe mjedisin. Duke përdorur procese të mbyllura të përshtatshme, sistemet mund të ndikohen në një mënyrë që mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar me mjete të vetë-organizimit.

Që kjo të ketë sukses ne do na duhen incentive të ndryshme dhe sisteme shkëmbimi, të disponueshme për të gjithë inovatorët ekonomikë, politikë dhe socialë. Kjo do të mund të krijonte tregje të reja tërësisht dhe ndaj, edhe bazën për një progres të ri. Çlirimi i potencialit virtuaisht të pakufishëm të ekonomisë digjitale do të mund të promovohej shumë mirë nga një sistem financiar pluralist dhe rregullore të reja për kompensimin e shpikjeve. Për t’u përballur më mirë me kompleksistetin dhe diversitetin e botës sonë të ardhme dhe për ta kthyer atë në një avantazh, ne do të kërkojmë asistentë digjitalë personalë. Këta asistentë do të përfitojnë po ashtu nga zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale. Në të ardhmen mund të pritet që rrjete të shumta që gërshetojnë njeriun dhe inteligjencën artificiale do të ndërtohetn dhe rikonfigurohen, siç duhet. Megjithatë, në mënyrë që ne të mbajmë kontrollin e jetëve tona, këto rrjete duhet të kontrollohen në një mënyrë të shpërndarë. Në veçanti, kushdo duhet të jetë në gjedje të logohet dhe ç‘logohet.

Platforma demokratike

Një "Kulturë e Wikipedias" mund të ndihmojë në koordimin e akitiviteteve të ndryshme në një botë shumë të larmishme dhe t’i përputhë me njëri-tjetrin. Do t’i bënte të shprehur qartë parimet më implicite të suksesit të kulturës së botës kështu që ata të mund të kombinohen në mënyra të reja. Një "Cultural Genome Project" si ky duhet po ashtu të jetë një lloj projekti paqeje, për shkak se do të rriste vetëdijen publike për vlerat e diversitetit sociokulturor. Kompanitë globale e kanë ditur prej kohësh se diversiteti kulturor dhe ekipet shumëdisiplinore janë më të suksesshme sesa ato homogjene.

Megjithatë kuadri i duhur për pajtuar me sukses dijen dhe idetë e shumë njerëzve në mënyrë që të arrihet tek inteligjenca kolektive mungon ende në shumë vende. Për ta ndryshuar këtë situatë, do të ishte shumë i dobishëm ofrimi onlin e i platformave të posaçme. Kjo do të krijonte kuadrin e kërkuar për të realizuar demokracinë e përmirësuar digjitale, me mundësi më të mëdha pjesëmarrjeje të qytetarëve. Kjo është e rëndësishme, për shkak se shumë nga problemet e botës sot mund të menaxhohen vetëm me kontributet e shoqërisë civile.

Burimi: Scientific American 

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.