Kryeministri i Greqisë “fton” në Dropull kryeministrin e Shqipërisë

Postuar në 23 Dhjetor, 2022 00:57

Mitsotakis i tanishmi, ose është në hall të madh, ose realisht e injoron për shkak të formimit të vet, kontesktin ballkanik të vizitës së vet në Dropull. Pse? Sepse në këtë rajon, hileqarët kalojnë për strategë. Jo se Kryeministri grek është naiv, por sepse mënyra sesi zhvilloi vizitën dhe protokollin që pranoi, ilustron se një hall më shumë sesa një interes e shtyu ta bënte. 

Për ta kuptuar vlerën imediate të hilesë së hileqarit mund të sjellim një shëmbull tjetër nga Shqipëria: kur z. Rama p.sh thotë se amnistinë fiskale e bëj për remitancat e çunave të Londrës(emigrantëve thotë ai), ai mundet të jetë vërtetë duke ushqyer premtimet informale të Safet Gjicit, por nga ana tjetër, pavarësisht nëse e bën apo jo, mundet edhe të jetë duke bërë fushatë elektorale asgjësuese përkundrejt PD-së në Kukës, zonë kjo e fortë e saj.

Ndaj kur z. Rama shkon në Dropull me Mitsotakisin ai në fakt arrin të trukojë një vizitë elektorale për qëllime të vetat, duke shitur miqësinë nga njëra anë dhe duke mbulur mutin me shurrë për faktin se kjo e kryeministrit grek ishte vizitë që e shmangu Tiranën. Diçka jo fort e zakonshme kjo për dy vende, kryeministrat e të cilëve flasin për marrëdhënie të shkëlqyera. 

Mitsotakis mori minus me anullimin e vizitës së parë, pasi sebepi i kushteve të këqija nuk kaloi aq bindshëm. Dhe iu desh të vinte për së dyti. Fitorja e vockël e tij ishte në Himarë, ku z. Rama si nip që është, nuk shkoi. Aty z. Mitsotakis foli për helenizmin etj., diçka që kryeministrit shqiptar i kalonte disi keq, ndaj edhe e gjeti trukun në Dropull ku ka grekë safi me një flamur të vetëm. 

Mik dhe vëlla në tokën tonë

tha z. Rama ndër të tjera për Mitsotakin, në një përkujtesë territoriale të mikpritjes krejt të pavend në Europën e kufijve të hequr.

 Prej ditësh z. Rama shfaqet i veshur me një treçerekshe të zezë, me një karafil në jakën e majtë, që me siguri në këtë rast padashur do ketë luajtur efektin “Bellojanis” bashkë me “kalimerën” e hapjes, një imitim bajat i Enver Hoxhës në llojin e vet. 

Një ngjarje allosoj e dy njërëzve me halle të ndryshme: njëri për vota, e që rrezik ka mallkuar veten që erdhi në një vend që duket se i rri i huaj në çdo gjë, tjetri për të treguar se greku këtu nuk vjen pa të zotin e shtëpisë, ndërkohë që problemi kryesor mbetet kufiri dhe fakti se askush nuk di të shpjegojë se si ka mundësi që dy vende më partneritet strategjik nuk shkëmbejnë dot një vizitë të nivelit të lartë në kaq vjet. 

E sigurt është se qoka Mitsotakisit iu bë, për aq sa ajo vlen, për aq sa mund të mbyllë gojën e Syrizës në Athinë pse tani kryeministri grek mund të thotë: e patë sesi më pritën? Edhe bust më bënë për babain! Duke kuptuar ndoshta por pa dhënë përgjigje se pse z. Rama si i majtë që është, nuk ndihet fare komod me Tsipras, i cili ishte gati të mbyllte problemet me Shqipërinë siç edhe i mbylli me Maqedoninë. Në fund të fundit Qirjakua ka lexuar për dronët që po do t’i blejë edhe vetë. Ka edhe njerëz, kategori madje popujsh që funksionojnë si dronë. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

E gjithe kjo qe ke shkruar eshte nje lufte me mullinjte e eres. Te germosh neper galerite e subkoshiences per te sajuar armiq dhe konflikte nuk eshte gazetari.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.