Pro Aleancës së Qelbur për ta hequr

Postuar në 03 Nëntor, 2022 23:53

Kryeministri Edi Rama i ka bërë qokën Sokol Ballës sot kur sapo hapi emisionin e tij “Real Story” në Report Tv, ka mësyrë si mysafiri i parë. Përtej këtij fakti patjetër rastësor, meriton vëmendje një pjesë nga ajo që tha z. Rama: 

Jam i bindur që shqiptarët do ta mësojnë këtë gjë, por i them se askush nuk ju kërkon të doni me zor Edi Ramën apo të votoni me zor PS-në, apo të bëheni të vetëdijshëm që është e vetmja forcë që e çon vendin përpara, ama zgjidhni të tjerë. Shqiptarët që kanë respekt për veten s’mund të jetë ndjekës i personazheve të tilla, një i shpallur non grata, nga një ish- president që kam patur bashkëpunim

Pra, lideri i Ballkanit, ai që do nxirrte në pension Sali Berishën, ai që premtoi nxjerrjen për skrap të Ilir Metës, sot bën thirrje që njerëzit të votojnë alternativa të tjera. Por jo këta. Po si erdhëm deri këtu, pas kaq e kaq reformash të mëdha, pas kaq e kaq arritjesh dhe suksesesh? Si vallë diskutojmë ende që alternativë ndaj z. Rama dhe progresistëve është Sali Berisha dhe Ilir Meta? Mos vallë këta i rifaktorizoi ky zotëri, me të gjitha: korrupsionin, dështimin, arrogancën, marifetet me Lul, amnistitë për njerëz të rrugës, për pabarazinë gati kriminale, apo edhe me ato marifetet me Kod Zgjedhor për të përjashtuar çdo alternativë reale nga gara? 

Thirrja për të votuar alternativa të tjera është jo vetëm diversion për të shpërndarë votën tek aktorë që në fund nuk do hyjnë në llogari, por edhe tradhëtim i vetes për faktin se ky zotëri ndoshta ka akorduar pakte me disa prej tyre. Pakte elektorale, si ato të tipit Berisha-Basha-Milloshi dikur. 

Pse mbërritëm këtu, te kjo thirrje? Sepse vallë shqiptarët nuk njohin Berishën dhe Metën dhe duhet ky, më i Miri, që t’ua kujtojë? Me siguri që jo.

Është thirrja e dëshpërimit të dikujt që po ndjen diçka e që nuk po do ta pranojë, po ndjen ndoshta se aleanca e qelbësirave që e solli atë në karrigen prej nga ku bilbilon sot prej 9 vjetësh, e ka zëvendësuar alternativa e vetme që mbeti për ta hequr prej andej: Aleanca e Qelbur, eventualisht me Berishën dhe Metën, e të gjithëve që e dinë dhe kuptojnë se kush është e keqja kryesore dhe për ta zmbrapsur janë të detyruar ta firmosin atë me një votë në datën më të afërt. Vetëm për kaq, sepse e Keqja që ky njeri përfaqëson, mishëron, përçon dhe ushqen, mbase nuk derivon nga Rublat, por është organike në dëshpërimin që i transmeton shoqërisë mbarë. 

Është një toksinë e cila po çekulibron busullën e të gjitha vlerave të kësaj shoqërie që flet nga mëngjesi deri në darkë për prona, gjyqe, para e vjedhje, ose për të ikur nga sytë këmbët për të mos qenë e detyruar të hajë përditë gjellën e përparimit apo supën e opozitës së vulave. Po ndërrojmë Purgatorin me Purgatorin. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.