Korruptuesi

Postuar në 25 Gusht, 2022 14:55
Skerdilajd Zaimi

 

Kryeministri Edi Rama ka hedhur ca radhë sot në profilin e vet në Facebook lidhur me mënyrën sesi u reagua në media dhe rrjetet sociale pritja e Luiza Gegës. Zoti Rama ka folur për shpërblimet e rritura, për faktin se ndaj sportit të gjithë janë borxhlinj dhe se ata që e panë ceremoninë si vjedhje të meritës dhe vëmendjes në fakt nuk shërohen nga urrejtja e vet, pasi sipas kryeministrit përfaqësojnë një vijë që “ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip”.

Në fakt ceremonia e Luiza Gegës mund të bëhej ndryshe dhe nuk kishte nevojë për tam-tamin e bulevardit ku z. Rama, që po do ta kalojë veten si oshënarin që puth dorën e më të mirës mes shqipeve, e di shumë mirë se dekori ku ai aderon pak vend i lë sportit dhe sportdashësve. Por ta lëmë z. Rama të luajë me iluzionin e kahershëm të tij se ai është një nolist që i ka hipur kalit të progresit dhe shakanë nuk e ka me progresin, por me bejlurçinën anakronike të shqyptarisë. Le ta ketë këtë iluzion dhe ta dekorojë edhe me grimin personal, ndonëse luan sot si një sulltan i një oazi ku pi ujë ai me të vetët. Le të ndalemi pak te një paragraf i shënimit të tij :

Halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik. Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme. Kur thua të vemë ndonjë rregull ligjor, se ky ortek llumi do të fundosë çdo vlerë njerzillëku e normë bashkëjetese shoqërore, duke e varrosur si qen të ngordhur, mundin e prindërve e përpjekjen e shkollës për edukimin e fëmijëve, të ngrihen e të thonë jo! Duhet veç vetërregullim, po se si e qysh do të ndodhë ky vetërregullimi nuk ta thotë dot kush!

Fjala është për median, ndonëse në fillim z. Rama referon rrjetet sociale si pedan presioni. Këtu kryeministri e ka fjalën për median online kryesisht dhe debatin televiziv prej nga ku sipas tij nis e merr udhë vena e helmimit të shoqërisë. Të krijohet përshtypja se është pikërisht media dhe mënyra sesi ajo trajton temat e ndryshme, arsyeja pse Shqipëria po bëhet e pajetueshme, se është media ajo që po prish bashkëjetesën në këtë vend dhe po vret të ardhmen e tij.

Nëse këtë z. Rama e beson me të vërtetë ne kemi një problem shumë serioz që nuk ka të bëjë me faktin se zotëria do ndërmarrë kufizime ligjore, por me faktin se kemi dy narrativa që po shkëputin çdo lidhje komunikimi me njëra-tjetrën. Njërën atë ku jeton qeveria me lumturinë dhe suksesin topless të progresit dhe një tjetër, të medias, që ilustron renë e zezë në qiellin e hapur blu të të parës.

Nëse z. Rama nuk e beson këtë gjë dhe thjesht po përpiqet të kontrastojë, atëherë ne këtu kemi një individ në manifestimin e talentit të vet kryesor: atë të korruptuesit të ligjërimit, të kompromentimit të çdo bindjeje, të mikluesit të gjithkujt që i bën sadopak hije, që si dikush që e di shumë mirë se nuk duhet lejuar që Kritika të monopolizohet, kalon në suazën e morfologjisë së përrallës ku për të paraprirë fundin e lumtur, duhet gjetur e keqja. Dhe e keqja është media, ajo media kaotike që nuk ka axhendë, por në mënyrë të atypëratyshme e prish linearitetin e rrëfimit politik.

Nëse z. Rama ndodhet nën presionin e një keqkuptimi tërësor për çdo gjest politik apo publik të vetin, duke mos gjetur tek analizat apo kritikat ndaj tij asgjë njerëzore të cilën ai ndoshta brenda vetes e beson se e ka dhe e shpreh me akte, atëherë ky nuk është pasojë e keqinterpretimit të medias. Por refleks i arrogancës së zotërisë që po kupton se nuk mund të fshehë dot diferencën mes asaj që premton dhe asaj që bën, asaj që pretendon dhe asaj që është.

Por kryeministri e ka kapur fare mirë, sepse si qenie e frustruar dhe frikacake e ka shqisën për ta ndjerë, se shoqëria shqiptare ka humbur besimin te vendi i vet, te mundësitë e veta, se kjo shoqëri ndjen se me këtë sistem që ka pranuar dhe të cilën zotëria e kalëron sot me 4-5 vetë ka arritur maksimumin e vet dhe nuk mund të gjenerojë më asgjë. Ajo është konceptuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos shpërndajë dot pasuri, as të integrojë energjitë e shoqërisë, të cilat vetëm i thith duke mishëruar një krizë strukturore, rrënjësore që parathotë implozionin. Dhe këtë media mund ta katalizojë, por jo ta krijojë. Dhe këtu zotëria flet sërish në keqbesim.

Por le t’i gëzohet like dhe share të administratës që i ka imponuar me detyrim, duke shijuar në vetë të parë një ndër toksinat më vrasëse sociale, siç është sektarizmi brenda një shoqërie.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ka i fare te drejte o Skerdo. Ju nuk thoni te verteten, jo se ju paguajne per te thene genjeshtra (po japim nje program me genjeshtra hahaha) por per faktin e thjeshte se e verteta eshte pa ngjyra, bajate, monotone. Cfare mund te thuash per dike qe prodhon domate dhe sidomos (larg qofte) te kete sukses ne kete fushe? Sidomos kush ta lexon (lexo-blen) lajmin? Korrupsioni eshte dritherues, droga eshte e hatashme,genjeshtren e ngjyros si te duash,te shash kryeministrin edhe per menyren si pin uje-po keto perbejne lajme. Media eshte biznes si gjithe te tjeret dhe ka nevoje te shese (lexo-lexohet). O burra, shisni mallin qe kushton me pak dhe shitet me shtrenjte. Fundja statusi juaj si te paprekshem,nuk ju lidh me ndonje detyrim moral. (Me duket se e ekzagjerova me kete te fundit. Morallin them). Moralin thjesht o e ke o nuk e ke. Jam anakronik,e di.

Submitted by redaksia on

Tani edhe se per cfare do shkruajme nuk na tregon kush. Megjithate, ketu, me aq sa dime, shkruhet per politiken, jepen opinione, lajme nga bota kryesisht politike dhe perkthime. Nuk ka gjithollogji, meqe aty e keni alibine ju tashme. 

Nuk ka share kush kryeministrin, jemi shprehur kunder. Per shumecka. Ka dallim. Dhe mbi te gjitha nuk jemi marre me Edi Ramen, por me kryeministrin. Si anakronik qe ta do puna te shfaqesh, shih se mos e merr per justifikim kete e nis e beson naivisht se jemi te atij morali qe besn ti. Se te atij nuk jemi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.