Vit ironik: Berisha Junior në shesh përballë Rama Senior

Postuar në 07 Korrik, 2022 22:24
Skerdilajd Zaimi

 

Shiheni këtë video të vitit 2004! 

https://m.youtube.com/watch?v=FNuXmx6ppmo

Është një protestë e Mjaft-it të Erion Veliajt para Kryeministrisë. Protestë e cila transmetohet me nota dramatike nga kronika e një televizioni që duket se bën tifo. Ndaj kujt? Ndaj kauzës së drejtë të protestës, apo ndaj një pakice të zhurmshme? 

Vitet kanë kaluar dhe aktorët kanë ndryshuar rolet, kanë ndryshuar edhe optikën me të cilën gjykojnë çdo gjë. 

Teksa sheh këtë protestë, apo edhe të tjera shumë më të mëdha si ato të PS-së, të vjen ndërmend diskutimi që bëhet përherë në media për pjesëmarrjen në protestat e PD-së. Pamje me video: ja sa njerëz morën pjesë, me nënkuptimin se janë pak dhe vetiu pushteti i Ramës që është edhe garruzhdja e mediave të ndryshme, është aty, shkëmb graniti. 

Po çfarë vlere ka pjesëmarrja? Patjetër që ka, sepse ilustron masivitetin e një kauze, ndjeshmëritë e një momenti, organizimin dhe forcën e subjekteve. Por ta trajtosh pjesëmarrjen në mënyrë absolute sikur ajo i jep domethënie ekzistenciale çdo nisme është të raportosh me keqdashje, apo njëanshmëri, po aq sa ajo melodrama televizve e Klanit te protesta e Erion Veliajt. Protestat e PS-së ishin masive, por u deshën tetë vjet dhe një aleancë e pabesë me LSI që ajo të shndërrohej në votë. 

Nga ana tjetër nuk është e thënë që protesta të vlerësohet vetëm për nga numri. Por edhe simbolika. Protestë më simbolike ka qenë ajo për Teatrin, edhe pse nuk pati ndonjëherë numra impresionues, por edhe atëherë mediat e pushtetit gjenin përherë bishta dhe bënin avokatinë e radhës.

Simbolika e kësaj proteste është se kaq shumë njerëz vijojnë të tubohen rreth Sali Berishës i cili është pozicionuar përballë Edi Ramës si alternativë. Mundet që ky i fundit të fitojë, por shenjat që po jep janë se i sigurtë nuk është. Pasiguria është karakteriale dhe karakteristikë e z. Rama, por kësaj radhe problemi kryesor – për aq sa është problem kjo në këtë katundin tonë – është se z. Rama, ky lider vizionar nuk ka se çfarë të thotë përballë kundërshtarit. Ai nuk bën dot dallim nga Berisha, as për qytetari, as për politikë, as për histori suksesi. Ne kemi në skenë dy kufiza politike identike për nga biografia, oferta politike dhe metoda. 

Sigurisht mbeten numrat në fund, që janë edhe hallka që i intereson një pushteti ekonomik që ka boll halle. Por edhe zullume. Për këtë po numrat kanë rëndësi, sa për dallimin Rama- Berisha, si lakmues mes të keqes dhe së mirës, shpikje këto të një malinjiteti tipik politik, ky i fundit e ka fituar betejën, pasi me protesta vetëm Berisha e rishpik politikisht veten. Protestat e Ramës janë forca e partisë, jo e karizmës personale. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.