Formula fituese e ninullës së korrupsionit

Postuar në 04 Prill, 2022 15:02
Skerdilajd Zaimi

 

Aleksander Vuçiç ka fituar mandatin e katërt në Serbi. Pusheti i tij nuk është i pasfidueshëm, por aktualisht ngjan i pakonkurueshëm.

Viktor Orban ka fituar sërish në Hungari. Ose doli parti e parë me një diferencë të vogël në ulje nga mandati paraardhës.

Lukashenko qëndron në Bjellorusi, Edi Rama në Shqipëri dhe në Poloni zhvillohet një ferment politik që nuk ka të bëjë shumë me standardet demokratike të BE-së.

31 vjet pas rënies së komunizmit, përdorur si eufemizëm për diktaturën, Europa përjeton një rishfaqje të simptomave të reja të kësaj prirjeje, kuptohet nën presionin e një imuniteti të fituar nga sëmundja e gjatë e totalitarizmit.

E megjithatë, dështimi në këtë rast është kolosal për arsye sepse regjime si këto në Tiranë, apo Beograd, po tregtojnë veten si e vetmja shpresë për stabilitet dhe zhvllimi në kushtet historike të një mungese vizioni nga bota e zhvilluar. Europa, Perëndimi, diti ta luftonte, apo më mirë ta rivalizonte Komunizmin, por nuk ishte gati për të zbatuar një projekt praktik për zëvendësimin e tij me një shpresë të vërtetë demokratike apo demokratizuese.

Regjimet në fjalë mbahen në këmbë edhe nga një tolerancë përherë e më e madhe ndaj korrupsionit që befas është shndërruar në pjesë mazhoritare të strukturës ekonomike dhe psikologjisë politike në këto anë, me të vetmin efekt pozitiv se ka infektuar, e për pasojë kompromentuar çdo ideologji që deri më dje shihej si rrezik.

Janë prekur nga korrupsioni nacionalistët dhe nacionalizmat, ka humbur vlerën mobilizuese territori, religjioni është muzealizuar dhe shndërruar në pjesë të establishmentit që pranon çdo kompromis për të përmbushur kështu me rrëgimin moral misionin e vetëm të kapjes së plotë të shtetit: Fitimin përmes suksesit me çdo mjet.

Është paradoksale në kulm të shohësh se vendet në fjalë, në disa raste drejtohen nga individë apo grupe që aderojnë formalisht në parimet e “shoqërisë së hapur”, artikulojnë bashkëpunim dhe kryejnë gjeste moderacioni, ndërkohë që me përkufizim, një regjim i korruptuar tenton të mbyllet, të krijojë një lloj sovraniteti të suzerenuar nga qendrat e mëdha vendimmarrëse vetëm e vetëm për të ruajtur atë që kanë arritur.

Ballkani Perëndimor i ngjan pak Arnautistanit të pashallëqeve të kapur në fatalitetin historik të një sëmundjeje që lihet pas dore pse kushton më shumë sesa kurimi.

Në Hungari apo Poloni Europa sheh në fakt fëmijët e abortuar të historisë së vet, pasqyrën e vjetër të saj, të një nacionalizmi formal e kryeneç, një refluksi ndaj vlerave që vijnë nga një hendek zhvillimor dhe vakuum I debatit intelektual si dhe nga një diakroni historike që rivendikon probleme të vjetra.

Regjimet hibride të sipërmendura janë përvijuar si të tilla edhe për shkak të një historie të denatyralizuar dhe të hibridizuar përmes inkubimit të demokracisë në kontekstin e një momenti të caktuar në Perëndim. Koha provoi se historia jonë e vështirë ishte emancipuese më e madhe sesa vitrina e zhvillimit të Perëndimit që nuk bëri gjë tjetër veçse ushque iluzionin se “liria dhe demokracia mund të simulohen” duke imituar.

Demokracia dhe idetë e lirë njësoj si komunizmi dhe nacionalizmi janë tema të pasioneve politike të mëdha. Sot demokracia liberale është nën presionin më të madh të mundshëm për një sistem idesh dhe rregullash: Implozioni. Sepse me vaktësinë e vet ka kompromentuar dhe vagulluar horizontet e shpresës, parimet funksionale. Ajo po fiket si pishtari i imagjinatës sonë.

Atë sot e mban në këmbë siguria e një suksesi historik të konfirmuar nga kontestimet ekzistenciale të një shekulli si ai i 20-të që për fat të keq po del me shpejtësi nga memoria kolektive si altar i korrigjimit moral.

Ajo është në fazën e inercisë dhe nuk po shkëlqen më si dikur edhe pse është padyshim shpresa më e madhe për shoqëritë tona. Për ata që ende besojnë te liria.

Europa sot ka një detyrim që të fusë në varkën e vet vende si Shqipëria për të mos lejuar një kufi të ri që bëhet shumë kollaj burim keqkuptimesh dhe lejon riorientime gjeopolitike. Europa sot në Ballkanin Perëndimor është vetëm një tezë e artikuluar, jo më një prirje që merr energjitë e shoqëriva tona.

Korrupsioni rezultoi të ishte i vetmi zëvendësues që mund të arrinte kompromisin mes një diktaure në kolaps dhe një ambicieje teorike për Zhvillim Demokratik. Në fund të fundit ai që nuk fiton dot me garë, do fitojë me dredhi. Dhe pikërisht pse kjo dredhi dhe hile është gjenuine, e jona, është edhe më kërcënuese sesa një utopi si komunizmi. 

Ata që flasin sot për Diktaturë në Shqipëri dhe Serbi janë ata që dëmtojnë më shumë shpresën për ndryshim sepse përfaqësojnë dorëzimin pikërisht përkundrejt korrupsionit me të cilin po mbahen në këmbë pushtetet në këto anë. Dhe duke kërkuar të mobilizojnë përmes absolutizimit retorik të një rreziku apo kërcënimi që është praktik dhe kapilar, nuk bëjnë gjë tjetër veçse korruptojnë edhe vetë mesazhin politik duke lënë inaktive një pjesë të madhe të shoqërisë e cila sheh se ngasjes për Diktaturë reale dhe strukturore po i shmangen me shume dinakëri të gjithë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.