Zbulohet një variant virulent i HIV-it në Holandë

Postuar në 05 Shkurt, 2022 10:14

Një lloj i ri shumë virulent i HIV-it është zbuluar në Holandë nga studiuesit në Universitetin e Oksfordit.

Shkencëtarët besojnë se ky variant ka qenë në qarkullim që nga fundi i viteve 1980.

Por për VB është zbuluar se trajtimet moderne janë efektive, pasi individët me këtë variant kanë të njëjtën rezistencë të sistemit imunitar si individët me variante të tjera të HIV-it dhe ekipi hulumtues theksoi se gjetjet nuk janë shkak për alarm.

Individët e infektuar me variantin e ri VB treguan dallime të rëndësishme përpara trajtimit në krahasim me individët e infektuar me variante të tjera të HIV-it.

Individët me variantin VB kishin nga 3.5 deri në 5.5 herë nivele më të larta të virusit në gjakun e tyre.

Përveç kësaj, shkalla e rënies së qelizave CD4 - shenjë dalluese e dëmtimit të sistemit imunitar nga HIV - ndodh dy herë më shpejt te individët me variantin VB, çka i vendos ata në rrezik të zhvillimit të SIDA-s shumë më shpejt.

Në të njëjtën kohë, individët me variantin e sapozbuluar treguan një rrezik të shtuar të transmetimit të virusit te të tjerët.

Varianti VB u identifikua për herë të parë në 17 individë HIV pozitiv nga projekti BEEHIVE, një studim në vazhdim i cili mbledh mostra nga e gjithë Evropa dhe Uganda.

Meqenëse 15 prej këtyre njerëzve vinin nga Holanda, studiuesit më pas analizuan të dhënat nga një grup prej mbi 6700 individësh HIV pozitivë në Holandë.

Kjo identifikoi 92 individë të tjerë me variantin VB, nga të gjitha rajonet e Holandës, duke e çuar totalin në 109.

Individët me variantin VB treguan karakteristika tipike për njerëzit që jetojnë me HIV në vend, përfshirë moshën, gjininë dhe mënyrën e dyshuar të transmetimit.

Studiuesit, të cituar nga Euronews, thonë se kjo tregon se rritja e transmetueshmërisë së variantit VB është për shkak të një vetie të vetë virusit dhe jo të ndonjë karakteristike të njerëzve me virus.

Studiuesit thonë se gjetjet e tyre mbështetin teorinë se viruset mund të evoluojnë për t'u bërë më virulentë, një hipotezë e vjetër kjo që ka pak shembuj në botën reale.

Megjithatë, varianti Delta COVID-19 ishte një shembull i kësaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.