Afresket e Padovës dhe ujërat termale të Montecatinit hyjnë në listën e UNESCO-s
Dy sajte italiane i shtohen listës së monumenteve të mbrojtura nga UNESCO. Në mbledhjen e radhës të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, mbajtur në Fuzhou, Kinë, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 192 vende është rënë dakord që listës t’i shtohen Padova dhe Montecatini Terme, raporton Avvenire.
Kandidatura e "Padova Urbs picta", me ciklet me afreske të shekullit të katërmbëdhjetë, ishte e vetmja e paraqitur nga Italia për vitin 2020. Për shkak të pandemisë, që pengoi mbledhjen vitin e kaluar, janë miratuar kandidaturat për të dy vitet njëkohësisht.
Kështu, për vitin 2021 është shpallur monument i mbrojtur nga UNESCO edhe Montecatini Terme.
"Ciklet me afreske padovane ilustrojnë shkëmbimin e rëndësishëm të ideve që ekzistonin midis protagonistëve të botës së shkencës, letërsisë dhe arteve pamore në klimën prehumaniste të Padovës në fillim të shekullit XIV. Artistët treguan aftësi të mëdha në dhënien e formës vizuale të këtyre ideve dhe aftësitë e tyre teknike bënë që ciklet e afreskeve padovane jo vetëm të kthehen në model për të tjerët, por edhe të provojnë se janë shumë të qëndrueshme ndaj kohës”.
Padova çoi në UNESCO propozimin për përfshirjen në listë të cikleve të afreskeve të çmuara të shekullit të katërmbëdhjetë, të ruajtura në tetë ndërtesa dhe komplekset monumentale të qytetit: Chapel Scrovegni, Kisha e Santi Filippo dhe Giacomo në Eremitani, Palazzo della Ragione, Kapelën e Pallatit Carrarese, Pagëzoren e Katedrales, Bazilikën dhe Manastirin e Sant'Antonio, Oratorin e San Giorgio dhe Oratorin e San Michele. Gjatë shekullit të katërmbëdhjetë, disa nga artistët më të jashtëzakonshëm të kohës pikturuan në muret e këtyre vendeve: Giotto, i cili krijoi kryeveprën e tij absolute me afresket e Chapel Scrovegni, Guariento di Arpo, Giusto dè Menabuoi, Altichiero da Zevio, Jacopo Avanzi dhe Jacopo da Verona.
Ndërsa Montecatini me ujërat termale, hyn në listë si pjesë e grupit transnacional "Llixhat e mëdha të Evropës", i cili bashkon 11 qytete të tilla nga shtatë shtete evropiane.
Add new comment