Demonstratat e vitit 1981, moment i riorientimit të politikës së jashtme shqiptare drejt Perëndimit?

Postuar në 16 Qershor, 2021 22:47

Në Prishtinë disa ditë më parë është zhvilluar një konferencë shkencore me temë: Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”- 40-vjetori”, organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me pjesëmarrjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.   

Në këtë konferencë ka mbajtur një kumtesë edhe historiani Pëllumb Xhufi, i cili është në fakt një medievist, por që është shfaqur edhe si intelektual publik për çështje të historisë moderne. Kumtesa e z. Xhufi ka interes të veçantë për tezën që prezanton aty, që mund të mos jetë e re, por që ka peshë për nga kontekstualizimi që i bën politikës së jashtme shqiptare të fundit të regjimit komunist. E thënë shkurt, z. Xhufi mbështet pikëpamjen se qëndrimet ndërkombëtare rreth demonstratave të Kosovës në vitin 1981, e bindën Tiranën zyrtare të kuptonte nevojën e riorientimit të politikës së jashtme drejt Perëndimit, për shkak se Lindja Komuniste qëndroi kundër tyre.

Refleks i këtij riorientimi ishte sipas Xhufit vizita e Shtrausit në Tiranë në vitin 1984 dhe afrimi me Gjermaninë. Kështu kemi një tezë që e rikualifikon në sens patriotik dhe nacionalist politikën e jashtme të Enver Hoxhës, duke sugjeruar se me vdekjen e Titos, raportet me Jugosllavinë u çliruan nga komplekset e së shkuarës. Më poshtë kumtesa që duhet thënë se ka brenda edhe elementin e provokimit të një debati.

ResPublica

***

Pëllumb Xhufi

Në rrethanat kur është ende e vështirë t’i qasesh pa u baltosur historisë më afër nesh, për ngjarjet e mars-prillit 1981 marrin vlerë të posaçme veprat e autorëve nga Kosova, të cilët e kanë disi më të lehtë të zhvishen nga paragjykimet, komplekset e frikërat që mundojnë historiografinë shqiptare të përtej kufirit. Për problemin që diskutojmë sot, do veçoja kontributet e studjuesve Mehmet Hajrizi, Rexhep Qose, Hydajet Hiseni, Ethem Çeku, Sabit Syla, Jakup Krasniqi, Nuri Bexheti etj. Janë emra studjuesish, por edhe protagonistësh të atyre ngjarjeve, që meritojnë respekt e që garantojnë vërtetësi.

Është pohuar e ripohuar tashmë, se ç’prej vitit 1941, çështja e Kosovës, me ngritje e ulje të kuptueshme, ka qenë pjesë e rëndësishme e programit politik të Partisë Komuniste, forcës politike që drejtoi Luftën Antifashiste e më tej shtetin shqiptar, deri në kolapsin e sistemit komunist, në vitin 1990. Gjatë luftës, PKSH e vendosi çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në një shtrat realist, në të vetmin shtrat realist të mundshëm, në atë të luftës kundër fuqive nazifashiste.

Aleatët e kishin vënë atë si parakusht për t’u bërë pjesë e koalicionit të madh antifashist e për të gëzuar, pas luftës, të drejtën e vetvendosjes. Nga ana tjetër, PKSH e shihte të mundshme realizimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në kuadrin e ardhjes në pushtet të forcave të majta në Jugosllavi. Këto, nëpërmjet gojës së Titos, kishin premtuar t’u akordonin popujve të Jugosllavisë pas luftës, mes tyre edhe shqiptarëve, të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje.

Ndërkohë, përvoja e qeverisjes së të djathtës në periudhën midis dy luftrave nuk premtonte asgjë të mirë për Kosovën, dhe jo pa arsye E. Hoxha deklaronte në Labinot, në shtator 1943, se një pushtet i së djathtës serbe të Drazha Mihajlloviçit pas luftës, do të thonte përplasje e pashmangshme me shqiptarët.

Megjithatë, shumë shpejt edhe PKJ tregoi se në raport me shqiptarët nuk kishte ndërmend të ndryshonte gjë nga politikat e vjetra të Beogradit.

Njihen përplasjet që u evidentuan qysh gjatë luftës midis PKSH e PKJ për çështjen e Kosovës. Emblematik është rasti i Konferencës së Bujanit dhe i vendimeve të saj, të cilat, me t’u bërë të njohura, u sulmuan egërsisht nga udhëheqja e PKJ. Ndër akuzat që ju bënë Fadil Hoxhës pas vitit 1981, ishte edhe ajo, se sëbashku me Enver Hoxhën ai kishin organizuar Konferencën e Bujanit pa vënë paraprakisht në dijeni Titon për Proklamatën dhe Rezolutën ku deklarohej e drejta për vetvendosje.

Nga ai moment, çështja e Kosovës u kthye në thembrën e Akilit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Pas Bujanit komunistët shqiptarë u detyruan të heshtin për ca kohë për problemin e Kosovës e, në vitet e para pas çlirimit, të durojnë ndërhyrjet e sjelljet arrogante të jugosllavëve. Megjithatë, qysh në vitin 1946 ka të dhëna se E. Hoxha informonte për to në mënyrë konfidenciale Stalinin. Kështu, përjashtimi i PKJ nga lëvizja komuniste në 1948, u prit me entuziazëm nga Tirana. E. Hoxha i dërgoi atëherë një letër-furtunë Stalinit, ku propozonte organizimin e një revolucioni të brendshëm në Jugosllavi për të rëzuar regjimin e “tradhëtarit” Tito.

Shqiptarët e Kosovës e të viseve të tjera në Jugosllavi do të ishin faktori kyç në realizimin e përmbysjes së regjimit titist, natyrisht me ndihmën nga jashtë. Në përfundim të saj, Hoxha kërkonte që Kosova e Maqedonia Perëndimore, më në fund, të bashkoheshin me Shqipërinë. Letra sot mund të duket një naivitet politik. Por mos harrojmë se ndërhyrje si ajo që Hoxha ëndërronte kundër Jugosllavisë në 1949, BRSS i kreu pak më vonë në Hungari e Çekosllovaki.

Në çdo rast, ky episod tregon se problemi i Kosovës ishte rrënjosur thellë në politikën e shtetit shqiptar. Kosova ishte bërë faktori që përcaktonte në mënyrë vendimtare marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë. Gjithnjë e më shumë në retorikën e drejtuesve shqiptarë ndeshej shprehja e kthyer në aksiomë: “Marrëdhëniet e Tiranës me Beogradin kalojnë nëpërmjet Prishtinës”.

Tirana i qëndroi kësaj aksiome edhe kur Hrushovi, pas riqepjes së miqësisë me Titon, bëri presion mbi udhëheqjen shqiptare për të normalizuar marrëdhëniet me Beogradin. Përkundrazi, ajo vazhdoi të insistojë në polemikën e ndezur me regjimin e Beogradit. Në nivel propagandistik, E. Hoxha vazhdonte ta tregonte me gisht Titon si “revizionist” e “tradhtar të marksizëm-leninizmit”. Por, përtej velaturës ideologjike, diplomatët e huaj në Tiranë, para së gjithash ata sovjetikë, konstatonin se “propaganda luftënxitëse e udhëheqësve shqiptarë kundër Jugosllavisë, zbulon qëllimin e tyre për të shkëputur krahinën autonome të Kosovë-Metohisë nga Jugosllavia”.

Në fakt, vështirë të kuptoheshin ndryshe deklarata si ajo e bërë në vitin 1958 nga Mehmet Shehu gjatë një vizite në Tropojë, të cilën Ambasada sovjetike ia përcillte Moskës si provë të qëndrimeve irredentiste të udhëheqjes shqiptare: “Ne ngremë fort zërin tonë kundër veprimtarisë së egër skllavëruese e të përgjakshme të regjimit të Titos ndaj vëllezërve tanë, dhe ne do ta bëjmë këtë përderi sa vëllezërit tanë në Jugosllavi nuk gëzojnë qoftë edhe të drejtat më elementare që gëzon një pakicë kombëtare qoftë edhe në një shtet borgjez”.

Duhet thënë, se megjithatë politika ndaj Kosovës karakterizohej edhe nga luhatje e dilema përcaktuese. Përvoja e ndërhyrjeve të vazhdueshme jugosllave, duke përdorur edhe elementë shqiptarë, siç ishin ato të organizuara pas thyerjes së vitit 1948 (“Komiteti i Prizrenit”), kishin krijuar dyshimin , se mos territori i Kosovës kthehej nga titistët në një bazë operative për veprimtari subversive kundër Shqipërisë. Nën efektin e këtij dyshimi, që u kthye në një obsesion të vërtetë për autoritetet e Tiranës, shumë të rinj kosovarë që hidheshin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të organeve serbe të sigurisë, u trajtuan e u përndoqën padrejtësisht si agjentë titistë.

Pas prerjes së marrëdhënieve me BS, në 1961, Tirana i ndoqi me vëmendje të shtuar ngjarjet që zhvilloheshin në terrenin kosovar, duke rikonceptuar ndonjëherë edhe qëndrimet e veta. Një vit kthesë në këtë drejtim ishte viti 1968 i demonstratave të para të rinisë kosovare, të cilat Hoxha i përcaktoi si “Prelud i simfonisë patriotike të shqiptarëve të Kosovës”.

Nga ai moment lideri shqiptar, që më herët nuk e shihte me simpati, madje e shihte me dyshim kërkesën e avancimit të statusit të Kosovës në Republikë, fillon e rreshtohet në përkrahje të saj. Në vitin 1981, ai e kishte bërë të vetën kërkesën e rinisë e të popullit të Kosovës, teksa në 17 maj botonte në “Zërin e Popullit” artikullin me titullin kategorik: “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë”.

Po aq domethënëse është edhe kthesa që mori nën shtytjen e ngjarjeve në Kosovë, politika e jashtme e Tiranës. Kjo filloi të riformulohej në varësi të qëndrimeve që vende të veçanta mbanin ndaj zhvillimeve në Kosovë.

Nëse vendet e bllokut komunist, përfshirë edhe Kinën, aleatin e deridjeshëm të Shqipërisë, u rreshtuan në krah të Beogradit, në vende si SHBA, Austri e sidomos në Gjermaninë Federale politika dhe mjetet e informacionit publik morën vendosmërisht anën e popullit të Kosovës. E nga ky moment fillon orientimi i ri i politikës së jashtme shqiptare.

Sinjali i parë iu dha pikërisht Gjermanisë Perëndimore në artikullin e sapo cituar të “ZP”, ku autori, Enver Hoxha, jo pa qëllim vendoste një paralele mes rastit Shqipëri-Kosovës dhe atij të dy Gjermanive: “Ekszistojnë dy Gjermani”, shkruante ai, “por askush nuk dyshon se ekziston vetëm një komb gjerman. E pra, edhe Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje “Shqipëri e vogël” apo “Shqipëri e madhe”.

Sinjali u kuptua drejt në Bonn, dhe pas ndonjë viti Tiranën e shkeli në një vizitë private Franz Joseph Strauss, pikërisht ai që propaganda e Tiranës deri atëherë e kishte etiketuar si ministrin filo-nazist të qeverisë gjermane.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.