Drejt një bote më të prirur për përdorimin e armëve bërthamore

Postuar në 14 Qershor, 2021 21:05

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, arsenali bërthamor në botë është tkurrur. Por vitet e fundit, kjo tendencë rënëse është ngadalësuar. Një raport i hartuar nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen (SIPRI) ka dalë në konkluzionin se më shumë koka raketash bërthamore janë bërë pjesë e operacioneve, pavarësisht nga reduktimi i përgjithshëm i numrit të kokave të regjistruara deri në vitin 2020. Rreth 2.000 koka të tilla mbahen në gatishmëri të lartë.

"Kjo është një prirje e re e rëndësishme, të cilën të gjitha vendet duhet ta shohin si një paralajmërim: duhet të bëjmë vërtet kujdes nga rikthimi i garës bërthamore", i tha studiuesi i SIPRI, Hans Christensen, radios dhe televizionit kombëtar suedez SVT.

Midis vitit 2020 dhe 2021, numri i këtyre raketave në rezervat bërthamore ushtarake u rrit me rreth 300. Këto janë armë bërthamore të vendosura në njësitë operacionale dhe në depot ushtarake.

Shumë të tilla janë aktualisht në gatishmëri në të gjithë botën dhe pjesa më e madhe janë armë ruse dhe amerikane.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i ulën rezervat e tyre të armëve bërthamore duke çmontuar raketat e vjetra në vitin 2020, vlerësohet se të dy vendet kishin rreth 50 koka të tjera bërthamore në orarin operativ në fillim të 2021-shit, sipas SIPRI. Rritja erdhi kryesisht për shkak të raketave balistike me bazë tokësore dhe raketave balistike me bazë nga nëndetëset.

Sidoqoftë, shtatë shtete të tjera që kanë potencial bërthamor po zhvillojnë ose vënë në dispozicion sisteme të reja armësh ose kanë njoftuar se do ta bëjnë një gjë të tillë.

Ndër to janë Britania e Madhe, Kina, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut.

Koreja e Veriut vazhdon të zhvillojë programin e saj ushtarak bërthamor pavarësisht se ka qenë pjesë e dy samiteve të rëndësishme me SHBA-të mbi çarmatimin. Ekspertët që hartuan raportin thonë se mundësia që një vend të përdorë armë bërthamore në luftë është rritur.

"E gjithë kjo tregon se është hapur rruga për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. Ne besojmë se rreziku po rritet. Ne shohim që vendet jo vetëm që po zgjerojnë arsenalin e tyre, por duke modernizuar forcat e tyre ata po i japin një theks më të madh armëve bërthamore në strategjinë e tyre ushtarake", tha Christensen.

Kjo vjen në një kohë kur shumë e krahasojnë situatën aktuale me tensionin e Luftës së Ftohtë. Arsenalet totale të nëntë vendeve me armë bërthamore (SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Kina, India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut) vlerësohen në fillim të vitit 2021 në 13 080 raketa bërthamore, raporton Sputnik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.