Vjen në shqip Bibla e përkthyer nga origjinali hebraisht
Një përkthim i plotë i Biblës nga gjuhët origjinale, në një libër ku do të përfshihen së bashku Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re do të vijë gjatë 2020 për lexuesin shqiptar. Projekti, një nismë e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale Shqiptare është një punë e filluar që në vitin 2000 dhe që tashmë është në hapat e fundit.
Përkthimi i Dhjatës së Re nga greqishtja e vjetër është një punë, e cila zgjati shtatë vjet dhe për të punoi një grup prej tre përkthyesish me përgatitje teologjike: at Joan Lena, i cili është prift orthodoks, at Marian Paloka, i cili është prift katolik dhe pastor Zefjan Nikolla.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë, Altin Hysi, thotë se:
Teksti bazë, për Dhjatën e Re është ajo që ne e njohim si Dhjata e Re, Nestle/Aland, janë emrat e dy personave, të cilët bashkë me një grup pune mblodhën dorëshkrime të ndryshme të Dhjatës së Re në greqishten e vjetër dhe arritën të përpunojnë një tekst bazë. Sepse ka me qindra dorëshkrime të Dhjatës së Re, dhe në këtë kuptim ata nxorën një tekst bazë të cilin ne e kemi përpunuar. Është një botim i nxjerrë nga Shoqëria Biblike Gjermane. Sigurisht që botimi është në origjinal, në greqisht dhe ky është teksti bazë.
Ndërsa për përkthimin e Dhjatës së vjetër nga origjinali në hebraisht kanë punuar At Joan Lena, at Marian Paloka dhe Oldi Morava, një teolog i specializuar në Angli.
Altin Hysi: E gjitha kjo pjesë, puna dhjetëvjeçare e përkthimit nga hebraishtja, ka qenë një punë shumë e lodhshme, por edhe shumë sfiduese për përkthyesit, të cilët ia kanë dalë. Ne tani jemi në korrigjimin në pjesët e fundit të korrektimit të tekstit. Një gjë tjetër që është e veçantë në punën tonë në përkthimin e Dhjatës së Vjetër është fakti se ajo për herë të parë vjen në shqip e përkthyer nga Origjinali. Deri më sot ne nuk kemi një përkthim të plotë të Dhjatës së Vjetër të përkthyer nga Origjinali.
Tekstet bazë ku është bazuar përkthimi kanë shumë rëndësi dhe Hysi shpjegon se edhe për Dhjatën e Vjetër, ata kanë zgjedhur tekst të njohur dhe të botuar nga Shoqata Biblike Gjermane.
Altin Hysi: Origjinali i Dhjatës së Vjetër, edhe ky është sjellë nga Shoqëria Biblike Gjermane duke u bazuar në Dorëshkrimin e Leningradit ose siç njihet sot i Shën Petërburgut. Shoqëria Biblike Gjermane mori manuskriptin e Shën Petërburgut dhe e nxori si një botim, i cili njihet sot si Bibla Hebraika Studgardensia. Bible hebraika bibla hebraisht, Studgardensia, sepse Shoqëria Biblike Gjermane gjendet në Shtutgart.
Sipas Hysit, përkthimi i plotë i Biblës është padyshim një ndërmarrje e vështirë, sidomos përsa i përket punës me Dhjatën e vjetër, për shkak edhe të vjetërsisë së tekstit, megjithatë ai beson se ia kanë dalë të sjellin një tekst 2000 vjeçar, që nuk është tekst i vdekur, por që kuptohet më së miri nga lexuesit.
TemATv
Add new comment