Skandali në Ministrinë e Jashtme/Njoftim ambasadave: Gent Cakaj është ministër me kompetenca të plota
Skandali që po konsumohet me Ministrinë e Jashtme dhe për Evropën nuk ka precedent dhe ai i shkon për shtat vetëm një njeriu si Edi Rama.
Zoti Rama është ministër i Jashtëm me dekret presidencial dhe një fakt i tillë është reflektuar në faqen online të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ku z. Rama figuron si titullar. Ditën e parë të marrjes së detyrës, z. Rama tha vetëm dy fjali:
Unë i nënshkruari Edi Rama, në funksionin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, i delegoj zotit Gent Cakaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, detyrën e drejtimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësimit të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, brenda dhe jashtë vendit
A e ka zoti Rama këtë tagër? A mund të delegohet përfaqësimi jashtë vendit i ministrit të Jashtëm? Ky është një diskutim që po bëhet në media dhe për të kanë folur edhe ekspertë të fushës. Ka arsye dhe rrethana pse bëhet delegimi. Ai është i përkohshëm dhe nuk mund të jetë i përhershëm. Përndryshe zoti kryeministër të kishte zgjedhur një kandidaturë tjetër. Mesa duket zoti Gent Cakaj është projektuar se do të jetë ministër i Jashtëm me fuqi të plota në momentin kur për situatën e krijuar mes kryeminstrit dhe Presidentit do të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Por situata në fjalë mbingarkohet edhe nga një sjellje prej kalamau delirant të z. Cakaj. Edhe sot që flasim, në faqen online të Ministrisë së Jashtme, nuk figuron asnjë CV, as edhe foto personale për këtë person. Në rubrikën “Zëvendësministrat” janë publikuar të dhënat për dy zv.ministrat Artemis Dralo dhe Etjen Xhafaj dhe krahas tyre vihet një emër, Gent Cakaj, pa asnjë të dhënë.
Cila është arsyeja që ky njeri që ka marrë attribute përfaqësimi nuk publikon asnjë të dhënë për veten e vet? Çfarë bën në këtë rast ministri i dekretuar, Edi Rama, që toleron këtë lloj anashkalimi? Kush është Gent Cakaj zoti Rama? Ke detyrimin e një përgjigjeje ti që flet për ligj, shtet dhe Kushtetutë.
Nuk i intereson kujt gazmendi i kryeministrit për leximet e Gent Cakajt, sepse rregullat vlejnë për të gjithë. Ndoshta zoti Cakaj nuk do të vendosë aty cv e vetes si zv.ministër, por vetëm si ministër. Por çfarë kuptimi dhe ligjshmërie ka e gjitha kjo?
Por ka edhe më. Në një letër zyrtare që Ministria e Jashtme u dërgon përfaqësive diplomatike njofton përbërjen e re të kabinetit qeverisës me një poshtëshënim ku sqarohet se Gent Cakaj është në fakt ministri i ri.
thuhet ndër të tjera në këtë shkresë që i është dërguar ResPublica nga një prej përfaqësive tona jashtë vendit, e cila shpreh shqetësimin se ekziston rreziku që takimet zyrtare të parashikuara në nivel ministrash të mos realizohen për shkak të kësaj shakaje të paparashikuar të Shqipërisë anormale të Edi Ramës. Nuk ka në asnjë rrethanë delegim të kompetencave të plota të ministrit te zv.ministri dhe kjo që po ndodh përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Nuk ka ndodhur deri më sot që një zv.ministër/ministër të mos i prezantohet publikut. CV zyrtare ka edhe drejtori i Shërbimit Informativ që ka punë më delikate sesa ky spurdhjaku që i ngeci në derë Shqipërisë e me të cilin po tallin një vend të tërë. Do të mjaftonte qoftë edhe kjo sjellje publike e tij për të vlerësuar se ai nuk është aty në përputhje me interesin e qytetarëve të Shqipërisë. Kaq është minimalja për të thënë në këtë rast.
Add new comment