Abetare sa s'të dua...
Ndoshta koha kur do të pushojmë së foluri për cilësinë e teksteve në shkollat tona do të jetë e largët. Ato vijnë në vëmendje sipas rrethanave familjare dhe të vrasin syrin, apo të prishin rendin e kujtesës së fëmijërisë, kur abetaret ishin më pranë botës së fëmijëve për t’ja lënë politikën një kohe më të shtyrë. Sigurisht që ata që i publikojnë do të mbrohen me emrat e rëndë të autorëve, si në rastin e Abetares së publikuar nga shtëpitë botuese “Pegi” dhe “Dukagjini, ku figurojnë emra si Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj apo Islam Krasniqi dhe si redaktorë shkencorë Rami Memushaj dhe Ymer Çiraku. Por këto në vend se të ulin traun e dyshimeve e bëjnë atë edhe më formal nga sa është.
P.sh syri të kap një pjesëz për gërmën B. Për ilusitrim është sjellë diçka që nuk e kemi dëgjuar më parë: Burrë Bore.
Më parë mësonim për Njeriun prej Bore, apo Plakun prej Bore. Tani fëmijëve u flitet pa nënkuptime. Gjinia e Njeriut prej Bore është mashkullore. Madje i moshës së mesme.
Babi i vuri karotën për hundë
Me aq filma vizatimorë që kanë parë fëmijët e moshës 6-7 vjeç e dinë që atij tipit prej Bore i vihet një karrotë për hundë. Por a e bën kjo Burrë Bore? Ku është karrota që e bën Burrë? Ja le të na përgjigjet profesor Shezaiu për këtë, ndërkohë që ne lexojmë fjalinë më poshtë:
Sa i bukur u bë ai!
Për germën G është menduar si zgjidhje më e lehtë persekutimi i kahmotshëm i gomarit. Këtë gërmë fëmijët e ngulisin në kokë duke mësuar diçka edhe për statusin e ulët klasor të gomarit në botën e kafshëve. Gomari vuri njëherë një maskë sepse do shkonte në festën e kafshëve. Askush nuk e njohu dhe gomari u gëzua. Nga gëzimi gomari niste të pëlliste: ia-ia-ia.
Kafshët shtangën dhe mbetën gojëhapur. Ata e kuptuan se pas maskës fshihej gomari. Filluan të qeshin dhe ta ngacmonin
Me këtë fjali mbyllet përralla. Çfarë imagjinate ngacmon kjo tallje e gomarit? Tani që jemi rritur ne kuptojmë mirë se ata që na kanë përgatitur abetaret janë fshatarë në origjinë, pasi në fshatin shqiptar gomari përgojohet rregullisht si kafshë pa tru. Madje edhe sharja –gomar – vjen pikërisht nga zonat rurale, ndërkohë që në qytet – këto që kemi – sharja gomar është zëvendësuar me Fshatar. Nuk është çudi që të evolohet – në dritën edhe të plagjaturave që po zbulohen së fundmi – drejt sharjes: ik o profesor! Duke i krijuar kështu gomarit mundësinë që të zgërdhihet përveçse të pëllasë.
A kanë të drejtë kafshët ta ngacmojnë gomarin?
Kjo pyetje është mu në mes të faqes dhe mesa duket është përgatitur për fëmijë çamarrokë.
Krahaso kalin me gomarin-, një tjetër rubrikë, ndërkohë që Kali është i germës K dhe vjen pas gomarit. Ku ta dijë fëmija atëherë dallimin mes të dyve? Me siguri profesorët kanë menduar të nxisin arsyetimin deduktiv; meqë gomari qenka kaq keq, patjetër që kali është më mirë. Në fund shakaja më e bukur: Imitoni zërat e kafshëve; duke nisur nga kali, lopa, gomari, delja, ujku, macja, qeni dhe…ariu.
Imagjinoni tani në klasat e para të mbushura me 40 vogëlushë që pëllasin duke qeshur. Këto patjetër që hyjnë tek aftësitë konjitive. Të mësojmë fëmijët të njohin kafshët dhe të dallojnë kush janë të Mira dhe kush të Këqija. Po Ariu si bën? Patjetër që ky është nga ato ushtrimet me yll që na sfidonin kur ishim të vegjël. Nëse një fëmijë ka parë Balunë, do thotë se ariu bën si Baluja, nëse një fëmijë tjetër nuk e ka parë nuk do ta dijë dhe aty për aty mund t’i thotë mësueses se shoku që sjell versionin e Balusë është një gomar. Ja kështu kapet vetiu edhe se çfarë ka dashur të thotë autori për gomarin.
Germa Ç është ilustruar me Palaçon. Që vihet në lojë nga një shitëse pse blen këpucë me ngjyra të ndryshme. Palaçoja është edhe çalaman, sepse germa ç duhet që të përdoret në mëyrë aliterative për ta ngulitur në kujtesën e fëmijëve sesi shkruhet. Si ta dallojmë se kur shkruhet me ç dhe jo? Na e mëson abetarja e cila bën pa kuptuar dallime stigmatizuese mes të folmeve gege dhe toske.
Qarko fjalën e shkruar saktë:
Çen Qen/Qershi Çershi
Mirëpo nëse ka fëmijë nga zona dialektore gege që përdorin në të folur ç-në? Dhe duke menduar me të folur vendos si të saktë variantin e tij? Le të imagjinojmë “gjyqin kolektiv” të fëmijëve që e tallin: iiiiii, ai thotë çen dhe jo qen. Ngjitur kemi edhe shpëtimin: Luani në role bisedën e palaços me shitësen.
Abetarja nuk vonon të përcjellë dhe mësimet politike që mjaftohen me fabulën e Skënderbeut me thuprat dhe Gjinin, apo me mësimin: Pyet prindërit për Nënë Terezën. Kjo kur shkojmë te germa Z. Dhe pasi fëmija ka dëgjuar për Nënë Terezën duhet patjetër ta dojë atë, të ndihet krenar për të. Fjalitë që i lihen fëmijës të plotësojë janë të detyrueshme si pozitive. Pohimet e detyrueshme heqin mundësinë e zgjedhjes, kanë ngarkesë te fëmija i cili do të shkruajë thatë se “jam krenar" sepse…kështu ka menduar Shezai Rrokaj me shokët e vet.
Kush ka fëmijë mundet ta vërë re fare lehtë se ata bëjnë pyetje shumë më të bukura, shumë më të zgjuara sesa ato që mund të rrjedhin nga ky burg logjik dhe emocional që është abetarja. Nga kjo kullë pa dritare që vazhdon prej dekadash të mos ajroset, që të mos e lërë diellin të hyjë, por muros imagjinatën e fëmijëve në grafitet e veta nallbane dhe me një nacionalizëm primitiv. Fëmijët do t’i mësojnë germat, do këndojnë xhamadanin dhe himnin. Por formalisht, sa për të rendur pas mësueses, sepse asgjë prej tyre nuk është e botës së fëmijëve. Do të zënë ato një qoshe në kujtesë, do të zaptojnë dy neurone të xanuna si e si për t’u kujtuar arsyet se pse ata përpara tyre ikën nga ky vend.
Add new comment