Kërkimi i thesarit të Kotzias
Ardit Bido tregon se ku shkuan fondet sekrete të Greqisë në Shqipëri
Këtë titull që njofton diçka shumë serioze e lexon te faqja www.opinion.al, vitrinë e emisionit me të njëjtin emër në Tv Klan. Personi që referohet këtu është Drejtor i Arkivës së Shtetit, i cili pavarësisht statusit të vet shfaqet në debate televizive dhe jep mendime dhe ngre hipoteza për çështje që më së paku kërkojnë informacion të dorës së parë. Duket se z. Bido në këtë debat përfaqëson vetëm veten, ai harron që është edhe drejtor i Arkivës, duke hedhur për diskutim analiza të tipit se Manastiri i Këlcyrës është ndërtuar nga paratë greke, njësoj si varrezat e Bularatit.
Por le t’i ikim kësaj lajthitjeje kaq të zakonshme për Shqipërinë dhe të shohim më tutje në këtë gjullurdi diskutimesh. Në të njëjtin emision, ish-ministri Paskal Milo, thotë se fondet greke nuk do të identifikohen kurrë. Pra se ku kanë shkuar paratë. Ndoshta zoti Milo e di mirë këtë punë sepse dikur ka qenë vetë në krye të Ministrisë së Jashtme, por brenda suazës së debatit, mund të shtrohet pyetja: nëse flet për anën proceduriale, ku qëndron kontributi në debatin që po zhvillohet?
Sepse në fund të fundit, të gjithë po presim që të sqarohemi për dy gjëra: a është e vërtetë që Greqia ka financuar në rrugë sekrete media dhe gazetarë shqiptarë? Dhe së dyti: kush janë këta/o konkretisht?
Pa hulumtuar këto dy çështje debati thjesht sa vritet duke shtuar turbullirën.
Drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, kishte thirrur në lidhje edhe një gazetar shqiptar që jeton e punon në Greqi, Robert Goro. Ky i fundit ka thënë se lista e qarkulluar në mediat shqiptare, me burim një portal të caktuar, i është referuar një medieje greke, por ajo sipas tij nuk është publikuar aty. Pra kemi të bëjmë me një spekullim mbi spekullimin fillestar. Në tesktin e lajmit, “Opinion”:
Gazetari tregoi se listën nuk do ta marrim vesh kurrë, pasi ajo disponohet vetëm nga ministri dhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij
Nëse është kështu, cili është thelbi i këtij diskutimi që shtrohet me kaq bujë në studio e një televizioni kombëtar? Këtu ngjan se kemi të bëjmë me një dëshirë të drejtuesve për të kënaqur audiencën, por edhe kureshtjen, e ngashme me ato hamendësimet e famshme pas pseudonimeve të dosjeve të SIgurimit të Shtetit.
Panorama e debatit shqip për këtë çështje plotësohet nga një tjetër televizion kombëtar, Top-Channel. Edhe ky me debat kryesor këtë temë. Surprizat nuk kanë të sosur me gazetarët shqiptarë. Kështu nëse Goro thotë se lista njhet vetëm nga ministri dhe dy bashkëpunëtorë të tij, kolegu i tij, që edhe ai jeton e punon në Greqi, Artur Bibe, thotë krejt të kundërtën.
Lista ka kode dhe iniciale. Unë e kam parë këtë listë bashkë me kolegët grekë. Urdhri i prokurorisë greke, na detyron të mos flasim më shumë
ka thënë ai për emisionin “Top-Show”.
Nëse do bëjmë një deduksion të shpejtë, atëherë do na duhet të themi se Robert Goro i Klanit, nuk është i informuar mirë, pasi listën në fjalë, e njëh Kotzias, dy bashkëpunëtorë të tij dhe Artur Bibe i Topit. Po përjashtojmë këtu që Bibe të jetë bashkëpunëtor i Kotzias, pasi edhe nëse i referohemi një raportimi të tij nga takimi i Kretës muaj më parë, gazetari në fjalë arriti të raportonte për Top-Channel menunë e dy ministrave dhe të tregonte kolltuqet ku ishin ulur, por jo ndonjë gjë më shumë. Kush nuk beson le të shohë kronikën. Një bashkëpunëtor i Kotzias, një ministër që përherë ka luajtur me mediat, do të sillte diçka më shumë. Pra Bibe këtu ndoshta autosugjestionon veten se ka parë ndonjë listë që deri më sot nuk e njeh as Pavlopoulos, presidenti grek.
Duket se të dy bulldogët e medias shqiptare kanë dështuar në zbardhjen e ndonjë gjëje me të vërtetë me vlerë. Nëse do të shprehemi thjesht: Tv Klan dhe Top-Channel janë marrë me llafe dhe për këtë ndihma e kolegëve të tyre të ftuar ka qenë e pakursyer, e natyrshme.
Kjo edhe sepse çështja në fjalë është shumë serioze sa për të besuar se atë mund ta zbardhin mediat shqiptare. Këtë duhet ta themi. Studiot në fjalë, që prej muajsh e vitesh qarkullojnë të njëjtat fytyra, në vend se të evidentonin ndonjë informacion, thjesht afirmohen si maja e hierarkisë së zhurmës. Zhurmës që nuk dihet se kujt i intereson sot që flasim.
Dikush u përpoq që të bëjë pis disa gazetarë, duke akuzuar se ata marrin para nga Greqia. Me lista dhe emra. Problemi është se kjo nuk është kaq e thjeshtë. Sepse këta që akuzohen marrin boll para edhe nga paguesit zyrtarë, pra në mediat ku punojnë, pa folur që kanë vite që paguhen mirë. Dhe nuk është e thjeshtë, edhe sepse një akuzë në hava, mundet të jetë duke mbuluar diçka tjetër, ndërkohë që pasarelat mediatike të tipit “Fevziu” – Dudushi, thjesht dhe vetëm sa, dyshimin dhe nevojë për të kuptuar, e transformojnë me paaftësinë, vanitetin dhe “shqetësimin”patriotik të tyre, në certifikatë nacionaliste. Po na sulmohet filani dhe fisteku, ndaj zhurma është mjeti më i mirë për të vulosur çdo gjë. Po flitet për një temë, ndaj duhet të themi edhe Ne një fjalë.
Nuk përjashtohet që nga pas të qëndrojë edhe ndonjë lojë pushteti, sidomos nisur nga fakti se vëmendja po përqendrohet te mediat online, portalet, armiqtë e rinj të tij.
Paratë nga Greqia janë një lëndë e parë debati për të bërë pis një kategori dhe këtu ka vullnetarë plot: që nga drejtori i Arkivit e deri te lloj - lloj gazetarësh nga këta që natë për natë paralajmërojnë skandale, vrasje, apo që flasin me garanci për dosje të ndjeshme. Në fakt kjo nuk është gazetari. Kjo është breshëri e politikës dhe këtu edhe moderatorët e famshëm, nga të cilët, të paktën nisur nga rrogat e përfolura shpresohet se do të bëjnë vezën e kuqe, nuk po bëjnë detyrën e tyre. Ata janë thjesht një spektator më shumë në këtë tym dhe vorbull që krijohet qëllimisht. Nëse do të ecim përmes tyre apo sipas tyre, do na mjaftonte që të shohim pasuritë e njërit apo tjetrit për të filluar e ngacmuar veten me pyetjen: nga vijnë xhanëm këto para për të mbajtur gjallë këtë infrastrukturë të zhurmimit?
Add new comment