AKU: Midhja e Butrintit është me salmonelë. Mos e konsumoni!

Postuar në 29 Prill, 2018 13:21

Fenomeni i derdhjes së ujërave të zeza të Sarandës dhe rrethinave në Kanalin e Çukës vijon të mbetet shqetësues, ndërsa ka ndikuar në “infektimin” e midhjeve që kultivohen në liqenin e Butrintit.

Bashkë me ujin e Bistricës, ato përfundojnë në det. Kjo situatë mbetet e njëjtë që nga funddhjetori i vitit të kaluar. Problem shqetësues dhe kryesor, i pazgjidhur për vite e vite me radhë, është tubacioni i linjës furnizuese të impiantit të përpunimit të ujërave të zeza.

Ky është investim i nisur në vitin 2007, punimet e të cilit kanë përfunduar në vitin 2013, por që ende nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia Sarandë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve për shkak të problemeve të herëpashershme të shfaqura gjatë këtyre viteve. Sipas informacioneve nga Ujësjellësi i Sarandës, tubacioni kryesor është jashtë standardit dhe për rrjedhojë çahet shpeshherë.

Çarja e fundit ka bërë që ujërat e zeza, përveçse derdhen te Kanali i Çukës dhe nga këtu në det, degëzimi tjetër derdhet në Liqenin e Butrintit, duke rrezikuar seriozisht kultivimin e midhjeve. Sipas analizave të fundit të AKU, ato dalin me alert E. Coli, Salmonella, analiza këto të kryera në kuadër të PKM Molusqe, në 19 prill 2018.

Situata e krijuar përkthehet në atë që midhja në liqenin e Butrintit është e ngarkuar me baktere dhe se konsumimi i saj bëhet vetëm në rastet kur kultivues të tyre para se ta tregtojnë atë, duhet ta çojnë për ta deporuar atë, gjë të cilën nuk e bëjnë të gjithë.

Atëherë, kjo midhje e ngarkuar me bakterin E.coli është e rrezikshme për konsumatorin, veçanërisht për ata që e marrin atë nga tregtarë të rrugës dhe me bidonë, që të tillë në Sarandë gjen me shumicë.

“Bazuar në urdhrin nr. 24 datë 30.01.2013 ‘Për unifikimin e procedurave, metodave dhe dokumentacionit të funksionimit të laboratorëve’, ju informojmë se gjatë analizimit mikrobiologjik të kampionit molusk bivalv i gjallë (M.galloprovincialis), analizuar më datë 19.04.2018, u konstatuan nivele mbi normë me E.coli. Kampioni u analizua në kuadër të treguesit të higjienës dhe sigurisë (E.coli, Salmonella spp.), ndërsa analizat janë kryer në kuadër të PKM Molusqe”, shprehen ISUV në fletën përcjellëse dërguar AKU, Sarandë. Pas kësaj, AKU e Sarandës ka vënë në dijeni subjektet (restorante etj.), të mos i pranojnë pa kaluar nga stacioni i deporimit dhe vetë midhja të tregtohet e shoqëruar me fletë përcjellëse. Në vitin 2007 u bë përurimi i fillimit të punimeve të Impiantit të Ujërave të Zeza, pozicionuar në fshatin Çukë. 4 milionë dollarë ka qenë financimi që Banka Botërore dhe Banka Europiane për Zhvillim kanë dhënë për ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza.

Tenderin për ndërtimin e impiantit e fitoi atëherë një firmë italiane, ndërkohë që kontraktor është një firmë nga Fieri. Kur u bë përurimi i nisjes së punimeve, u tha se Impianti i Ujërave të Zeza do të ketë një funksion bazë dhe se pas përpunimit komplet të ujërave të zeza, në këtë impiant uji do të kthehej përsëri në kanalin e Çukës, i pastër 95 për qind.

Panorama(http://www.panorama.com.al/aku-jep-alarmin-midhja-e-butrintit-eshte-me-salmonele-ja-urdhri-per-restorantet-e-bizneset/)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.