Edhe SHBA pritet të dëbojë diplomatë rusë për çështjen "Skripal". Mbetet vetëm Shqipëria...
Pas Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të BE-së, edhe SHBA po mendon të marrë masa të forta ndaj diplomatëve rusë për shkak të çështjes “Skripal”. “Bloomberg” raporton se edhe administrata amerikane e Presidentit Donald Trump po konsideron dëbimin e diplomatëve rusë që shërbejnë në selinë diplomatike në SHBA.
Trump ra dakord me rekomandimin e këshilltarëve dhe dëbimet ka gjasë të njoftohen të hënën
citon “Bloomberg” dy persona nga Shtëpia e Bardhë ndonëse shton se “vendimi i Trump mund të mos jetë final”.
Skenari që u sugjeron lexuesve media në fjalë është ai sipas të cilit, diplomatët do të deklarohen si spiunë të kamufluar që ushtrojnë aktivitete ilegale nën mbulimin e stafit të ambasadës. Trump e ka diskutuar këtë çështje me ambasadorin e SHBA në Rusi, Jon Huntsman, sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, sekretarin për Tregëtinë, Wilbur Ross, Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions, sekretarin e Mbrojtjes James Mattis, drejtorin e Shërbimeve Inteligjente Kombëtare, Dan Coats dhe këshilltarin në ikje H.R McMaster.
Situata që po zhvillohet pas vdekjes së ish-agjentit rus, Sergei Skripal, si pasojë e ekspozimit në Angli, ndaj agjentit nervor Novichok, ka bashkuar deri diku të gjithë Perëndimin. Media të ndryshme kanë shkruajtur se vdekja e Skripal është sulmi i parë me armë kimike në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Rusia nga ana e vet ka deklaruar se dëshiron të jetë pjesë e hetimeve dhe dje një prej zyrtarëve të saj u shpreh se agjenti nervor në fjalë nuk është në posedim të Rusisë dhe as është prodhuar në Bashkimin Sovjetik.
Bashkimi Europian ka përkrahuar Britaninë e Madhe në këtë çështje dhe në këyë kuadër Këshilli i Europës ka thirrur për konsultime ambasadorin e vet në Rusi, Markus Ederer.
Po kështu, vende si Republika Çeke, Estonia, Letonia dhe Irlanda kanë bërë të ditur se po konsiderojnë dëbimin e diplomatëve rusë njësoj si Londra.
Po Shqipëria çfarë do bëjë?
E pyetur nga ResPublica, këshilltarja për mediat e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, tha se nuk ka ndonjë vendim për këtë çështje. Pyetja për Shqipërinë shtrohet pasi disa ditë më parë, Ministria e Jashtme deklaroi se njihte Rusinë si përgjegjëse për atë që e quajti sulm kimik në Britani, çka edhe solli një reagim sarkastik nga ambasada ruse në Tiranë.
Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk lë rast në mediat ndërkombëtare pa folur për rrezikun rus në Shqipëri, edhe pse një gjë e tillë është teorike dhe e paprovuar ende. Në këto kushte një reagim i Tiranës zyrtare ështyë i pritshëm, përderisa qoftë për rezolutën për Iranin, qoftë për çështjen “Skripal”, Tirana zyrtare është justifikuar se ndjek politikat e BE-së.
Add new comment