Ish-komandanti i F. Detare: Privatizimi i Bishtpallës, arsyeja e largimit tim dhe të Meçollarit. Dhe një emër i lakuar në atë kohë
Debati i fundit për marrëveshjen e detit me Greqinë ka hapur një debat dhe për një prej negociatorëve, Artur Meçollari. Ndërkohë përfaqësues të opozitës po mbrojnë marrëveshjen e vitit 2009, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Lidhur me dinamikën e këtyre ngjarjeve, flet për ResPublica, ish-Komandanti i Forcës Detare, Kudret Çela. Ai sqaron edhe arsyet e largimit nga detyra në vitin 2012 edhe të z. Meçollari që sipas tij lidhen thjesht dhe vetëm me lakminë për pronat e ushtrisë.
ResPublica: Z. Çela kur jeni informuar për marrëveshjen e detit me Greqinë?
Në vitin 2009 u riktheva përsëri si komandant i Forcës Detare dhe u njoha për çështjen e marrëveshjes së detit pasi doli në media. Në aspektin professional shikoja që kishte shumë probleme. Këtë e kam diskutuar edhe me vartësit e mi, mes të cilëve ka qenë edhe z. Artur Meçollari, emri i të cilit sot po lakohet dhe diskutohet në media dhe nga politika.
ResPublica: Cilat ishin këto probleme?
Ishin probleme profesionale, të metodikës, por edhe probleme që ishin përcaktuar jo drejt edhe në emërtimin e kësaj marrëveshjeje. Pra flitej për një çështje dhe përcaktoheshin tri të tjera në marrëveshje, çka është në mënyrë kategorike e jashtëligjshme. Në atë kohë kam dhënë mendimin që kjo marrëveshje mund të bëhet midis dy palëve nëse ato bien dakord. Në të kundërt mbetej rruga e gjykatave ndërkombëtare.
ResPublica: Cili ishte problemi konkret që keni referuar në rrugë zyrtare?
Problemi konkret nisi qëkur u shfuqizua ligji për kufirin. Një vit përpara qeveria ndryshoi ligjin në të cilin përcaktohej edhe vija bregdetare. E lanë këtë vend pa vijë bregdetare të përcaktuar ligjërisht. Kërkuam në atë kohë se për cilën arsye u ndërmorr kjo masë dhe se kush e kishte bërë propozimin, por nuk morëm asnjëherë përgjigje, as nga Ministria e Brendshme dhe as nga Ministria e Jashtme. U bë një fakt i kryer dhe vendi mbeti pa vijë bazë. Vija bazë është ajo mbi të cilën bëhen të githa matjet.
Problem tjetër konkret është vlera që iu dha Barketës si pjesë e tokës greke. Duke lënë një shkëmb që dallohet vetëm në ndryshimin baticë-zbaticë me vlerën e një toke kontinent. Këto ishin gabime që mandej reflektojnë edhe në ndryshimin e koordinatave që hidhen në hartë.
ResPublica: Ka patur nga ana e Forcës Detare një raport zyrtar rishikues apo rivlerësues për këtë marrëveshje?
Në korrik të viti 2011, me urdhër të kryeministrit të atëhershëm, z. Sali Berisha, u ngri ngrit një grupe negociator përsëri për marrëveshjen e detit. Ky grup u mblodh disa herë, u kërkuan disa materiale. Unë i kam çuar një studim ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, z. Gazmend Turdiu, por duke qenë se unë u lirova shpejt, pas meje mori pjesë në një mbledhje tjetër, z. Meçollari. Ky grup nuk ka funksionuar më tej, për arsye që nuk i di sepse unë më 5 janar të vitit 2012 kam dorëzuar detyrën. Si duket nuk e panë të arsyeshme të mblidhen më dhe mbeti pezull nisma.
ResPublica: Lidhur me krijimin e këtij grupi, keni dijeni nëse pala greke kishte rënë dakord për rinegociimin e marrëveshjes së rrëzuar, apo ishte më shumë një mbledhje mendimesh?
Ishte një urdhër i kryeministrit. Ne nuk kishim informacione pse u krijua grupi, pasi kjo ishte pjesë e politikës dhe nuk na u tha nëse kishte ndonjë dakordësi paraprake për ndonjë problem apo ndonjë tjetër.
ResPublica: Ju keni referuar vërejtjet tuaja për marrëveshjen e parë?
Për marrëveshjen e parë ne kemi dërguar një material studimor që është 140 faqe ku ishin problematikat, dokumentet e shtetit shqiptar si dhe referenca të konventave ndërkombvëtare që argumentonin shkeljet e bëra me marrëveshjen e parë. Mu kërkua të bëja një paraqitje të studimit(briefing) para Grupit Negociator, por për shkak se u largova, detyrën ia ngarkova zëvendësit tim, Artur Meçollari.
ResPublica: Cila është sipas jush shkelja kryesore që është bërë nga negociatorët e marrëveshjes së parë? Ose cila është zanafilla e gabimit për atë marrëveshje?
Pa u marrë me anën teknike të çështjes, unë mund të them që shfuqizimi i ligjit për kufirin dhe për rrjedhojë edhe i vijës bazë – në vitin 2008 – përbën problemin fillestar të kësaj marrvëshjeje. Që ta kuptojnë të gjithë, pa vijën bazë, matjet në gjiun e Sarandës do të nisnin nga vija e ujit në hotel “Butrinti” dhe jo në mbyllje të tij.
ResPublica: Ku mbyllet gjiu i Sarandës?
Gjiu i Sarandës mbyllet që nga baza detare në gjiun Limjonit dhe deri në pjesë përballë Barketës. Këtu duhet theksuar një karakteristikë që ka rëndësi e që lidhet me bregun grek. Përballë gjiut të Sarandës kemi gjiun e Korfuzit. Pala greke nuk ka ligj që sanksionon vijën bazë, por bën matje përmes konfiguracionit të bregdetit të vet. Ndërkohë në marrëveshjen e vitit 2009, u përdor vija bazë për matje.
ResPublica: Në bazë të kujt ligji?
Të asnjë ligji. Ky është një nga defektet e ekipit tonë negociator. Nëse do të zbatohej vetë ligji i shtetit grek, ne do të ishim futur më thellë në hapësirë. Pra ka patur një negociatë shumë të pabarabartë edhe në metodikë.
Edhe për ishujt në veri të Korfuzit u është dhënë vlera e njëjtë me kontinentin dhe ka dhënë edhe ajo efektin e vet. Ne ndajmë 12 milje nisur nga vija bazë na vjen që nga Gjiu i Gramës në jug të Karaburunit. Më në jug distanca është me ngushtë dhe nuk mund të bëhet ndarja e detiti territorial me 12 milje.
ResPublica: Çfarë informacioni keni për marrëvehjen e re që po negociohet aktualisht?
Unë mendoj se ajo është nisur me këmbën e mbarë, për vetë faktin se ne kemi një bazë ligjore që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Grupi i ri negociator është i detyruar të zbatojë të gjitha pikat e vendosura nga Gjykata, sepse ato janë vija e kuqe. Ky është avantazh i madh edhe për faktin se kemi të bëjmë me një mësim që nxorëm nga përvoja e parë.
E dyta, unë mendoj se edhe personeli që është përzgjedhur ka integritet. Dhe këtu flas edhe për z. Meçollari që është një ndër specialistët më të mirë të Forcës Detare. Jam i bindur se në të gjitha rethanat ai do të tregojë aftësitë e tij profesionale. Po ashtu edhe z. Arsen Mullai, shef i Shtabit të Forcës Detare që është pjesë e grupit.
ResPublica: Për z. Meçollari ka akuza të rënda së fundmi nga politika. Flitet madje edhe për materiale kompromentuese në dosjen e tij. Keni ju dijeni dhe cili është mendimi juaj për këo akuza?
Këto mua më duken alibi ose një trillim që bëhet. Nuk mbahen gjëra të tilla në dosje personeli. Po të ketë probleme të tilla ka një drejtori tjetër që mban dokumentacionin përkatës.
E dyta, vetë termi që përdor ish-presidenti dhe ish-kryeministri, pra termi “Spiun”, mua më duket një term i vjetëruar i një sistemi tjetër që tregon edhe një mentalitet të caktuar. Më kujtohet filmi shqiptar “Lulëkuqe mbi mure”, “spiun…spiun” – në atë kohë. Tani i bie të jetë “Myshku mbi mur”. Këtu ka edhe një çështje ligjore, pasi titullimi si “Spiun” përbën akuzë të rëndë dhe tjetri ka të drejtën e padisë pasi cenohet integriteti.
ResPublica: Cila është arsyeja e vërtetë e largimit tuaj, por edhe e z. Meçollari nga detyra? Flas për arsyen e vërtetë, jo motivacionin zyrtar…
Largimi im nga detyra ka nisur që në vitin 2010. Ju e dini që pushtetarët tanë kanë një interes të veçantë për pronat. Këtu është interesi I vërtetë i tyre, kështu nisi një betejë mes mej dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami në lidhje me disa prona të Forcës Detare, që janë të lakmueshme sepse janë në bregdet.
E nisën me Shkollën e Marinës në Vlorë dhe sipas Planit të Përhapjes që paraqiste Shtabi i Përgjithshëm Shkolla zhvendosej në Pashaliman, pa marrë asnjë lloj mendimi. Kam ndërhyrë dhe i kam thënë ministrit për këtë çështje. Ministri Imami kishte vetëm 3-4 muaj që kishte ardhur dhe i irrituar për këtë padrejtësi që po bëhej më tha:
Sa të jem unë ministër Mbrojtjeje Shkolla e Marinës do qëndrojë aty ku është. Kur të vijë një ministër nga Burreli ta çojë në Burgajet
Unë me thënë të drejtën u qetësova. Pas një muaji, kur Plani i Përhapjes u çua te Presidenti, më thonë që nuk është bërë asnjë ndryshim. Pra shkolla zhvendosej.
Në vitin 2010 më njoftojnë që do bëhet analiza vjetore dhe do bëhej në Bishtpallë dhe do vinte vetë ministri. Bëhet fjalë për muajin dhjetor. Mora masat kur mora vesh se bashkë me ministrin do të vinin Shefi i Shtabit , drejtoresha e Kabinetit dhe një staf i gjerë i Ministrisë. Kjo ishte e çuditshme për faktin se në analizën e Forcës Detare merrte pjesë gjithë ministria. Aty, disa prej të pranishmëve këmbëngulën që të paraqisnin edhe strukturën e Forcës Detare. U thashë se me ligj prezantimi i strukturës i takon komandanti të Forcës. Pas këmbënguljes së tyre u kërkova që të përcillnin çdo sugjerim . Çështja qëndronte në faktin se baza synohej të nxirrej nga Plani i Përhapjes. Në bazë të informacioneve të pakonfirmuara që unë kisha, pra jo zyrtare, isha vënë në dijeni se kishte një përpjekje për ta mbyllur bazën, për ta kaluar në privatizim.
ResPublica: Përflitej ndonjë emër konkret?
Mua më është lakuar emri i Jamarbër Malltezit, në kuptimin që ky i fundit ishte në dijeni, por fjala ishte që do të vinte një kompani që do të bënte investim në masën 60 milionë dollarë. Nuk llogaritej që aty ishin 180 ushtarakë që punonin. Plani ishte që këta të çoheshin në Pashaliman. Unë u kam ngritur problemin se shteti shqiptar ka detyrime që rrjedhin nga konventat që ka ratifikuar e që kanë të bëjnë me sigurinë në hapësirën detare që dispozon. Nëse ne do të çonim të gjitha mjetet dhe forcat në Pashaliman, do të ishte e pamundur për të dhënë ndihmë për çdo incident detare që mund të ndodhë. Është distancë jo e vogël dhe ne nuk kemi mjete operacionale të tilla që të japim ndihmë.
Unë kisha planëzuar që në bazat e Bishtpallës dhe të Shëngjinit të rrinin mjetet e emergjencës për të dhënë këtë kontribut dhe të ruhej standardi i sigurisë. Aq më tepër kur zona e Durrësit është zona e trafikut më të madh detar sepse është porti kryesor i vendit. Kjo zonë mbetej e pambrojtur.
ResPublica: Pse u pezullua ky Plan?
U pezullua sepse në kohën që unë u shkëputa nga detyra, pasi kisha bërë disa herë debate për këtë çështje, mbeti në detyrë z. Meçollari. Ai ka vazhduar në detyrën e Komandantit nga data 6 janr deri më 23 janar 2012. Atij i kishin bërë shumë presion, madje e kishte thirrur njëherë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili së funmdi dha edhe një intervistë, i cili i dha vërejtje për shkak se nuk kishte dorëzuar materialin që u duhej.
Z. Meçollari më kërkoi ndihmë sepse kishte presion të madh. Unë i sugjerova që të gjithë strukturën që ai propozonte ta firmosnin edhe komandanët e të gjitha reparteve dhe nga Shtabi i Forcës mandej t’ia dorëzonte Shtabit të Përgjithshëm në mënyrë që të përfaqësohej më i mbrojtur. Ai veproi kështu dhe dorëzoi dokumentin. Meqenëse kundërshtoi edhe atë e shkarkuan nga detyra dhe e çuan në një detyrë tjetër. Kjo është arsyeja dhe nuk ka tjetër mendoj unë.
ResPublica: Pse ndaloi privatizimi i bazës?
Komandanti i ri i Forcës Detare u emërua mënyrë të jashtëligjshme nga ministri i Mbrojtjes dhe u shkarkua pas katër ose pesë muajsh. Nuk pati më kompetencë dhe kohë…
ResPublica: Një pyetje e fundit: Pas Greqisë, Shqipërisë i mbetet ndarja e hapësirës detare me Malin e Zi. Ka patur ndonjë nismë në këtë drejtim?
Bisedimet me Malin e Zi u nisën njeherë në vitin 2010, por nuk u avancua më tej, sepse do të bëheshin në fillim diskutime në nivel politik. U bisedua me një delegacion gjatë një vizite në Mal të Zi, nuk pati asnjë lloj pretendimi. Mendoj gjithësesi se me Malin e Zi do të jetë më e thjeshtë.
Add new comment