Rektori Koni dhe ish-rektori Kule njësoj si Policia e Laçit: “Nuk mbaj mend, u tremba”, apo “nuk i njoh kërcënuesit”

Postuar në 28 Prill, 2016 15:38

Zgjedhjet për rektorin e ri të Universitetit të Tiranës, u shoqëruan nga një situaë e rëndë dhe e paparashikuar. Kandidati për rektor, Mynyr Koni, u kërcënua dhe sipas denoncimit publik të ish-kryeministrit Sali Berisha, kërcënimin ndaj tij e kishte realizuar shtetasi Emiljano Shullazi. Që këtej edhe gjithë logoreja e deklaratave që solli arrestimin e shpejtë të Shullazit dhe një situatë të pakëndshme. Mirëpo sot, Koni, tashmë rektor i zgjedhur i Universitetit, ka dëshmuar në Prokurori, ku ka deklaruar se “nuk e mban mend fytyrën e kërcënuesve”, pasi “isha shumë i trembur”.  “Nuk i fiksova fytyrat e tre personave që më urdhëruan të hipja në makinën e tyre, njëri prej atyre, ai që ishte në sediljen e pasme, më kërkoi të tërhiqesha nga gara e mandej me urdhëroi të zbrisja nga makina. Nuk e mbaj mend pasi u tremba”, ka deklaruar Koni. Pra “nuk pashë gjë”, ka qenë përgjigja e Konit. Dhori Kule, që është siç raporton “Top-Channel”, “personi të cilit Koni i kishte treguar për kërcënimin” ka ecur më tej me dredhën e pasigurisë që del nga versioni:  “Nuk njoh asnjë”. “Më ndaluan tre djem dhe më thanë ‘mos e mbështet Konin në garë’. Unë nuk bëra kallëzim sepse nuk njoha asnjërin prej tyre”, ka rrëfyer profesor Kule(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=325305#k1).  

Po atëherë mund të pyetet: si vallë doli emri i Shullazit në këtë çështje dhe përse u arrestua ai duke u asociuar me këtë çështje? Sali Berisha që ka bërë denoncimn është personi që mund të thotë diçka për burimin e informacionit, pasi siç po shohim, Dy Profesorët, po sillen njësoj si Policët e Komisariatit të Laçit, të cilët në dëshminë e tyre për çështjen “Prenga” nuk “kanë parë gjë”, ose infrastruktura ka patur “probleme”.  Në dritën e kësaj sjelljeje që po konfirmojnë këta dy “profesorë” tingëllojnë fare groteske fjalët e kryeministrit Edi Rama, që në takimin me rektorët para disa ditësh, i falënderoi Konin e Kulen për “që nuk u tërhoqën përballë një presioni kriminal tërësisht të papranueshëm, jo për botën universitare, por për jetën shoqërore në tërësi, e dhanë një mesazh shumë kuptimplotë me vendosmërinë e tyre për të vazhduar qetësisht një garë, të cilës të gjithë ju i dhatë dinjitet”( http://www.respublica.al/2016/04/27/rama-vlerëson-trimërinë-e-konit-dhe-kules). Këta po e përgënjeshtrojnë vetë këtë gjë, ndaj pyesim: Kush e denoncoi Shullazin për këtë çështje? Dhe më e rëndësishmja: Kush i dha një dorë nga pas Konit të trembur keq, aq sa ka humbur edhe kujtesën? 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.