174 milionët e dyshimtë të kioskave të Bashkisë Tiranë
Para disa ditësh ResPublica shkruajti për një tender të njoftuar nga Bashkia e Tiranës për blerjen dhe vënien në funksionim tëdisa kioskave elektronike që do të ofrojnë shërbimet e gjendjes civile si lëshim çertifikatash etj..
Siç mund të lexohet fare qartë në atë shkrim, tenderi është parimisht i panevojshëm sa kohë që shërbime të tilla kërkojnë ndërhyrje ligjore shtesë dhe se funksionet që do të marrë e-kioska kryhen qysh tani nga portali qeveritar e-albania.
Pas këtij shkrimi, Top-Channel që njoftonte një ditë më parë tenderin, i mori një prononcim shefit të IT-së së Bashkisë, z. Puka, i cili tha se në e-kioskë do të depozitohen çertifikata të vulosura dhe firmosura që mandej do të gjenerohen kundrejt kërkesës së përdoruesve të ndryshëm. Pra e-kioska është në esencë një printer me fletë të gatshme. Diçka që e bën edhe më të panevojshëm prokurimin pasi çertifikata e re me vulë elektronike që do të mund të printohet nga çdo kompjuter zgjidh shumë mirë nevojën e vulave të njoma dhe radhëve të mëdha që duhet thënë se nuk ekzistojnë më. Por t’i kthehemi termave të prokurimit në fjalë, që çuditërisht u mbajt si lajm kryesor nga një televizion kombëtar.
Tenderi akordon 174 milionë lekë të vjetra për blerje dhe shërbim e-kioskash për atë operator që do të fitojë garën për tëcilën ka kohë 2 muaj. Siç shihet nga dosja e prokurimit parashikohet blerja e 10 e-kioskave që presupozohet t’i shërbejnë 860 mijë njerëzve (!!!) dhe që do të vendosen në vende tëhapura.
ResPublica pyeti pranë operatorëve privatë që ofrojnë shërbime të tilla, bankomate, pranë bankave të nivelit të dytë që operojnë në tregun shqiptar, për çmimin e një bankomati, i cili kryen funksione të ngjashme (në aspektin teknik) me këto që kërkon të instalojë Bashkia e Tiranës. Sipas të dhënave të deklaruara prej tyre, një automat i tillë kushton 10 mijë - 12 mijë euro. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë 10 kioska kushtojnë 100- 120 mijë euro që janë me kursin e sotshëm 132-158 000 000 lekë të vjetra, një kosto që është vetëm 15 600 000 lekë të vjetra më pak sesa fondi i akorduar. Qysh tani mund të pyesim: cili është ai operator që mendon të hyjë në një garë për një proces kompleks për vetëm 15 600 000 lekë të vjetra fitim, plus dy vite mirëmbajtje, fitim dhe ky teorik?
Përgjigjen për këtë pyetje e gjejmë te përshkrimet e termave të referencës. Ja se çfarë thuhet në një prej pikave të dokumentit përkatës të publikuar në faqen online të Agjencisë së Prokurimit Publik:
Softueri duhet te mundësojë ndërlidhjen me sistemin qendror te të dhënave te regjistrit civil. Kjo do te kryhet nga ana e operatorit ekonomik i cili është po ashtu i detyruar qe gjatë paraqitjes së ofertës të përshkruaje edhe mënyrën se si do e realizojë.
eKioska duhet të ofrojë komunikim me pajisjet periferike dhe po ashtu për këtë Operatori ekonomik me rastin e ofertimit duhet ta përshkruajë realizimin. Komunikimi duhet të specifikohet duke marrë parasysh edhe ndërfaqet e komunikimit.
Sistemi duhet te ketë modulin për autentifikim dhe autorizim përmes ID kartes. Qytetari me anë të ID kartës së vet do ketë mundësinë që të autentifikohet me sukses. Të dhënat e autentikimit poashtu duhet të ruhen në databazën lokale me mundësi shikimi prej aplikacionit menaxhues.
Shikoni me kujdes paragrafët e theksuar. Në vetëm 2 muaj kohë, për vetëm 15 600 000 lekë të vjetra fitim, një operator duhet të garantojë para Bashkisë së Tiranës se është në gjendje që të krijojë lidhje me sistemin elektronik të Gjendjes Civile të Republikës, lidhje që varet vetëm nga kjo e fundit si dhe të ketë siguruar lejen e Aleat (kompania koncesionare e kartave) për Autentifikimin e Kartave ID.
Cili është ai operator që mund të japë garanci të tilla? Ka vetëm një përgjigje: një operator që tashmë është paracaktuar me garanci të Bashkisë. Një operator që është aktiv në treg me këtë shërbim dhe që me gjasë i ka kioskat në gjendje pune apo në dispozicion (ekziston një i tillë në treg dhe ka instaluar dhe kjoska të tilla) dhe nuk do t’i duhet të blejë të tjera. Nga ana tjetër, dosja e prokurimit formalisht ja kërkon operatorit lidhjen me sistemet, por është e qartë se në kaq pak kohë kjo lidhje është shumë e vështirë të merret (sikur vetëm për arsye procedurash dhe burokracie) , ndaj mbetet të hamendësohet se këtu ka ndërhyrë Bashkia vetë.
Më problematike paraqitet kërkesa për autentifikimin me kartë. Është e ditur se Aleat nuk vendos në dispozicion të askujt bazën e vet të të dhënave (problem i madh i ngritur kur Tahiri u rinovoi dhe zgjeroi kontratën). Ka madje zëra që thonë se edhe ndaj kërkesave të Policisë kompania aplikon çmime të kripura. Për këtë arsye shërbimi në fjalë është kosto për operatorin i cili do të duhet t’ia paguajë atë Aleatit.
Marrë në tërësinë e vet llogaritë ekonomike të një prokurimi tëtillë do ta bënin çdo operator serioz të konsideronte përfshirjen në garë, sipas termave të ofruar, një gjest bamirësie.
Në dosjen e prokurimit shtohet edhe një zë: broshurat sqaruese për qytetarët. Sa kushtojnë 860 mijë broshura? Ja një pyetje që nuk ka dashakeqësi por lidhet me kostot reale të operacionit dhe me kostot e fshehura shtesë për Bashkinë (dhe në fund për xhepat e qytetarëvë).
Rikhehemi te pika e nisjes së shkrimit: kujt i duhet një sistem i tillë kur vetë qeveria po investon para për të dixhitalizuar shërbimet publike? Bashkia e Tiranës nuk funksionon jashtë Shqipërisë, as ka ndonjë status të veçantë. Ndaj si të gjitha subjektet edhe ajo do të duhej të kërkonte rrugët më të mira për ndërhyrje të tilla që gjithnjë duhet të jenë të arsyetuara. Termat dhe afatet e këtij prokurorimi janë të tillë që lënë dyshime të forta për një proces të paracaktuar. E theksojmë sërish: dyshim të fortë.
Aq më e pabesueshme bëhet e gjitha kjo situatë kur Bashkia drejtohet nga një kryetar që një herë flet për politika kursimi dhe rrit çmimin e ujit, por nga ana tjetër nuk e ka për gjë që të lëshojë dorën për 10 kioska fare të panevojshme dhe që trumbetojnë përkujdesjen e bashkisë që ecën përpara me sukses falë tuhafllëkut që shpreson se do të gjejë përherë tek opinioni publik.
Add new comment