Sistemi aktual zgjedhor dhe roli i metodave të proporcionalit
Në analizën e sistemit zgjedhor aktual do të paraqitet shkalla e deformimit të vullnetit të zgjedhësve që është shkaktuar (dhe mund të shkaktohet) nga metodat e proporcionalit në konfiguracionin e tyre brenda sistemit zgjedhor, i cili u aplikua në tre zgjedhjet e fundit parlamentare.
1. Metodat e proporcionalit
Ndarja proporcionale e mandateve për subjektet në raport me votat (popullsinë) e tyre është një problem i vjetër që fillon qysh në fillimin e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe merr jetë edhe në Europë në fillimin e shekullit XX. Matematicienë të ndryshëm kanë tentuar të merren me këtë problem pasi politikanët nuk ja kanë arritur të gjejnë zgjidhjen ideale që kënaq të gjitha palët në garë, por edhe matematicienët janë gjendur para situatave të komplikuara dhe është dashur një punë e madhe për të arritur të përkufizojnë së pari problemin në nivele të larta analitike dhe më pas ta zgjidhin atë. Si rezultat, në pamundësi të gjetjes të një metode ideale që i plotëson të gjitha kërkesat, numri i zgjidhjeve është më i madh se një dhe secila zgjidhje ka disa veti që nuk i kanë zgjidhjet e tjera në përgjithësi. Metodat që përdoren më shpesh në sisteme të ndryshme zgjedhore janë:
Metoda Hamilton - shënohet me H
Metoda Jefferson - shënohet me J (ndryshe quhet metoda D’Hondt)
Metoda Webster - shënohet me W (ndryshe quhet metoda Saint Lague)
Metoda Huntington-Hill - shënohet me E.P (equal proportions)
Më poshtë paraqitet një ilustrim i thjeshtë. Duhet t’u shpërndajmë pesë subjekteve 26 mandate proporcionalisht me votat e tyre.
Secila nga metodat e lartpërmendura i rrumbullakos(në numër të plotë) ndryshe proporcionet ekzakte. Metoda J, e cila favorizon subjektet e mëdha e rrumbullakos 9.061 në 10. Të tjerat i japin Sub.1 9 mandate duke zvogëluar kështu devijimin. Normalisht, devijimi është i pashmangshëm, por do të ishte mirë të ishte sa më i vogël për çdo subjekt, sepse në proporcionet ekzakte, ndikim ka çdo vote, ndërsa në rezultatin e rrumbullakuar(pavarësisht nga cila metodë), një numër i caktuar votash nuk ka ndikim. Prandaj, shpërndarja është më e drejtë n.q s. numri i mandateve për subjektin është sa më afër proporcionit ekzakt të tij.
2. Historia e metodave të proporcionalit
Historia e metodave të proporcionalit fillon që në ndarjen e parë të numrit kongresmenëve amerikanë sipas shteteve të bazuar në censusin e parë amerikan të vitit 1790. U propozua një metodë nga sekretari i thesarit Aleksander Hamilton e cila u miratua në kongres por më pas presidenti George Washington vuri veton e tij sepse kjo shpërndarje binte ndesh me kushtetutën amerikane. Zëvendëspresidenti Thomas Jefferson propozoi një metodë tjetër e cila kaloi në kongres, madje u përdor edhe 4 herë të tjera. Më pas u hoq sepse favorizonte më tepër shtetet e mëdha sesa shtetet e vogla.
Kongresmeni Daniel Webster propozoi një metodë që ruante balancat mes shteteve dhe kjo metodë u përdor në shpërndarjen që bazohej në censusin e vitit 1840. Metoda Hamilton rikthehet dhe aplikohet për censuset e viteve 1850,1860,1880,1890 dhe 1900, ndërsa për shpërndarjen që bazohej në censusin e vitit 1870 u bë një modifikim para se të kalonte në kongres. Këto zgjidhje që bëheshin nga politikanët e kohës shpesh herë krijonin probleme dhe diskutime që çonin edhe në modifikimin e shpërndarjeve. Me diferenca të vogla popullsie mes shteteve njëri shtet merrte 2 mandate ndërsa tjetri vetëm 1. Atëherë numri i mandateve në total rritej në mënyrë që përfaqësuesit e gjithë shteteve të binin dakord me shpërndarjen. Instituti i statistikave ngarkohej që me një metodë të bënte ndarjen e mandateve për një lëvizje të numrit në total të kongresmenëve deri edhe në 50. Pastaj miratohej ajo shpërndarje që u përshtatej më shumë të gjithë shteteve.
Ngaqë numri i kongresmenëve nuk mund të rritej në mënyrë të vazhdueshme dhe disa metoda proporcionali shfaqnin defekte dhe situata paradoksale politikanët ja lanë matematicienëve këtë çështje për shqyrtim në dhjetëvjeçarin e parë dhe të dytë të shekullit XX. Por edhe për ta situata nuk ishte aspak e lehtë. Matematicienti teoricien Edward Huntington publikoi një punim në vitin 1921 ku theksonte se kishte gjetur metodën ideale E.P që minimizonte dallimin e numrave të popullsisë për një mandat mes çdo dy shteteve në veçanti. Pas pak vitesh zbulon se edhe kjo metodë ka defektet e saj, por megjithëatë kjo metodë është zyrtare në SHBA dhe aplikohet që nga censusi i vitit 1940.
Për të ilustruar rëndësinë e metodave të proporcionalit mjafton të përmend dy rastet e vetme në historinë e zgjedhjeve presidenciale amerikane ku metodat e përdorura të proporcionalit kanë qenë deçizive në përcaktimin e presidentit amerikan.
Kandidatët për president në SHBA konkurojnë nëpër shtete dhe duke fituar një shtet ata fitojnë të gjithë elektorët(shumë rrallë ka përjashtime nga ky rregull). Numri elektorëve të një shteti është i barabartë me numrin e kongresmenëve + 2-(që është numri i senatorëve të shtetit). Në qoftë se numri i elektorëve të fituar nga kandidati është i më i madh se gjysma e elektorëve në total atëherë kandidati zgjidhet president. Pra, shpërndarja e numrit të kongresmenëve ka rolin e vet në numrin e elektorëve.
Në zgjedhjet e vitit 1876 kandidati republikan Rutherford Hayes fitoi ndaj kandidatit demokrat Samuel Tilden me rezultat 185elektorë - 184elektorë, falë metodës së modifikuar të proporcionalit që u përdor për përcaktimin e numrit të kongresmenëve sipas shteteve në vitin 1872. Sikur të ishte përdorur metoda H që përdodej rregullisht në ato vite do kish qenë fitues kandidati demokrat me rezultat 185-184.
Në zgjedhjet e vitit 2000 kandidati republikan George W. Bush fitoi ndaj kandidatit demokrat Al Gore me rezultat 271elektorë - 267elektorë (metoda E.P). Me metodën J do kishim rezultat 271-267 për Al Gore, ndërsa me metodën H do ishte barazim 269-269. Pavarësisht se krahasimet kanë të bëjnë me periudha të largëta kohore dhe se metoda E.P përdoret që nga viti 1941, këto fakte janë të rëndësishme dhe nuk kanë kaluar pa u vënë re nga rrethet shkencore amerikane.
3. Sistemi aktual shqiptar
Bazohet në kombinimin e metodave H, J dhe W. Qarqeve, mandatet u shpërndahen me metodën H në raport me popullsinë e tyre(neni 75 i Kodit Zgjedhor). Më pas në secilin qark subjekteve politike që konkurojnë më vete u shpërndahen mandatet e qarkut me metodën J(neni 162 i kodit zgjedhor). Në qoftë se subjekti është koalicion partish atëherë ndarja e mandateve të koalicionit për partitë që e formojnë këtë koalicion në nivel qarku bëhet me metodën W(neni 163 i kodit zgjedhor). Pra kemi një kombinim metodash(do ta shënoj me H- J- W), funksionaliteti i të cilave do jetë objekti i kësaj analize. Votat të cilat nuk kalojnë pragjet elektorale nuk merren parasysh në analyze, sepse metoda H -J -W nuk i merr në konsideratë.
Grafikët në vijim paraqesin devijimet nga proporcionet ekzakte që bën metoda H - J - W për tre partitë kryesore PS, PD dhe LSI duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve 2009, 2013 dhe 2017 kur edhe u aplikua kjo metodë. Për të patur një tablo sa më të gjerë të funksionalitetit të metodës H - J- W numri i mandateve në total lëviz nga 125 deri në 155.
3.1) Rasti i vitit 2009
Devijimet nga proporcionet ekzakte bëhen më të mëdha për partitë kryesore. Për 140 mandate në total (rasti që parashikon Kushtetuta), PD ka përfituar nga devijimet e metodës H-J-W rreth 10 mandate, PS ka përfituar rreth 6 mandate, ndërsa LSI ka humbur rreth 2 mandate. Për numra të tjerë mandatesh, në total situata mund të ndyshojë mjaft siç edhe shihet nga grafiku.1.
{Po të ishte marrë në konstatim edhe efekti i pragjeve elektorale, atëherë për PD-në kemi patur devijim prej afro +12 mandatesh, për PS-në devijim prej afro +8 mandatesh, ndërsa për LSI-në devijim prej afro -3 mandatesh}.
Për 140 mandate në total (rasti që parashikon kushtetuta), PD-ja ka përfituar nga devijimet e metodës H-J-W rreth 6 mandate, PS-ja ka përfituar rreth 6 mandate, ndërsa LSI-ja ka përfituar rreth 1 mandat. Për numra të tjerë mandatesh në total situata mund të ndyshojë mjaft siç edhe shihet nga grafiku.2. P.sh sikur Kushtetuta të parashikonte 132 deputetë në total, atëherë PD-ja do të përfitonte nga metoda 8 mandate, ndërsa PS-ja vetëm 3.
{Po të ishte marrë në konstatim edhe efekti i pragjeve elektorale, atëherë për PD-në kemi patur devijim prej afro +7 mandatesh, për PS-në devijim prej afro +7 mandatesh, ndërsa për LSI-në devijim prej afro +1 mandat}.
Për 140 mandate në total (rasti që parashikon Kushtetuta), PD-ja ka përfituar nga devijimet e metodës H-J-W rreth 1 mandat, PS-ja ka përfituar rreth 3 mandate, ndërsa LSI-ja ka humbur rreth 2 mandate. Për numra të tjerë mandatesh në total situata mund të ndyshojë mjaft siç edhe shihet nga grafiku.3. P.sh sikur Kushtetuta të parashikonte 152 deputetë në total, atëherë PS-ja do të përfitonte nga metoda 5 mandate, ndërsa PD-ja do humbiste 1 mandat.
{Po të merret në konstatim edhe efekti i pragjeve elektorale, atëherë për PD-ja kemi patur devijim prej afro +3 mandatesh, për PS-në devijim prej afro +6 mandatesh, ndërsa për LSI-në devijim prej afro -1 mandat}.
4. Konkluzioni
Është normale që devijimet nga proporcionet ekzakte, ose e thënë më thjeshtë, gabimet e metodave të proporcionalit mund të jenë me 0,2 , 0.5, me 1 mandat, apo edhe me 2 mandate, por gabimi me 10 mandate apo edhe më tepër ndër 140 mandate gjithësej, tregon se metoda mund të jetë deçizive në përcaktimin e fituesit dhe dominuese në raport me vullnetin e zgjedhësve.
Gjithashtu edhe devijimet nuk janë të njëtrajtshme, pra nuk i trajtojnë palët në mënyrë të barabartë. Kjo implikon që subjektet politike mund të jenë humbës ose fitues të zgjedhjeve vetëm në varësi të numrit total të mandateve (dhe jo si pasojë e vullnetit të zgjedhesve). E parë më gjerë, vullneti i zgjedhësve është sekondar në raport me metodën H-J-W.
Vlen të përmend se rezultati i vitit 2009 nuk prodhon devijime ekstreme. Mund të ndërtohen rezultate ku devijimet për një parti mund të jenë 15,16 apo edhe deri në 20 deputetë nga 140 gjithësej. Nga ana tjetër, Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë çdo rezultat. Pra, konstatohet se nuk është sistemi zgjedhor i përcaktuar në kushtetutë problem kryesor i Kodit Zgjedhor, por përzgjedhja e formulave të proporcionalit dhe koordinimi i tyre brenda sistemit zgjedhor. Pasojat e devijimeve të mëdha janë një numër i madh votash joefektive për njërin subjekt, ndërsa ndonjë subjekt tjetër mund të ketë shumë pak vota joefektive, që do të thotë se nuk garantohet barazia e votave nga sistemi aktual i konvertimit të votave në mandate.
Add new comment