Rishikohet Ohri? Partitë shqiptare propozojnë një Marrëveshje të re për Maqedoninë

Postuar në 07 Janar, 2017 16:26

Kryeministri Edi Rama dhe kanali televiziv Top-Channel kanë “festuar” sot arritjen e një marrëveshjeje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes partive shqiptare në Maqedoni.“Shqiptarët “trondisin” Shkupin”, shkruan në lajmin e vet kryesor kanali kombëtar Top-Channel që e shoqëron lajmin me foton e Edi Ramës në takim më partitë shqiptare në Maqedoni(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=344899#k1). 

Hap historik shprehja e vullnetit të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni: Të drejtat e shqiptarëve s'negociohen per karrige qeverie”, shkruan në Facebook firmëtari i Marrëveshjes së errët të 1 prillit, kryeministri i Shqipërisë.  

Marrëveshja e arritur në pikëpamje të përmbajtjes e çon Maqedoninë në krizë të panegociueshme, nëse shohim se për çfarë apelon vazhdimisht elementi sllav. Por ajo angazhon në qëndrime parimore partitë shqiptare, që kanë nga pas një histori konflikti të madh. Teksti i marrëvshjes së “Aleancës për shqiptarët” (rastësisht me logo të purpurt, apo mavi)është si më poshtë:  

Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare.

Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Partitë angazhohen për debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”;

Partitë, mbështetje të plotë i japin edhe punës e Prokurorisë Speciale, edhe pse nuk thuhet në mënyrë eksplicite për mandatin e saj, për ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, dhe si do e realizojnë këtë kur nevojiten 2/3 e votave.

Partitë do të angazhohen për “zbardhjen e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare”. Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën të dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912-1956.

Arritje e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal  dhe formimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Komunitetet, si dhe realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë. Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave…

Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara”, thuhet më tej në dokument.

Partitë politike shqiptare angazhohen për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme për siç thuhet, “prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë;

Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Miratimi i një Rezolute të Përbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se çështjes së emrit.  Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë. Marrëdhënie të mira me fqinjët. Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve. Hapje e pikave të reja kufitare

Ky është nga perspektiva e shqiptarëve një dokument gati ideal dhe në themel vështirë se ndonjë parti maqedonase do ta pranojë atë pa marrë kosto elektorale. Maqedonia e Gruevskit nuk e kaloi dot pragun e anëtarësimit në NATO vetëm për shkak të vetos së Greqisë, ndërkohë që në raport me integrimin europian, është thuajse njësoj me Shqipërinë, që nuk e ka problemin etnik. Për pasojë kushtëzimi në këtë nivel që partitë shqiptare, mes të cilave tashmë aderon edhe një lëvizje islamike si “Besa”, pas së cilës akuzohet se qëndron Turqia, kompromenton të paktën autorësinë e negociimit të marrëveshjes. Kush i uli partitë shqiptare në këtë tryezë që përmes një teksti të tillë detyron Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçhin të mohojnë vite të tëra bashkëqeverisje me sllavët?

Në raportimin e vet, “Tv Alsat” kujton se “në dokument mbeten shumë pika kyçe të paqarta, ajo e afateve të arritjes së tyre, si dhe mundësisë se sa do të përbëjnë këto pika, kushte në formimin e qeverisë së re, pasi disa parti theksonin se nuk do të hynin në Qeveri nëse për disa çështje nuk do të vendosej që në seancën e parë kuvendare”. http://www.alsat-m.tv/publikohet-deklarata-e-perbashket-e-partive-politi...

Me gjasë njeriu që është i gatshëm të pranojë këto kushte është Zoran Zaev, i LSDM-së, që është filmuar dje duke dalë nga selia qendrore e Lëvizjes “Besa”

Sipas "Alsat" asnjë prej dy partive kryesore, BDI dhe PDSh, nuk ka pranuar të komentojë nëse dokumenti është miratuar nga organet e tyre parlamentare. Hetimi ndërkomëbtar, rezoluta për genocidin dhe përfshirja e shqiptarëve në negociatat për emrin e Maqedonisë, ngjajnë më shumë si teza që origjinojnë në Tiranë, aty ku riprodhohet dhe përcillet politika e konfliktit, gatuar gjetkë. Do të shihet në vijim nëse partitë shqiptare do t’i përmbahen këtij dokumenti, sidomos pas datës 20 janar, por në thelb, ai kërcënon seriozisht pozitën e maqedonasve që ndoshta mund të orientohen drejt tezave të ish-kryeministrit Lubço Gjeorgjevski  që sugjeron ndarjen etnike me shqiptarët të vendit.

Nuk është sekret se kryeministri Edi Rama po kërkon një fitore diplomatike në këtë drejtim duke operuar ndaj Shkupit zyrtar në momente dobësie, por edhe ndaj partive shqiptare në kushtet kur asnjë prej tyre nuk ka mundësi të jetë sovrane në vendimmarrje. Për fitoren Top-Channel, ka vënë në shërbim të gjithë gatishmërinë interpretative pasi është ndoshta i vetmi subjekt mediatik që nënvizon se marrëveshja e partive shqiptare vjen në rrjedhim dhe përputhje me Marrëveshjen e Ohrit. Në fakt kjo e fundit duket se prevalohet në disa momente shumë domethënëse:

Në Aneksin A të saj, Neni 7, pika 1 thuhet se:

1) Në mbarë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.

(2) Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin sëpaku 20% të popullatës, gjithashtu është gjuhë zyrtare, si dhe shkrimi i saj, ashtu siç është përcaktuar më poshtë. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Marr%C3%ABveshja_e_Ohrit)

Në marrëveshjen e sotme të partive cilësohet se:

Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë

_____________

Pika 7 e tekstit të Marrëveshjes së Ohrit thotë:

Shprehja e identitetit Lidhur me simbolet, pranë simbolit të Republikës së Maqedonisë, autoritetet vendore do ta kenë lirinë që në anën e parë të objekteve publike vendore të vendosin simbolet me të cilët shënohet identiteti i bashkësisë e cila është në shumicë në komunë, me respektimin e rregullave dhe zbatimeve ndërkombëtare.

Në Marrëveshjen e sotme cilësohet:

Partitë angazhohen për debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike. 

Po këshu Marrëveshja e Ohrit sanksionon se Maqedonia është Republikë Unitare dhe se ajo nuk pranon zgjidhje territoriale për problemet etnike, diçka që duket se jetësohet ne tekstin e marrëveshjes së re. Le të mos harrojmë se në maj të vitit 2015, Sandër Lleshi, i prezantuar si Këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë, publikoi opinionin me titull: “Në Kumanovë u “vra” edhe Ohri”(http://www.javanews.al/ne-kumanove-u-vra-edhe-ohri/), diçka që duket se ka qenë objektiv i kësaj qeverie në Tiranë, e që po merr jetë në kushtet kur partië shqiptare në Maqedoni, të cilat nuk i ka penguar kush të bashkohen edhe më herët, nuk kanë më rolin e deritanishëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.