Fantazma e Mosaddegh – SHBA po paguan atë që u bëri të tjerëve për 50 vjet
Në gusht të vitit 1953, kur unë isha një fëmijë dy vjeçar në qytetin tim Ahvaz – në jugun e pasur me naftë të Iranit, britanikët dhe amerikanë komplotuan kundër kryeministrit të ri të sapozgjedhur, Mohammad Mosaddegh; e rrëzuan qeverinë e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike, riinstaluan në pushtet një tiran të arratisur, Mohammad Reza Pahlavi që të sundonte mbi ne dhe i vodhën një kombi të tërë mundësinë e të jetuarit në demokraci.
Fati e desh që tani, rreth 63 vjet më vonë, në vendin e vetë komplotistëve që rrëzuan Mosadegh, një segment i madh i amerikanëve janë me të drejtë të shqetësuar se Donald Trump, presidenti i tyre i sapozgjedhur, mund të hapë rrugën e abrogimit me diktat të institucioneve demokratike, veçanërisht të lirisë së tyre të shtypit që kaq shumë ka lulëzuar, të cilën ai duket se është i aftë ta silurojë me pak fjalë përmes postimeve të tija helmuese gjatë mbrëmjeve.
Liberalët britanikë janë po kaq të irrituar për atë se vota e Brexit mund të sinjalizojë kthesë të çmendur ksenofobike në historinë e demokracisë liberale europiane. Brexit dhe zgjedhja e Trump po shihen pra si ngjarje kataklizmike që shenjuan vitin 2016 dhe si një pikë kthese në historinë e “Demokracisë perëndimore”.
Sigurisht, unë e kuptoj mirë dhe solidarizohem kur lexoj Ian Buruman në "The New York Times" të shkruajë për “Fundin e Rendit anglo-amerikan”, e ku ai argumenton me elokuencë sesi “për dekada vizioni i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për demokracinë dhe lirinë, përkufizoi botën e pasluftës”. Me ankth ai shton pyetjen: “Çfarë do të ndodhë në erën e Donald Trump dhe Nigel Farange”?
Por sërish nuk ja dal të vazhdoj t’i pëshpëris vetes time po kaq sjellshëm:
Më falni zotëri, por a jeni i sigurtë se SHBA dhe Britania e Madhe kishin një vizion të demokracisë dhe lirisë që përkufizoi “botën” e pasluftës? Ishte Irani pjesë e kësaj “bote”? Ishte viti 1953 brenda erës së “pas-luftës”? Çfarë mund të na thoni për Kilin e vitit 1973 apo për çfarëdo lloj numri të atyre operacioneve të ndyra sekrete që britanikët apo amerikanët udhëhoqën përreth globit? Çfarë mund të thoni për ne? A jemi ne njerëz, a nuk meritojmë edhe ne demokracinë? “Nëse na çpon, neve nuk na del gjak? Nëse na gudulis, mendon se ne nuk qeshim? Nëse na helmon, ne nuk vdesim”?
Drejtësia poetike perse
Për më shumë se një gjysmë shekulli pasi CIA komplotoi kundër Mosaddegh, unë kam jetuar që të shoh sesi e njëjta agjenci, CIA, akuzon rusët për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016-ës, duke manipuluar elektoratin me synim katapultimin e një biznesmeni sharlatan në Shtëpinë e Bardhë. Nëse Bernie Sanders ishte Mosadegh amerikan, Trump është Mohammad Reza Shah i tyre.
Mos ndoshta SHBa-ja po provon shijen e veprimeve të veta? Sipas një raporti të publikuar nga “The New York Times” në vitin 1984, CIA “kontribuoi me më shumë se 1.4 milionë dollarë në zgjedhjet presidenciale të El Salvadorit”. Ky nuk është një incident i izoluar. Që nga vitet ’40, CIA “ka luajtur një rol sekret në zgjedhjet dhe në çështjet e partive politike në vende të tjera”. Ne dimë po ashtu se mes viteve 1953 dhe 1961, CIA nën drejtimin e Allen Dulles rrëzoi qeveritë e Guatemalës, “sulmoi Kubën dhe qëndronte pas vrasjes së Patrice Lumumba, lideri i parë i zgjedhur demokratikisht në Kongo”.
http://www.nytimes.com/1984/05/13/world/cia-has-long-sought-to-sway-foreign-voters.html
Më vonë, “The Washington Post” lejoi të publikohej në faqet e veta fakti se “SHBA-të kanë një histori të mirëdokumentuar të ndërhyrjes dhe ndonjëherë ndërprerjes së funksionimit të demokracisë në vende të tjera”. Në raportin e tij, Ishaan Tharoor shton më tej: “Në fund të viteve ’40, CIA e sapokrijuar i nguli dhëmbët në Europën Perëndimore, duke zbythur disa prej partive të majta më me influencë si dhe unionet e punëtorëve”.
Sot ju mund të mendoni se SHBA është penduar për një sjellje kaq të pahijshme, por në fakt nuk është kështu. Sërish, siç shkruan Tharoor: “Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, SHBA-të i ka zhvendosur në një masë të mirë operacionet sekrete drejt sferës publike me organizata më beninje, si Ndihma Kombëtare për Demokracinë, e cila synon të fuqizojë shoqërinë civile dhe institucionet demokratike në botë përmes granteve dhe ndihmave të tjera”.
Njoh disa prej “opozitarëve” të diskredituar iranianë që janë përfitues të këtyre dhuratave bujare, të cilët përpunohen për një “ndryshim potencial regjimi” në atdheun e tyre. Së fundmi një grup i veçantë mes tyre i shkroi një letër Trump përmes së cilës i kërkonte që të likujdonte marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe të impononte sanksione më të forta ndaj vetë popullit të tyre, për t’i ndihmuar mandej ata që të sillnin “demokracinë” në Iran.
Jezusi, dikur në një shteg
Morali i kësaj historie nuk është leximi me sens hakmarrës i asaj që ka ndodhur. Iranianët sot jetojnë nën dhimbjen e një teokracie represive që u është imponuar atyre nga tiranët e Iranit. Por shpirti i shqetësuar i demokracisë liberale anglo-amerikane si në SHBA ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar duhet të lexohet si mbyllja e qarkut të atij dallimi të rrejshëm që ato kanë përcaktuar mes prosperitetit të brendshëm dhe luftës së zhvilluar jashtë.
Detyra e sotme është që të mos lejohet Trump të bëjë në SHBA – apo edhe ksenofobia në Britani dhe tjetërkund në Europë – atë që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar komplotuan dhe bënë ndaj Iranit dhe në vende të tjera. Për këtë ne, të mbijetuarit e këtyre mizorive, kemi shumë se çfarë të ndajmë me ish- toruturesit tanë dhe mikpritësit e sotshëm
Është një kohë festive që lidhet me emrin e Jezu Krishtit – kështu që më lejoni ta mbyll me një poemë madhështore të poetit pers Nasir Khusraw, autoriteti më i lartë moral, te vepra e të cilit figura e Jezu Krishtit shfaqet e lartësuar:
Nëse mban në dorë një shpatë, mos nxito të ngresh atë mbi njerëzit
Në sytë e Zotit e liga kurrë nuk do të harrohet
Jezusi pa dikur në një shteg trupin e një të vdekuri që po tretej
Ndaloi dhe pyeti duke reflektuar:
“Cilin ke vrarë”, pëshpëriti qetësisht “që sot ty të kanë vrarë?”
“Ku vallë do të vritet ai që ty të vrau?”
“Mos u bjer në qafë njerëzve duke u trokitur në derë me majat e gishtave”
Që askush ty mos të të shqetësojë duke i rënë me grusht derës tënde”
*Përkthimi i ResPublica
**Titulli origjinal: 2016, viti kur fantazma e Mosadegh u kthye
*** Profesor i Studimeve Iraniane dhe Letërsisë së Krahasuar në Columbia University
Marrë nga: http://www.aljazeera.com/indepth/opinion/2016/12/2016-year-ghost-mosadde...
Comments
Dikush duhet te humbas ndryshe
Okay...
Le te supozojme se "amwrikanet" do te degjojne sugjwrimin tuaj.
Ne kete Janar, Trump, dhe e mbylle USA-n ne hall te vete...
Me e mire do ndjehej kjo Bote?!
E thua dot kete?
Add new comment