Shteti komb – zgjidhja(në letër) për Ballkanin

Postuar në 22 Dhjetor, 2016 11:08

Politika perëndimore duhet të adresojë nacionalizmin si zgjidhje për paqen në Ballkan. Kjo është pak a shumë ideja që hidhet në një shkrim të publikuar në “Foreign Affairs” nga autori Timothy Less, drejtor I Nova Europa, një konsulent mbi politikat e riskut dhe ish-diplomat. Ai e nis shkrimin me pretendimet me karakter nacionalist të minoriteteve në Ballkan, të shqiptarëve, serbëve dhe kroatëve. Popuj që janë të shpërndarë në Ballkanin Perëndimor, zona më e pastabilizuar në Europë.

Less shkruan se politika Perëndimore me SHBA në krye vendosi të modelonte paqen në këtë zonë duke imponuar modelin e multietnicitetit si parim shtetfromues, ndonëse realitet postjugosllav evokonte përherë e më shumë kërkesa për shtetin nacional. Në terren kjo detyrë është alternuar mes SHBA-së që ka diktuar kufij dhe sigurinë dhe BE-së që ofroi politikën e zgjerimit si mundësi prosperiteti. Kjo qasje ka funksionuar deri më tani, por ajo po shfaq qartë shenja se nuk është më në gjendje t’i përgjigjet sfidave të një Ballkani jofunksional. 

Sipas tij gabimet dhe ngadalësia në integrimin e Ballkanit po bashkohen me faktorë të tjerë negativë si problemet ekonomike dhe ndëretnike, rritjen e ndikimit rus si frenues për orientimin perëndimor të sllavëve, ndërhyrjet e Turqisë me botën myslimane në Ballkan dhe ofertat financiare të Kinës që zerojnë politikat e strukturuara të BE-së.

Çfarë duhet bërë në këtë situatë për të stabilizuar një zonë që po vlon? Autori e gjen përgjigjen te trajtimi realist i kërkesave që vijnë nga terreni i minoriteteve, aty ku nyjëtohet tensioni.

“BE-ja po Lufton ende që të imponojë autoritetin e vet, diplomatët europianë nuk mundën që të zgjidhin një krizë dy-vjeçare në Maqedoni…BE-ja po ashtu dështoi në arritjen e një marrëveshjeje normalizimi mes Serbisë dhe Kosovës. Ndoshta shembulli më i keq, Republika Srpska në Bosnje po ecën përpara me referendumin e vet kontroversial, pavarësisht protestave të BE-së. Konsiderata kyçe në këtë situatë është se politika aktuale e stabilizimit përmes integrimit, për aq s aka funksionuar, e ka mbyllur ciklin, nisur nga përfundimi i zgjerimit të BE-së. Duke operuar me një politikë të vjetër që bazohet në shpërblime elusive, pa sanksione për mos respektimin e tyre, Perëndimi poi a lë iniciativën revizionistëve lokalë dhe sponorëve të tyre të huaj: Rusisë dhe Turqisë që ndjekin politika të vetat”, shkruan Less.

Ky paragraf hedh dritë mbi dështimin e BE-së në rajonin tonë, ndonëse politikat e unionit, financimet dhe rritja e prezencës në modelimin e ligjvënies, kanë garantuar një paqe relative që është në fakt limontia e një tranzicioni pa fund. Me një realitet përherë e më kompleks, në kushtet kur Lindja është rigjallëruar dhe ka plotësuar simetrinë gjeopolitike duke u kthyer në alternativë, mbetet që Perëndimi të adoptojë një qasje më radikale. Të paktën këtë thotë autori sipas të cilit e vërteta duhet parë në sy.

Eksperimenti 20 vjeçar i multietnicitetit dështoi. Nëse Perëndimi dëshiron t’i qëndrojë qëllimit të vet për ruajtjen e paqes në Ballkan, atëherë ka ardhur momenti që të vihet pragmatizmi përpara idealizmit dhe të planifikohet një tranzicion gradual drejt shteteve kombëtare ku popullsitëë mund të kënaqin inetereat e tyre politike më bazike. Duke patur parasysh ndarjet në Europë, SHBA duhet të marrin kontrollin e procesit. Në terma afatshkurtër, Washingtoni duhet të mbështesë fragmentarizimin e brendshëm të shteteve multietnike ku minoritetet e kërkojnë atë – p.sh duke pranuar kërkesën e shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë dhe të kroatëve për një entitet të tretë në Bosnje. Në terma afatmesëm, SHBA duhet të lejojë territore të caktuara që të formojnë lidhje të ngushta ekonomike dhe politike me fqinjët e vet më të mëdhenj, duke lejuaar shtetësinë e dyfishtë dhe institucione të përbashkëta, ndërkohë që mbeten pjesë e shtetit actual. Në fazën finale këto territore mund të shkëputen nga shteti ekzistues dhe të bashkohen me vendin nënë, fillimisht ndoshta si rajone autonome. 

Një entitet kroat në Bosnje mund të bashkohej me Kroacinë, Republika Srpska dhe veriu i Kosovës me Serbinë, Lugina e Preshevës, Maqedonia Perëndimore dhe shumica e Kosovës me Shqipërinë. Ndërkohë Mali i Zi që mund të humbasë enklavat shqiptare mundet njësoj të qëndrojë i pavarur apo të bashkohet me një Serbi në zgjerim. Duke ndjekur këtë plan. SHBA nuk do të shkelë në territor të ri, por thjesht do të ringjallë vizionin uillsonian të një Europe që përfshin vetëvendosjen e popujve – por për një pjesë të kontinetit ku ky vizion nuk është aplikuar kurrë.  Është e qartë që do të ketë rreziqe, por jo aq serioze sa ato që përcillen në qasjen aktuale të dështuar politike. Serbia do të jetë e detyruar të lërë Kosovën të ikë, pa veriun, por kompensimi do të ishte realizimi i një shteti komb serb në ato territore ku serbët dominojnë. Shqiptarët në mënyrë të ngjashme duhet të heqin dorë ngaq Veriu i Kosovës. Më problematike, boshnjakët dhe maqedonasit do të duhet të pranojnë humbjen e territoreve me të cilat janë të lidhur në mënyrë sentimentale, pa ndonjë kompensim. Ky do të ishte formalizimi i një realiteti ekzistues

shkruan Less.

https://www.foreignaffairs.com/articles/bosnia-herzegovina/2016-12-20/dy...

Një analizë që duket se sugjeron se Perëndimi duhet të bazojë politikën e vet në kënaqjen e axhendave nacionaliste në Ballkan, duke pranuar dështimin e plotë të asaj që u tha deri më sot. Ç’kuptim do të kishte atëherë Europa dhe BE-ja, integrimi e të gjitha në kushtet kur për Ballkanin vihet në veprim qasja pragmatiste?

Less shkruan se politika duhet të ndryshojë dhe për këtë ka të drejtë. Vetëm se ai i pajton kombet ballkanike, apo i relakson irritimet e tyre përmes atriubumit të naconalizmit si shpjegim final i paqes. Në fakt ka edhe gjeopolitika të brendshme që nuk duhen injoruar asnjëherë. Pse duhet që hungarezët e Vojvodinës të jetojnë me Serbinë, apo myslimanët e Sanxhakut po kështu me Serbinë? Pse malazezëve u mohohet vullneti për të qenë të pavarur dhe me një të rënë të lapsit u thuhet kaloni me Serbinë?

Njësoj për shqiptarët: si mund të shkrihet në një entitet, pa eksese, një popull që ka një gjuhë, por disa përvoja politike dhe mbi të gjitha disa manifestime fetare? Nuk ka me siguri asnjë politikë që të mos krijojë grupe të margjinalizuara – autori pranon se boshnjakët dhe maqedonasit janë të tillë -  por ndërkohë që nacionalizmi evokohet si zgjidhje, ai në fakt është thjesht një përgjigje për rezultatet e munguara të politikës së Perëndimit që ka sponsorizuar politikanë të korruptuar. Sepse ndërkohë që presupozohet se minoritetet janë të pakënaqur, Ballkani prodhon numrin më të lartë të emigracionit, që është shprehje jo vetëm e nevojave për përmirësimin e jetës, por edhe e pranimit të faktit se edhe shteti nacional ka dështuar në Ballkan. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.