Kërkon të fshihet pas Dules

Postuar në 03 Nëntor, 2016 19:32

Qeveria shpreson që progres-raporti i Nëntorit t'i hapë dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çka do të legjitimonte në çdo rast retorikën e kryeministrit për reforma që nuk janë parë në 25 vitet e fundit, ndonëse vendi përballet me probleme të drogës, kriminalitetit, papunësisë dhe për më tepër të përfshirjes së personave me rekorde kriminale në politikë.
I vetmi që mund të bënte një panoramë reale të situatës dhe përmbushjes së kritereve të vendosura nga Brukseli për hapjen e negociatave është kryeministri Rama.
Por gjatë fjalimit në parlament nuk dëgjuam asgjë për këtë çështje, çka është mungesë totale përgjegjësie, pasi çdo kryeministër serioz do të raportonte para publikut të vërtetën lidhur me shancet që kemi për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Kryeministri mesa duket, di vetëm që ka një vizitë të programuar në Gjermani, të cilën e paralexon si mbështetje për hapjen e negociatave dhe po mendon çfarë kostumi do zgjedhë e çfarë batute do lëshojë kur të shfaqet buzagaz në krah të kancelares Merkel.
Përtej detyrimit që ka për të informuar parlamentin dhe publikun së në çfazë është afrimi i vendit me Bashkimin Europian, kryeministri sheh intriga dhe konsipracione në rrugën e tij për ta çuar vendin në BE. Gjatë delirimit nacionalist në parlament kryeministri Rama tha se është Vangjel Dule që pengon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian përmes lobimit të tij më Athinë. Pedante për ta besuar dhe qesharake për të justifikuar refuzimin nga Brukseli për shkak të problemeve me kanabisin apo dhe mungesën e shtetit të së drejtës. Dhe nëse Komisioni do të refuzojë statusin kryeministri e ka gati alibinë, është Dulja që ka ndërhyrë për të prishur punë. Kot që ky kryeministër përpiqet për reforma, lodhet ditë e natë për begatinë e Shqipërisë, armikun e kemi brenda..

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.