Ndryshimi ligjor, bankat marrin të drejtën të shesin kolateralin me 30% të vlerës në ankandin e tretë
Bankat do të kenë të drejtë që të shesin me 30% të vlerës kolateralin e lënë si garanci nga individët apo bizneset që kanë marrë kredi. Kjo do të mundësohet nga një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Civile me kërkesë të bankave që e shohin këtë si ndihmë për to për daljen nga situata e krijuar me kreditë e këqija.
“Më konkretisht, neni 8 i këtij projektligji që bën ndryshime në nenin 577 të Kodit, përcakton se në rast se prona e lënë si kolateral në ankandin e parë të zhvilluar nga banka nuk shitet dhe në rast se në ankandin e dytë nuk shitet ose nuk paraqitet fare ofertë, atëherë përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të shitjes në masën e 30 për qind të vlerës së përcaktuar nga eksperti përmbarues”, thuhet në projektligj(http://www.mapo.al/2016/06/ndryshon-kodi-kush-nuk-paguan-kredine-i-shite...).
Iniciativa synon të ndihmojë bankat, por rregulli i ri me tri faza me siguri që do të hapë lojën e blerjes me 30%, duke dështuar qëllimisht ankandet. Nuk është e qartë nëse qeveria ka menduar për pasojat që mund të ketë në treg kjo lëvizje. Normalisht pritet që të ulet çmimi i pasurive të patundshme, pasi siç është bërë e ditur bankat posedojnë si kolateral rreth 200 milionë euro pasuri të patundshme. E vlerësuar në 30% të vlerës, si opsion ekstrem, kjo pasuri shkon menjëherë në 66 milionë euro. Është disi e vështirë të mendohet se bankat do të aplikojnë këtë rregull në çdo rast. Me siguri ai vlen në momentin kur debitori ka shlyer një pjesë të kredisë.
Add new comment