Përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe punësimit, rezultat i politikave ekonomike?
Në daljet e fundit publike, Ministri i Financës, Arben Ahmetaj, ka pretenduar se politikat ekonomike të qeverisë kanë dhënë rezultat. Për të mbështetur këtë pretendim, ai ka cituar faktin se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) u ngjit tek niveli 2.6% në 2015-ën, nga 2.1% që ishte në 2014-ën (në vitin e parë të plotë të qeverisjes socialiste). Gjithashtu, Ahmetaj ka cituar faktin se janë shtuar 173 mijë vende pune qysh kur socialistët rierdhën në pushtet, duke iu afruar kështu premtimit për 300 mijë vende pune të reja.
Por le t’i analizojmë këto fakte, duke përdorur shifrat zyrtare të INSTAT-it.
Në shpiegimin për metodologjinë e llogaritjes së PBB-së, INSTAT-i sqaron se kontributi i prodhimit të energjisë elektrike në PBB llogaritet në mënyrë të drejtpërdrejtë arthmetikore (jo në mënyrë statistikore). Me fjalë të thjeshta, sasia e megavatëve shumzohet me çmimin mesatar të tregut, dhe rezultati i shtohet në mënyrë arthmetikore pjesës tjetër të PBB-së (që vlerësohet përmes modeleve të ndërlikuara statistikore).
Duke patur parasysh këtë sqarim metodologjik, mund të shihet nga Bilanci i Energjisë Elektrike (që ka publikuar INSTAT-i) se prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet PUBLIKE në 2015-ën ishte 1050 GWh më i madh se një vit më parë. Kjo sasi energjie shtesë nga hidrocentralet PUBLIKE (të cilën e patëm dhuratë nga rreshjet më të shumta që na dërgoi Natyra në 2015-ën) përkthehet në vlerë në rreth 50 milionë euro, ose 0.5% të PBB-së së 2015-ës.
Me pak fjalë, në qoftë se rreshjet e 2015-ës do të kishin qenë në nivelin e 2014-ës, rritja ekonomike do të kishte qenë vetëm 2.1% e jo 2.6%. Pra, do të kishim patur një rritje të barabartë me të 2014-ës. Rritja prej 3.4% që pritet në 2016-ën është tjetër histori – ajo lidhet me intesifikimin e punimeve për TAP-in dhe për ndërtimin e hidrocentraleve të Devollit…
Në fakt, treguesi kryesor që duhet të ndjekë qeveria është konsumi privat mesatar për frymë, e jo PBB-ja. Konsumi mesatar privat për frymë në 2013-ën ishte rreth 2,450 euro, në 2014-ën ishte rreth 2,520 euro, dhe në 2015-ën ishte rreth 2,520 euro. Pra në vitin e fundit, ka qenë njësoj sa një vit më parë...
Dhe tani të analizojmë shifrat e punësimit.
Sipas të dhënave të INSTAt-it, rreth 1.11 milionë shqiptarë të moshës 15 vjeç e lart ishin të punësuar në fund të vitit 2015. Rreth 40% e tyre ishin fermerë të vegjël, që mbijetojnë me një copë tokë. Ka një rënie prej 6% të numrit të të punësuarve, krahasuar me fillimin e vitit 2012, kur ishin të punësuar rreth 1.18 milionë shqiptarë të moshës 15 vjeç e lart (shihni figurën bashkëngjitur). Kjo rënie është koherente me uljen e shpejtësisë së rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë kësaj periudhe.
Por ajo që nuk është fare në koherencë me ecurinë e PBB-së, është luhatja gjigande që ka pësuar punësimi në mes të periudhës së mësipërme – 18% ishte sipas INSTAT-it rënia e punësimit nga tremujori i parë i 2012 deri në tremujorin e parë të 2014, që pastaj u pasua me një ngritje 14% të punësimit deri në fund të 2015-ës (shihni figurën bashkëngjitur).
Të tilla luahtje dramatike mund të ndodhin në periudha dhjetëvjeçare, por jo brenda një kohë kaq të shkurtër. Ato duken se janë më shumë një produkt i problemeve statistikore në vlerësimin e punësimit, se sa luahtje që lidhen realisht me ecurinë e PBB-së.
*Analiza e punësimit është shkëputur nga artikulli im “A MACROECONOMIC PICTURE OF ALBANIA” botuar në revistën “FOLLOW BUSINESS ALBANIA”
Add new comment