Sanksionet ndaj Rusisë dëmtojnë prodhimin e avionëve Boeing

Postuar në 05 Maj, 2024 15:22

Sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Rusisë po rëndojnë inidrekt mbi një nga kompanitë më të mëdha shumëkombëshe. Boeing po has vështirësi në prodhimin e avionëve 787 Dreamliner për shkak të mungesës së një komponenti kyç, subjekt i sanksioneve të SHBA ndaj Rusisë, raporton Wall Street Journal.

Konvertuesit e nxehtësisë, të cilët përdoren në sistemin e kontrollit të ambientit brenda avionit dhe gjithashtu rregullojnë temperaturën e gjithë panelit elektronik, prodhohen nga një sipërmarrje e përbashkët midis Collins Aerospace të kompanisë amerikane RTX dhe firmës HS-Nauka me bazë në Moskë.

Megjithatë, në mars 2022, vetëm disa javë pasi shpërthyen luftimet midis Rusisë dhe Ukrainës, sipërmarrja e përbashkët u mbyll si pjesë e kufizimeve kundër Moskës për konfliktin.

Prodhimi i pjesëve që rregullojnë temperaturën u zhvendos në linjat e reja të fabrikës së RTX në SHBA dhe Britani. Fillimisht, ato i përballuan kërkesat e Boeing, pasi prodhuesi i avionëve në atë kohë po prodhonte pak. Por me rritjen e prodhimit të Dreamliners, kjo mungesë po kthehet në pengesë serioze.

Javën e kaluar, Boeing u tha investitorëve se për shkak të mungesës së konvertuesve të nxehtësisë dhe mungesës së vendeve të kabinës – që është një problem tjetër me të cilin përballet kompania – nuk do të jetë në gjendje të dorëzojë aq avionë Dreamliner sa ishte planifikuar këtë vit.

Prodhuesi amerikan dorëzoi 13 Dreamliner në tremujorin e parë të këtij viti, raporton WSJ.

Prodhimi mujor i Boeing 737 MAX gjithashtu ka rënë, sepse kompania përpiqet të zgjidhë problemet e prodhimit pas një incidenti në mes të fluturimit në një aeroplan të Alaska Airlines në janar.

737 MAX ka një historik aksidentesh, mes të cilave dy përplasje në 2018 dhe 2019 që rezultuan në më shumë se 340 vdekje.

Në fillim të kësaj jave, Joshua Dean, ish-punonjës i një prej furnizuesve të Boeing, i cili ngriti alarmin mbi standardet e dobëta në prodhimin e avionit 737 MAX, vdiq pas një sëmundjeje të papritur dhe të rëndë. Në mars, ish-menaxheri i cilësisë së Boeing, John Barnett, u gjet i vdekur me një plagë arme zjarri disa ditë përpara se të jepte dëshmi në një proces gjyqësor kundër gjigantit të hapësirës ajrore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.