Një drejtor banke njofton se qeveria do nisë me garancitë sovrane për projektet në infrastrukturë

Postuar në 05 Maj, 2024 13:05

Në një intervistë për revistën ekonomike “Monitor”, drejtuesi ekzekutiv i “Abi Bank”, Andi Ballta ka paralajmëruar kreditimin nga sektori bankar të projekteve infrastrukturore në bregdet. Duke vlerësuar maksimalisht turizmin dhe madje modelin e ndjekur nga qeveria shqiptare të ndërtimeve massive në bregdet, Ballta ka bërë ndër të tjera këtë vërejtje:

Uroj që Shqipëria të ndjekë shembullin e Majamit, ku tregu është ai që përcakton destinacionin e zhvillimit, dhe jo burokratët (e përsëris) “mendjexhinj”. Shqipëria ka një bregdet shumë pak të zhvilluar, që krijon iluzionin e zhvillimit pa fund, por gjithsesi ne kemi një hapësirë relativisht të kufizuar toke, prandaj zhvillimi në bregdet mund të jetë më shumë me apart hotele/kondominium dhe jo vila pa fund.

Kuptohet, mbështetja e qeverisë me infrastrukturë për ndërtesa të larta në bregdet është çelës dhe vendimtare. Mendojmë se qeveria do të fillojë të mbështesë me garanci sovrane zhvillimin e infrastrukturës në vend, sidomos tani që borxhi publik në krahasim me PBB (por edhe borxhi privat në krahasim me depozitat) është në nivele tejet të ulëta

Ky koment vjen pasi deri më sot bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë qenë shumë të tërhequra në financimin e projekteve në infrastrukturë dhe garancia sovrane është ndoshta një mënyrë për ta ftuar me siguri të madhe sektorin që të financojë.

Ai ka kërkuar prani të shtuar policore në zonat turistike për të siguruar rendin dhe qetësinë që janë çelësi për ecurinë e sektorit. Po kështu Ballta ka nënvizuar rolin pozitiv të enteve rregullatore si Banka e Shqipërisë dhe AMF për mbështetjen e tregut financiar dhe atë të kapitaleve me theks të veçantë te bonot korporative, që sipas Balltës “do të jenë një risi domethënëse për vitin 2024”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.