Kubanët i bashkohen ushtrisë ruse

Postuar në 05 Maj, 2024 23:01

Rusia po rekruton shtetas kubanë për të luftuar në ushtrinë e saj në Ukrainë. Sipas një investigimi të BBC, pagesa e lartë dhe mundësitë që jep pasaporta ruse janë dy arsyet pse kubanët zgjedhin radhët e ushtrisë ruse.

Në shtator dhe tetor 2023, detaje të pasaportave që u përkisnin mbi 200 kubanëve që dyshohet se iu bashkuan ushtrisë ruse u publikuan në internet nga një platformë pro-ukrainase të quajtur InformNapalm. Të dhënat rrodhën nga hakerimi i emailit të një oficeri ushtarak rus në Tula, në jug të Moskës.

Një kërkim në Facebook tregoi se shumë prej tyre kanë postuar foto të tyre të veshur me uniformë ushtarake ruse, ose në vende që mbajnë shenja rrugore ruse ose targa ruse. Të tjerë e kanë listuar Rusinë si vendbanimin e tyre aktual.

Që nga shkurti 2022, Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushën e betejës. Një investigim i BBC-së konfirmoi emrat e më shumë se 50,000 trupave ruse të vrarë në Ukrainë – por numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë. Sipas llogaritjeve të Ukrainës, numri i ushtarëve rusë të vrarë ose të plagosur në luftë është rreth 500 000.

Rekrutimi i të huajve për të zëvendësuar disa nga humbjet gjithashtu ndihmon Kremlinin të shmangë rreziqet që vijnë nga përpjekjet për të mobilizuar rusët me forcë. Kur Rusia shpalli një mobilizim të pjesshëm në vitin 2022, qindra mijëra burra u larguan nga vendi.

Rekrutimi i kubanëve në Rusi është relativisht i thjeshtë. Të dy vendet kanë qenë aleatë që nga Lufta e Ftohtë, kubanezët nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Rusi dhe fluturimet direkte për në Moskë e bëjnë udhëtimin më të lehtë.

Ndërkohë, kontratat fitimprurëse të ushtrisë të ofruara nga Rusia u vijnë për shtat kubanëve të dëshpëruar për t'i shpëtuar krizës ekonomike të përkeqësuar në ishullin e sanksionuar nga SHBA.

Atyre u ofrohen pagesa mujore rreth 2 000 dollarë në muaj - një shumë e madhe për Kubën, ku paga mesatare mujore është nën 25 dollarë.

Premtimi për shtetësinë ruse mund të joshë edhe disa kubanë.

Falë pasaportës ruse mund të udhëtohet pa viza në 117 destinacione, ndërsa mbajtësit e pasaportave kubane janë të kufizuar në 61.

Një media lokale në qytetin Ryazan, afër Moskës, konfirmoi se kubanezët po i bashkohen ushtrisë ruse.

Kubanët donin të "ndihmonin vendin tonë për të arritur objektivat e operacionit special ushtarak", raporton ajo, duke shtuar se "disa prej tyre do të donin të bëheshin qytetarë rusë në të ardhmen".

Por përllogaritja e saktë e numrit të kubanëve që janë bashkuar me radhët ruse është e vështirë.

I dërguari diplomatik i Ukrainës për Amerikën Latine dhe Karaibe, Ruslan Spirin, tha se mund të jenë 400 të tillë, në një intervistë me Wall Street Journal.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë parë një rritje të numrit të luftëtarëve të huaj që iu bashkuan forcave ruse muajt e fundit, si dhe të huaj në mesin e pengjeve që ushtria ukrainase ka kapur në fushën e betejës.

Petro Yatsenko, zëdhënës i agjencisë së Ukrainës për të burgosurit e luftës, tha për BBC se shumë prej tyre vinin nga vende me të ardhura të ulëta si Kuba, India dhe Nepali, si dhe nga shtetet afrikane dhe të Azisë Qendrore.

"Çdo javë ne kapim deri në pesë persona nga vendet e huaja në vijën e frontit si robër lufte," tha ai.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.