Rasti kur individi ushqen neverinë përtej "gabimeve" miliona euroshe

Postuar në 30 Prill, 2024 18:31

Kryebashkiaku i Tiranës, ky i sotmi, ka për t’u mbajtur mend gjatë si një ndër njerëzit me nivelin më ordiner të shqipes dhe komunikimit që mund të ketë patur ndonjë titullar administrativ. Pasi ka dalë nga SPAK, ku ka dëshmuar për 8 orë rresht – dëshmi që e paraqiti si bashkëpunim me kolegë – z. Veliaj, i vetëquajtur si Zdromsi i Tiranës – ka lëshuar një lumë fjalësh ndaj opozitës dhe përfaqësuesve të saj, për të kaluar, gjatë mbledhjes online të Këshillit Bashkiak, në një propagandim të radhës të njeriut që punon.

Lepuj me molotovë, apo edhe hipokrizia dylekëshe e emërtimit të ndonjë rruge me emrin “Remzi Hoxha”, ja dy “argumente” që bëjnë dallimin mes të supervotuarit me mbi 60 mijë vota dhe të tjerëve. Nuk është problemi thjesht te ky episod që mund të jetë edhe emocional, është te fakti se mënyra sesi e kërkon ky zyrtar raportin me kundërshtarët, armiqtë nëse duam, apo edhe ata që e kanë antipati, është e tillë që çon detyrimisht në konflikt.

Janë shumë të paktë, edhe në PS, ose në ish-PS, ata që nuk kanë neveri dhe përzierje nga fytyra e këtij individi. Dhe siç ka thënë dikur Edi Rama, që edhe e përdor Veliajn si bojaxhi firmash në dokumente të caktuara “çdo njeri ka përgjegjësi për fytyrën e vet”, duke iu referuar padyshim një proverbi të dikujt tjetër.

Mund të tingëllojë triviale, por një arsye për këtë tubim  kundër Zdromsit, nuk është edhe aq vjedhja e dyshuar në vetvete, por Fytyra e tij. Shikimi, rënia e syve, lëvizjet, gjestet, hipokrizia që shpërthen ngado, shtirja, banaliteti i ekzistencës së tij dhe pamjes – ndonjëherë duket si personazh cartoonish - paaftësia për të përçuar se ka një pasion, apo një ves, vetëamballazhimi si i përkryer dhe i përdëlluar për vegjëlinë. Gjithë kjo sajesë e vetes karikaturizon zyrtarin e zgjedhur, e bën atë në komiken e vet, një zgjedhë të vërtetë intelektuale dhe shpirtërore pasi të duket sikur në krye të Psikiatrisë të caktohet një pacient kronik.

Zdromsi kështu, që ka tashmë kolegë edhe në SPAK, do të duhet të korrigjonte disi komunikimin sepse në fund të fundit, interesi kryesor është te vjedhja masive që ka ndodhur në Bashkinë e drejtuar prej tij dhe që ai e quajti Gabim. Duhet pra këtu pak përultësi dhe durim, pak ekumenizëm si Kristian që thotë se është, përpara sesa të kërcasë replika dhe polemika me ata që nga njëra anë hiqet se i përçmon, nga ana tjetër u kërkon në prapaskenë që të mos e vazhdojnë zhurmën.

Është një lojë e diskredituar, e ezauruar nga një realitet abuzimesh kjo e vetëbesimit në çdo situatë, e guerrierit që i mvesh vetes një mision. Sepse ne kaq e dimë shumë mirë: misioni i këtyre që qeverisin është pasurimi i familjeve dhe sërës së tyre. Asgjë tjetër. Nuk kanë këta asnjë garë tjetër. Këtu jetojmë dhe kaq e shohim.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.