Studimi: Një hebre e "shiti" familjen e Ana Frank te nazistët
Pothuajse 80 vjet pasi Ana Frank shkroi ditarin e saj të famshëm, një ekip studiuesish kanë krijuar një ide mbi njeriun që e “shiti” atë dhe familjen e saj te nazistët. Arnold van den Bergh, një noter i shquar hebre, dyshohet se është personi që ka zbuluar vendin ku fshihej familja Frank për t’i shpëtuar vrasjes në kampet naziste të përqendrimit.
"Tradhtia e Anne Frank – Hetimi i një rasti të vjetër" është libri i autores kanadeze, Rosemary Sullivan, ku del për herë të parë emri i Bergh si tradhtar.
Frankët u fshehën me katër hebrenj të tjerë nga korriku 1942 deri në gusht 1944, kur u zbuluan dhe u dëbuan në kampet e përqendrimit.
Babai i Anës, Otto Frank, ishte i vetmi anëtar i familjes që i mbijetoi luftës. Anne dhe motra e saj vdiqën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen. Ana ishte 15 vjeç.
Ditari që Anne shkroi ndërsa ishte fshehur u botua pas luftës dhe u kthye në simbol të shpresës. Ai është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është lexuar nga miliona njerëz.
Por identiteti i personit që ka dhënë vendndodhjen e vendstrehimit të tyre ka mbetur gjithmonë mister, pavarësisht hetimeve të mëparshme.
Gjetjet e ekipit sugjerojnë se Otto Frank ishte një nga të parët që dëgjoi për përfshirjen e mundshme të Van den Bergh, një anëtar i shquar i komunitetit hebre në Amsterdam.
Një shënim i shkurtër dorëzuar Otto Frank-ut pas luftës, e identifikon Van den Bergh, i cili vdiq në vitin 1950, si personi që informoi autoritetet gjermane në Amsterdam se ku të gjenin familjen Frank, thonë studiuesit.
Shënimi ishte anashkaluar gjatë një hetimi prej disa dekadash që kreu policia e Amsterdamit. Por ekipi i studiuesve përdori inteligjencën artificiale për të analizuar dhe nxjerrë lidhjet midis arkivave në mbarë botën.
Megjithatë, drejtuesi i Muzeut të Anne Frank, Ronald Leopold, nuk është plotësisht i bindur.
Jo, nuk mendoj se mund të themi se është zgjidhur një mister. Unë mendoj se është një teori interesante që ekipi ia doli të nxjerrë në sipërfaqe. Studiuesit thonë se kërkimet për njeriun që shiti familjen Frank janë një mënyrë për të kërkuar një shpjegim se si tmerri i pushtimit nazist i detyroi disa anëtarë të një komuniteti dikur të lidhur ngushtë në Amsterdam, të ktheheshin kundër njëri-tjetrit.
Add new comment