Një fitore politike dhe detyrimi për të zhvilluar imunitetin ndaj banalitetit të shqiptarëve

Postuar në 03 Shtator, 2020 14:01

Zgjedhjet në Mal të Zi kanë provokuar ndryshime të mëdha në skenë politike rajonale. Ato kanë afirmuar se opozita ndaj Milo Gjukanoviçit, politikanit jetëgjatë në vendin tonë fqinj, ka forcën për të qeverisur e pse jo edhe për të ndryshuar kursin e vendit, i cili nuk përputhej deri diku me orientimet historike të tij. Vetë Gjukanoviç e ka interpretuar atë që ndodhi si një rizgjim të atij që e quan projekti serbomadh dhe të cilit po i hapet rruga për shkak se Serbisë i duhet dhënë kompensim për humbjen në Kosovë. Ky është një aspekt politik dhe gjeopolitik që patjetër duhet konsideruar.

Mirëpo kjo histori ka edhe anën banale, karnevaleske që prodhohet nga palaçot e përhershëm, shqiptarët. Dritan Abazoviç, politikani shqiptar që është shndërruar në aktor të rëndësishëm politik për shkak të votave kyçe që ka, është akuzuar për një nga gjërat më të parëndësishme. Ai ka dekaruar se nëna e Skënderbeut ishte serbe dhe mandej, këtë deklaratë e ka tërhequr duke kërkuar falje.

Ajo deklaratë nuk ka pasur qëllim të keq dhe unë absolutisht pranoj gabimin. Kam kërkuar falje publike lidhur me atë. Në të dytën pjesë të emisionit, kam folur për pavarësinë e Kosovës.

Kam folur për Hashim Thaçin. Kur ka thënë lidhur me çështjen e Skënderbeut, kam thënë që figura e tij është paqësore dhe burrni.

E kam bërë gabimin dhe kam kërkuar falje. Kush ka dashur ta kuptojë që është bërë një lapsus e ka kuptuar.

Unë nuk kam thënë që nëna e tij ka qenë serbe, por sllave dhe ortodokse. Më ka imponuar gazetari

është shprehur Abazoviç.

Që ka shtuar se është krenar që është shqiptar. Është një ndër ato krenaritë klishe, që thuhen sa për kuvend, sepse Dritan Abazoviçi duhet të jetë krenar për veten që është i suksesshëm dhe për këtë nuk i detyrohet fare shqiptarizmit që i ka kufijtë shumë të ngushtë. Ky incident që merr në pyetje njohuritë historike të një njeriu është shembulli më i qartë se shoqëria shqiptare funksionon mbi ligjësitë e tifozerisë dhe turmës që ka mbyllur veshët. Pse duhet të jetë nëna e Skënderbeut pjesë e shqetësimeve politike të ditës? Çfarë rëndësie ngre një gjë e tillë, kjo hollësi që i takon historisë?

Çfarë tradhëtie deklamon një qëndrim i tillë përkundrejt një populli që ka tradhëtuar veten përherë kur voton rregullisht hajdutë, të cilët në fillim i shpall heronj dhe pastaj i mallkon si spiunë?

Dhe më tej: çfarë emëruesi real politik dhe kombëtar përfaqëson origjina e Skënderbeut në një rajon ku gjërat po marrin një rrjedhë shumë dinamike dhe ku kërkohet që të mendohet me të tjera standarde? 

Vetë kërkesa për falje është dorëzim para budallallëkut të përgjithshëm politik të shqiptarëve që është në fund paradigma kanunore dhe legjislative e kësaj shoqërie që i kërkon Abazoviçit të bëjë ndjesë për një të ashtuquajtur lapsus. Duke harruar se mes 1460-ës dhe 2020-ës është në mes një epokë shndërrimi, që duam apo nuk duam ne, na përkufizon të gjithëve. E gjitha kjo në ekranin e madh të një bote që sheh dhe e di shumë mirë se çfarë jemi e sa vlejmë.

Comments

Submitted by kafe e hidhur (not verified) on

sh sakt

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.