Adrian Paci: Për Teatrin në fillim u mor vendimi, pastaj nisën tryezat
Një nga artistët më të njohur të artit bashkëkohor, piktori Adrian Paci, i cili prej vitesh jeton në Itali, e cilëson shembjen e Teatrit aktin e fundit të braktisjes së tij nga politika.
Në një intervistë për TvT, Paci u shpreh se përgjegjëse për shkatërrimin e tij janë si partitë politike që janë në pushtet, edhe ato që përpiqen të fitojnë kredibilitet politik nga ky moment.
“Italia është e mbushur me monumente kulture. Patjetër që ato futen në mbrojtjen e shtetit. Me Teatrin, problemi është se politika ka abuzuar vazhdimisht me të. Nuk është përkujdesur për të, është e kotë të fitosh kredibilitet politik në këtë moment. Partitë politike janë të gjitha përgjegjëse, edhe ato që kanë qenë në pushtet, edhe ato që janë sot. Sot po asistojmë në momentin e fundit, momentin tragjik të shembjes, por braktisja e tij ka ndodhur qëkur”, tha Paci.
Paci thotë se duhej të ishin specialistët ata që do të merrnin vendimin për Teatrin, por pushteti bëri të kundërtën, duke i vënë njerëzit para faktit të kryer.
“Ky nuk është argument për autoritetet, duhej mbledhur një komision specialistësh. Me Teatrin është vepruar në mënyrë të gabuar, është marrë fillimisht vendimi, ndërsa më pas janë hapur tryezat e dialogut. Këto të fundit nuk mund të jenë kurrë të sinqerta, kur vendimi është marrë më përpara. Është një akt dhune e ushtruar nga pushteti, nuk është çështje pamundësie për t’u restauruar. Ishte një vendim i marrë që më përpara. Njerëzit u vunë para faktit të kryer”, tha ai.
Add new comment