Shqipëria në menunë e medias franceze
Për Shqipërinë dhe Tiranën kemi parë që këto vite të shkruhen fjalë të mira. Për bukuritë e vendit, arritjet e mëdha të udhëheqjes së lavdishme të Rilindjes, për kulturën, kuzhinën etj. Gjithë një qasje dashamirëse që duket ndonjëherë sikur edhe vetë shqiptarëve përpiqet t’u mësojë sesi ta shohin vendin e tyre. Mirëpo France 24, një ndër mediat kryesore franceze ka kërkuar diçka tjetër për t’ia paraqitur publikut në Francë.
Të shkuarën diktatoriale e cila sipas një minireportazhi të këtij televizioni vazhdon ende sot të trondisë viktimat e saj dhe të dëshmojë sesa pak ka lëvizur ky vend në drejtim të Europës.
Reportazhi fillon natyrshëm me Bunk’Art, stacioni i parë ku tregohet përralla e Diktaturës për të huajt. Takime me përfaqësues të të përndjekurve politikë, të arkivave, për të vijuar me pamje nga Muzeu i Gjethes që paraqet atë që gazetarja e quan Tmerri i Sigurimit.
Shqipëria, një trashëgimi e Diktaturës, një titull që duket se shpjegon një vend që përmes kësaj optike duket i largët dhe jashtë kursit të historisë europiane. Nuk është çudi që kësi tezash të konvenojnë me politikën zyrtare franceze që nuk pranon të marrë kosto për vendimin e 18 tetorit për një vend, historinë e afërt të të cilit France 24 e paraqet me një modesti të admirueshme: vrasje dhe tortura, ku të befason si përherë gatishmëria e shqiptarëve për ta plotësuar qëllimin e gazetarëve me histori të vetat.
Add new comment