Letra Kokëdhima për Asamblenë: “Ne, socialistët e bazës kemi të drejtën me vete”
Koço Kokëdhima, drejtues i lëvizjes “Zgjidhja” që operon brenda PS-së, ka menduar t’i drejtohet Asamblesë së partisë me një letër. Letër të cilën e ka bërë publike. Mes të tjerave, Kokëdhima vlerëson se PS-ja ka hyrë në një fazë mbylljeje, distancimi nga realiteti, duke u bërë pengesë për çuarjen përpara të proceseve që ka nevojë vendi. Kritika dhe akuza i është drejtuar lidershipit, Edi Ramës personalisht, aq sa sipas Kokëdhimës, PS-ja sot është një bashkësi parapolitike.
“ Ta hapim Partinë Socialiste. Të sjellim në të gjak të ri, vullnet të ri dhe mendim të kualifikuar. Ta çlirojmë partinë nga drejtimi amatoresk, autoritarizmi, arbitrariteti dhe bullizmi i lidershipit aktual. Të rivendosim mjedisin demokratik, vlerat dhe parimet e të majtës, kulturën, rregullat, ekspertizën dhe standardet e një partie politike moderne. Sot ajo është katandisur në një bashkësi parapolitike. Vetëm kështu do ta rikthejmë partinë pranë njerëzve, pranë socialistëve të bazës dhe në shërbim të tyre”, shkruan ai ndër të tjera.
Më tej akoma, ai ka vënë në dukje se shkarkimi i tij nga Asambljea u mor nën presion dhe pa procedurë, teksa siç nënvizon Kokëdhima “më 4 janar 2017 kam depozituar në selinë e PS-së kërkesën për të më dhënë procesverbalet e mbledhjes së Asamblesë dhe vendimin e shkarkimit. Sot, pas tre muajsh, lidershipi i PS-së ende nuk ka zbardhur vendimin, dhe e mirëkuptoj, sepse s’ka çfarë të shkruajë”.
Një tjetër vërejtje shkon për caktimin e kandidatëve për deputetë, që me rregull janë në dorë të kryetarit.
“Është e domosdoshme që të bllokoni një orë e më parë parodinë e caktimit të kandidatëve për deputetë nga kryetari. Zgjidhja kërkon që kandidatët e PS-së si për zgjedhjet legjislative dhe ato lokale, të caktohen me votë nga anëtarët duke organizuar në çdo qark zgjedhje primare mikse. Kjo është e drejta legjitime e qytetarëve dhe socialistëve të bazës. Kryetari s’mund ta kthejë këtë të drejtë të përbashkët të socialistëve në ekskluzivitet të vetin...Për një gjë dua t’ju siguroj. Ne, socialistët e bazës kemi të drejtën më vete. Kryesia e Partisë tonë është kërrusur, shkëputur e mbyllur brenda interesave të saj egoiste”, shton ndër të tjera ish-mentori i Edi Ramës.
Add new comment