PD, padi Veliajt për konçesionin e Parkut Rinia, taksat vendore dhe çmimet e biletave
Partia Demokratike do të kallëzojë në Prokurorinë e Tiranës kryebashkiakun Erion Veliaj për vendimet e datës 30 Dhjetor të Këshillit Bashkiak. Sipas opozitës, vendimi i Erion Veliajt për rritjen me 50 milionë dollarë të taksave vendore është i pavlefshëm sepse është ndërmarrë pa u dekretuar ende ndryshimi i ligjit nga Presidenti i Republikës për taksat dhe tarifat vendore. “Për të njejtën arsye, fakti që bazohen në një akt që ende nuk ka fuqi është i pavlefshëm dhe miratimi i buxhetit 2016 të Bashkisë”-thotë deklarata e Partisë Demokratike.
“Afera korruptive për dhënien me koncension të parkut Rinia për 35 vite një klienti i cili do investojë 20 milionë dollarë për ndërtimin e parkimit për të fituar mbi 500 milionë dollarë sipas planbiznesit, është e paligjshme sepse kontrata e miratuar është ajo që u la gati nga Rama dhe bazohet në ligjin e koncensioneve të vitit 2006 dhe jo 2013. Shpejtësia e miratimit të këtij koncensioni korruptiv ka bërë që të mos respektohen kërkesat bazike të ligjit në rastin e një procedurë koncensionare”-nënvizohet më tej në reagimin e selisë blu.
Opozita thotë se vendimi i Veliajt për të rritur çmimin e biletave për qytetarët është një tjetër aferë e pastër korruptive që do të cojë në xhepat e Veliajt dhe ortakëve të tij rreth 6 milionë dollarë çdo vit. Edhe ky akt është i pavlefshëm sipas Partisë demokratike sepse ka kaluar në Këshillin Bashkiak pa respektuar procedurën dhe afatet ligjore.
Add new comment