Greqia në zgjedhje të reja. Nesër qeveria e përkohshme

Dështoi edhe tentativa e fundit e presidentit grek Karolos Papulias dhe krerëve të politikës, për krijimin e qeverie koalicioni.
2 orë takim nuk ka rezultuar në asnjë marrëveshje për krijimin e një qeverie uniteti, me qëllime kryesore, të mbante vendin në euro dhe të rishikonte kushtet e Memorandumit të masave, duke shmangur kështu përsëritjen e zgjedhjeve në vend.
Kuvelis tha se në bisedime nuk u shtrua fare mundësia e krijimit të një qeverie uniteti të përbërë nga personalitete të njohura, siç kishte propozuar presidenti Papulias.
Edhe pas takimit në presidencë, ku mësohet se ka patur përplasje mes palëve, krerët e partive politike fajësuan njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje.
Duket se qëndrimi ndaj Memorandumit të masave ka qenë edhe sot pika kyçe, që i ka ndarë palët në mënyrë thelbësore.
ND dhe PASOK, fajësojnë partitë e majta që në emër të çlirimit të vendit nga Memorandumi, bllokuan marrëveshjen.
"Kemi pranuar qeveri edhe pa pjesëmarrjen tonë, por hasëm në një mur intolerance dhe arrogance," tha presidenti i ND, Antonis Samaras.
“Fatkeqësisht vendi shkon ne zgjedhje. U përpoqëm të bindim SYRIZA dhe DIMAR për partneritet, por ata nuk pranuan. Në takim mbizotëronte arroganca dhe aventurizmi”, deklaroi Venizelos pas takimit.
Panos Kamenos i Grekëve të Pavarur tha se forcat "promemorandum" iu shërbejnë kreditorëve të huaj, kundër interesave të vendit dhe akuzoi Samaras, se nxit zgjedhjet, me qëllim që të bëhet kryeministër.
Nga zyra e presidencës njoftohet se të gjithë liderët politikë do të mblidhen siç e parashikon Kushtetuta, për të krijuar një qeveri teknike, që do të përgatisë zgjedhjet e tjera, të cilat mund të zhvillohen më 10 qershor.
Mediat ndërkombëtare
BBC: Bisedimet për qeveri në kolaps, zgjedhje të reja në Greqi
The Guardian: Zgjedhjet e reja do çojnë në fitore të SYRIZA. Zgjedhjet e reja, përplasje me Treshen dhe falimentim
Zeit Die: Situata në Greqi, humbje në tregjet financiare të BE
CNN: Greqia shkon në zgjedhje ku sërish rezultati do jetë i paqartë. Rrezik destabilizimi në eurozonë nëse del Greqia
Reuters: Dështojnë politikanëtr grekë, vendi hyn në aventurë të re
The Wall Street Journal: Greqia duhet të miratojë masat e reja
Washington Post: Rindizet frika për turbullira në ekonominë globale
New York Times: A do jetë Trojka gati të negociojë me të majtët?
Deklarata
Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë se Evropa është e përgatitur për një largim të mundshëm të Greqisë nga eurozona, po dëgjohen deklarata të kujdesshme, kundër daljes së Greqisë nga euro.
Eurogrupi i bëri presion Greqise të respektojë marrëveshjen duke e kërcënuar me prerje të fondeve.
Burime nga nga KE dhe FMN lënë të hapur mundësinë e rinegociimit të disa pjesëve të Memorandumit, për të parandaluar fundosjen e vendit në recesion të thellë.
Edhe presidenti i Eurogroup, Jean-Claude Juncker la të hapur mundësinë e shtrirjes së kohës për zvogëlimin e deficitit fiskal të Greqisë. Ai tha në një intervistë, se kryesore tani është formimi i qeverisë greke, e cila do të zbatojë programin e dytë rregullues, dhe cilësoi “absurditet dhe propagandë”, daljen e Greqisë nga Euro. Presidenti i Eurogroup, tha se "personalisht unë jam kategorikisht kundër daljes së Greqisë nga eurozona".
Nga ana e tij, Olli Rehn tha "Ne duam që Greqia të qëndrojë në euro që të kthehen kushtet e shëndetshme financiare, gjatë zbatimit të programit të dytë të rregullimit fiskal."
“Ne nuk do të fitonim asgjë nga një dalje e Greqisë nga eurozona," tha në mbledhjen e Eurogrupit ministri belg i Financave, Steven Vanakere. "Është e pakuptimtë të flasësh për gjëra që nuk do ta zgjidhin problemin e vërtetë dhe themelor, domethënë mbështetjen e konkurrencës dhe ekonominë," tha ai duke shtuar se "ne vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë është brenda eurozonës."
Po ashtu OBEZH mendon se “një falimentim i Greqisë do të thotë katastrofë sociale”. Ekonomisti i Organizmit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Pier Carlo Padoan tha se, "sapo të kalojë parrugëdaljen politike që u krijua mbas zgjedhjeve, Greqia duhet të përparojë në zbatimin e masave për uljen e defiçitit dhe të luftojë shmangien fiskale”.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment