Greqi, betohen 16 ministrat e qeverisë së Pikramenos

Postuar në 17 Maj, 2012 05:00

 Greqia ka tashmë një qeveri të përkohshme deri ne 17 Qershor.

Kryeministri Panajotis Pikramenos njoftoi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, përbërjen e qeverisë së tij, e cila do të çojë vendin në zgjedhje. 

Ajo përbëhet nga 16 ministra, (pa zëvendësa), të cilët janë kryesisht profesorë universiteti, ish-ministra dhe diplomatë. 

Betimi i qeverisë së re u bë paradite në Presidencë. Më pas u zhvillua ceremonia e betimit të deputetëve në parlamentin e 6 Majit, i cili do të shpërndahet përsëri nesër, për t'i lënë vendin fushatës zgjedhore. 

Pasi mori mandatin dhe u betua, z. Pikramenos zhvilloi mbrëmë deri në mesnatë një takim me z. Lukas Papadhimos, i cili ndërsa i dorëzonte detyrën, theksoi se është e rëndësishme të përmbushen detyrimet ndërkombëtare të Greqisë dhe të zbatohen politika që do të sigurojnë besimin dhe stabilitetin. Papadhimos u tregua optimist se kryeministri i ri do të bëjë çdo përpjekje, për të formuluar kushtet e paqes dhe moderimit gjatë periudhës së zgjedhjeve. 

Më herët, pasditen e djeshme zoti Pikramenos mori mandatin për të formuar qeverinë, nga presidenti i republikës Karolos Papulias. "Është thjesht një qeveri e përkohshme që do të shkojë në kuadrin e Kushtetutës. Vendi po kalon kohë shumë të vështira. Nën drejtimin tuaj zoti President, duhet ta shpëtojmë atë nga rreziqet, të kalojmë një tranzicion të qetë me qeveri politike", deklaroi kryeministri Pikramenos. 

Që nesër dhe përgjatë një muaji do të zhvillohet fushata e partive politike greke, të cilat janë ndara në qëndrimin ndaj Memorandumit të masave. 

Sondazhet paszgjedhore flasin për një fitore të koalicionit të së majtës radikale, SYRIZA, i cili premton anulim të masave të ashpra dhe mbajtjen e vendit në euro. 

Partitë promemorandum, ND dhe PASOK, patën një tkurrje të thellë në zgjedhjet e 6 Majit dhe tani duan të rrisin mbështetjen popullore, duke u riorganizuar apo duke afruar pranë vetes elementë të larguar më parë nga partia. Gjithashtu Samaras dhe Venizelos po përpiqen të tregohen të sinqertë me njerëzit, duke iu thënë se rruga që propozon SYRIZA, në dukje lehtësuese, është në thelb, braktisje dhe izolim nga Evropa. 

PERBERJA E QEVERISE "PIKRAMENOS" 

Kryeministri: Panajotis Pikramenos 

Ministria e Mbrojtjes: Frangos Frangoulis 

Ministria e Punëve të Jashtme: Petros Moliviatis 

Ministria e Brendshme: Antonis Manitakis 

Ministria e Financave: Jorgos Zanias 

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve: Lefteris Ekonomou 

Ministria e Drejtësisë: Kristos Yeraris 

Ministria e Punës: Andreas Rupakiotis 

Ministria e Arsimit: Angela-Efrosini Kiaou 

Ministria e Mjedisit: Gregori Caltas 

Ministria e Infrastrukturës: Simos Simopulos 

Ministria e Shëndetësisë: Kristos Kittas 

Ministria e Konkurrencës për Zhvillim dhe tregtar: Janis Sturnaras 

Ministria e Zhvillimit Rural: Napoleon Maravegias 

Ministria e Kulturës dhe Turizmit: Tatiana Karapanajoti 

Ministria e Shtetit: Antonis Argyros 

Ministria e Reformës Administrative: Pavlo Apostolidis 

 

Anila Jole

 

 

Ballkanweb.com

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.