Cameron: Eurozona rrezikon shpërbërjen

Kryeministri britanik, David Cameron, ka paralajmëruar udhëheqësit e Eurozonës të zgjidhin problemet me borxhet, përndryshe rrezikojnë shpërbërjen e këtij blloku si pasojë e krizës në Greqi.
Këto vlerësohet të jenë komentet më pesimiste të kryeministrit britanik në lidhje me situatën në Eurozonë, të cilat do të zemërojnë udhëheqësit evropianë, të irrituar që më parë me vendimin e vitit të kaluar të Britanisë për të refuzuar miratimin e paktit të ri fiskal të Bashkimit Evropian.
“Eurozona duhet të zgjidhë problemet e saj ose do të përballet me shpërbërjen e saj, kjo është zgjedhja që duhet të bëjnë udhëheqësit evropianë dhe nuk mund të presin shumë gjatë”, ka thënë Cameron.
“Nëse Eurozona do që të vazhdojë të ekzistojë në përbërjen aktuale, duhet të ofrojë mbrojtje të duhur nga kriza dhe të ndërmarrë masa për mbrojtjen e anëtarëve më të dobët”, ka thënë kryeministri britanik.
Frika se Greqia mund të lërë Eurozonën vazhdon të tronditë tregjet financiare, ndërkohë që votuesit grekë, më 6 maj, u kanë dhënë mbështetje më të madhe partive që kundërshtojnë masat e kursimit në këmbim të ndihmave.
Ballkanweb.com
Add new comment