BE: Rritje dhe disiplinë ekonomike

Zgjedhja e Francois Hollande në krye të Francës dhe programi i tij për daljen e Europës nga kriza financiare nëpërmjet rritjes ekonomike, sigurisht që nuk do të lërë pa prekur disa nga politikat e mëparëshme të ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy.
Në këtë kuadër, liderët e BE-së, duke i paraprirë G8 në Camp David në Shtetet e Bashkuara, kanë shtuar kontaktet me njëri-tjetrin për t’u njohur edhe njëherë me qendrimet e tyre për kapërcimin e krizës financiare.
Kancelarja gjermane, nismëtare e paktit fiskal, (bashkë me Sarkozy) këmbëngul në masat shtrënguese, ndërsa presidenti i sapozgjedhur francez, Francois Hollande kërkon rimëkëmbjen e Europës nëpërmjet rritjes ekonomike, po nëpërmjet borxheve.
Në pamje të parë këto janë dy qendrime të kundërta mes dy liderve të ekonomisë së parë dhe të dytë të Eurozonës, por “nëse bëhet kombinimi i duhur i tyre”, Europa mund të dalë nga kriza.
Ky ishte synimi i një telekonference mes presidentit francez, Holland, kancelares gjermane, Merkel, kryeministrit italian, Monti dhe atij britanik, David Cameron.
Në përfundim të “takimit”, udhëheqësit europianë dolën në përfundimin se “rritja ekonomike dhe disiplina financiare, ashtu sikundër kërkon edhe pakti fiskal i BE-së, nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi”.
Ky qendrim i ri pritet të diskutohet gjërë e gjatë në samitin e G8 në Camp David në SHBA.
top-channel.tv
Add new comment