Greqi, Papandreu: Referendumi, që populli të vendosë vetë

Ish-kryeministri grek Jorgos Papandreu, mbron propozimin e tij të hershëm, për një referendum lidhur me Marrëveshjen e 26 tetorit 2011.
Pas lajmit se këtë propozim e ka lëshuar së fundmi kancelarja gjermane Merkel, Papandreu tha për Rtv Irlandez, se "kur propozova referendumin, mendova të drejtën e popullit grek për të formuluar vendimin e tij jo vetëm për euron, për të cilën shumica dërrmuese e grekëve do të ishin në favor, por edhe çështje të tjera të mëdha, që kanë lindur si rezultat i Marrëveshjes së 26 tetorit. "Këto dilema të mëdha duhet të vihen përpara popullit që ai të vendosë vetë", tha Papandreu.
Ish kryeministri theksoi se dalja eventuale e Greqisë nga euro, do të ishte shumë keq për qytetarët. Përsa i përket krizës, Papandreu tha se ajo nuk është vetëm një problem grek, por një problem evropian dhe amerikan, pra një problem i ekonomive të zhvilluara. "Nëse nuk lëvizim me një program investimi në një Evropë konkurruese, nuk do të zgjidhim krizën, nuk do të kemi rritje reale apo ulje të papunësisë, e as mund të konkurrojmë me ekonomitë në zhvillim."
I pyetur nëse është e mundur që Greqia të largohet nga eurozona, Papandreu tha se është absolutisht i bindur se kjo do të ishte diçka shumë e keqe për popullin grek në nivel ekonomik dhe social. Për më tepër, sipas tij, të gjitha vendet e zonës euro do të jenë të kërcënuara.
Vitin e kaluar në tetor, ish kryeministri Papandreu bëri deklaratën “bombë”, kur tha se do të organizonte një referendum, që populli grek të vendoste vetë nëse donte të provonte masat e ashpra që parashikonte marrëveshja e 26 Tetorit, në këmbim të qëndrimit të vendit në euro. Kjo deklaratë u kritikua ashpër nga Brukseli dhe partitë politike greke.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment