Turqi, burg për “heroinën” e kurdëve

Postuar në 24 Maj, 2012 12:27

Një gjykatë në Turqi dënoi me dhjetë vjet heqje lirie një deputete dhe përfaqësuese të popullsisë kurde, për përhapje të propagandës në favor të Partisë së Popullit Kurd, e konsideruar nga Ankaraja një grupim terrorist. 

Gjatë procesit të zhvilluar në qytetin juglindor të Dijarbakirit, Leyla Zana u gjet fajtore për shkelje të ligjit anti-terror të vendit.

Si anëtare e Parlamentit, ajo nuk mund të burgoset pasi është e veshur me imunitet. Megjithatë, dënimi do të hyjë automatikisht në fuqi në momentin që nuk do të jetë më deputete.

Shkeljet e Zanës i referohen nëntë fjalimeve të mbajtura në periudhën midis viteve 2007-08.

Zana konsiderohet si një heroinë nga komuniteti kurd, që përbën 10-20% të popullsisë së përgjithshme turke, për kurajon me të cilën ajo ka përfaqësuar problemat e këtij komuniteti.

Ajo ka krijuar më parë bujë edhe për faktin se është deputetja e parë kurde e zgjedhur në Parlamentin Turk, në vitin 1994. Gjatë betimit, atëherë ajo u shpreh në gjuhën kurde, ndonëse diçka e tillë është ilage. Zana ka mbështetur në të shkuarën edhe liderin e rebelëve kurdë, Abdullah Ocalan, i cili mbahet i burgosur në një qeli të vetme që prej vitit 1999.

Megjithatë, vendosmëria me të cilën Zana ka mbrojtur popullin e saj, e ka bërë atë që të konsiderohet në të shkuarën si një kandidate potenciale për fitimin e Çmimit Nobel. 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.