Kushtet e vështira, pensionistët e Kosovës dalin në protesta

Pensionistët e Kosovës kanë organizuar protesta në shkallë vendi, për të shprehur pakënaqësitë e tyre për gjendjen e kësaj kategorie. Protesta kryesore është mbajtur në Prishtinë, në afërsi të Kuvendit të Kosovës, në të cilën pensionistët tatimpagues, kanë kërkuar që pensionet të arrijnë në 60 për qind të vlerës së pagës mesatare në Kosovë.
Protesta është zhvilluar në kohën kur po mbahej seanca e Kuvendit, dhe protestuesit kanë kërcënuar me radikalzim të protestave në rast të shpërfilljes së kërkesave të tyre.
"Ne sot kërkojmë aprovimin e ligjit mbi sigurimin pensional e invalidor, i cili siguron pension në bazë të kritereve të punës dhe kontributeve të paguar në punë, ligj i cili është i ngjashëm me të gjitha vendet e tranzicionit dhe me ish-Jepublikat Jugosllave",-tha Riza Shala, Kryetar i Degës së Rajonale të Pensionistëve në Prishtinë.
Izet Badivuku një pensionit i cili për 41 vjet ka bërë punë të ndryshme rrëfen për jetën e vështirë që bën si pensionist.
"A nuk është gjynah që nga 41 vjet punë të mos kem me çfarë të jetoj? 80 euro është gjynah t'i përmendësh, sepse nuk janë para. A është ajo ndihmë? Çfarë është? A është meritë? Ne s'jetojmë vetëm me rrymë, ujë, duhet edhe gjëra të tjera më pas. Ne s'jemi në gjendje as të blejmë ilaçet",-theksoi ai.
Kërkesa e pensionistëve ka gjetur mbështetjen edhe të disa partive opozitare, të cilat kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen në të cilën ndodhet kjo shtresë.
Albanian Screen
Add new comment