FMN: Asnjë mëshirë për Greqinë

Postuar në 27 Maj, 2012 03:52

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkoi grekëve që të paguajnë taksat dhe t’i nënshtrohen planit të kursimeve, si i vetmi që mund të shpëtojë vendin nga katastrofa, ndërsa theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerim e se si një vend i pasur, Greqia nuk përmbush kriteret për “t’u mëshiruar”. 

Deklarata e ashpër e Lagarde u bë në një intervistë për të përditshmen “The Guardian”, publikuar në numrin e së shtunës.

Pasardhësja e Strauss-Kahn shtoi se “nëse duhet të kemi mëshirë, atë do ta kemi për vendet e varfëra afrikane dhe jo për një shtet si Greqia, mes vendeve që renditen me standartin më të lartë të jetesës në botë”. 

Greqia ka përfituar miliarda euro në ndihmë nga shtetet e Bashkimit Europian dhe FMN, por pavarësisht kësaj, ekzistojnë dyshime të forta se vendi mund të mos respektojë termat e marrëveshjes, duke vendosur për daljen nga Eurozona.

Pas zgjedhjeve të majit, rezultati i të cilave nuk arriti të prodhonte një qeveri, sondazhet japin favorit për fitoren në zgjedhjet e reja parlamentare në 17 qershor spektrin politik që i kundërvihet marrëveshjes se arritur.

”Mendoj se grekët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të dalin kolektivisht nga kjo situatë. Personalisht, mendoj më shumë për ata fëmijë të vegjël që shkojnë në shkollë në një fshat të Nigerit dhe mësojnë për dy orë në ditë, duke u ulur në një karrige tre veta. Dhe e bëjnë këtë vetëm sepse duan të edukohen, madje edhe me barkun bosh. Janë pikërisht ata për të cilët mendoj të gjithë ditën sepse besoj se kanë nevojë shumë më tepër se grekët për mëshirë”, deklaroi Lagarde.

Ajo gjithashtu shtoi se FMN nuk ka as qëllimin më të vogël që të lehtësojë termat e paketës shtrënguese që i është imponuar Greqisë. 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.