Policia pësoi ulje pagash në 62 për qind që nga viti 2003

Postuar në 28 Maj, 2012 12:20

Të thuash që policia i ka pagat e ulëta në krahasim me punën që bën, pavarësisht që qeveria thotë të kundërtën, është një fakt që e dinë shumë vetë. 

Por, që paga e një polici, është më e ulët se paga e një pastruesi, është e vështirë ta besosh. Megjithatë, ky është realiteti në Shqipëri. Këtë e konfirmon vetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në një raport të përgatitur nga specialistët më të mirë të saj, në bashkëpunim me programin ICITAP, misionin PAMECA dhe Sindikatën e Policisë, të cilin ia kanë dërguar edhe qeverisë, e cila bën një sy qorr dhe një vesh shurdh, duke mos e vënë ujin në zjarr për këtë problem, e duke vazhduar ritmin e saj, se pagat në Shqipëri janë rritur, e që policia është në qendër të vëmendjes së saj.

Raporti konfidencial, prej 35 faqesh, i cili tashmë është siguruar ekskluzivisht nga gazeta “Shqip”, tregon sesi realisht pagat e punonjësve të policisë janë ulur që nga viti 2003 e deri në vitin 2011. Në të vërtetë, paga bruto e çdo punonjësi policie është rritur, por ajo neto, pikërisht paratë që çdo efektiv dërgon në shtëpi, janë pakësuar, pa llogaritur në këtë mes rritjen ndër vite të inflacionit. 

Në raportin e përgatitur thuhet shkoqur se paga e policisë nuk i reflekton si duhet përgjegjësitë e pozicionit të punës. Në një institucion të zbatimit të ligjit, paga e një pastruesi është më e lartë se paga e një punonjësi të patrullës së përgjithshme në Policinë e Shtetit, apo paga e Drejtorit të Përgjithshëm në Administratën Publike që menaxhon në disa raste deri në 5 -7 punonjës është e njëjtë ose dhe më e lartë se paga e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili menaxhon 9915 punonjës policie”, thuhet në raportin për uljen e pagave. Uljet janë në shifra drastike dhe të shumëllojshme për çdo nivel apo strukturë të organizatës së policisë, që siç thonë vetë specialistët, kjo ndikon në ulje të performancës dhe në rritje të korrupsionit në radhët e uniformave blu. Domosdoshmëria për kryerjen e këtij raporti ka buruar nga analizat e brendshme të Policisë, dhe rekomandimeve të misioneve të huaja që asistojnë Policinë e Shtetit, si Programi ICITAP dhe plani i veprimit të Misionit PAMECA III, për përmirësimin e pagave të punonjësve të policisë. Sipas paragrafit 32 të Kodit Europian të Etikës për Policinë, “policia ka të drejtën që të ketë një pagë dhe siguri shoqërore të përshtatshme, si dhe masa speciale për shëndetin dhe sigurinë për shkak të natyrës së veçantë të punës së policisë”, po ashtu dhe në nenin 88 të Ligjit të Policisë së Shtetit, përcaktohet se “punonjësi i policisë ka përparësi në trajtimin në pagë për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë”, ndërkohë që trajtimi financiar aktual i punonjësve të policisë nuk i përligj këto detyrime. Madje, Policia e Shtetit ka nivelin më të ulët të trajtimit financiar krahasuar jo vetëm me policitë e vendeve perëndimore, por dhe me policitë e vendeve të rajonit.

 

 

 

 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.