Greqi, rikapitalizohen 4 banka me 18 miliardë euro

Përfundoi procesi i rikapitalizimit të 4 bankave më të mëdha greke, me disbursimin e 18 miliard euro nga Fondi Evropian i Stabilitetit Financiar (EFSF), si pjesë e planit të rënë dakord me "paketën" e fundit të asistencës në Greqi.
Banka Kombëtare, Alpha Bank, Eurobank dhe Banka e Pireut janë ato që u mbështetën nëpërmjet bonove nga EFSF-ja, sic parashikonte marrëveshja e marsit, me të cilën u "qeth" një pjesë e borxhit. Banka Kombëtare e Greqisë, mori 7,43 miliardë euro, Alpha Bank 1,9 miliardë, Eurobank 3,97 miliardë dhe Banka e Pireut 4,7 miliardë euro, në formën e detyrimeve siç kishte vendosur Banka e Greqisë.
Tashmë, do të jetë i mundur kreditimi i drejtpërdrejtë i tyre nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, në këtë mënyrë "rivendoset mjaftueshmëria e kapitalit të bankave, në mënyrë që të sigurohet financimi pa pengesa i likuiditetit nga BQE dhe Eurosistemi", ndërsa "bankat fitojnë burimet e nevojshme për funksionimin e qetë të tyre në favor të ekonomisë reale".
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment