Itali, tërmeti shkund veriun, 8 të vdekur

Një tërmet i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e së martës veriun e Italisë, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke varrosur të tjerë nën gërmadha.
Origjina e tërmetit është lokalizuar në rajonin Emilia Romanja dhe sipas mediave lokale, fuqia e tij është vlerësuar 5.8 ballë.
Lëkundja është ndjerë edhe në qytetet Milano e Bolonja, ku punonjës të sektorit publik janë evakuar nga ndërtesat, ndërkohë që në zona të tjera ka pasur shembje të pallateve të vjetra.
Epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 40 kilometra në veri të Bolonjës dhe 60 kilometra në lindje të Parmës, në një thellësi prej 9.6 kilometrash.
Lëkundja është regjistruar në orën 09:03 me orën lokale dhe përveç dy qyteteve të mësipërme, është ndjerë kryesisht edhe në Modena, si dhe në rajonin e Venetos.
Tërmeti i sotëm vjen pas atij 6-ballësh të 20 majit, kur shtatë persona u vranë dhe shumë ndërtesa u shembën.
Ai tërmet shkatërroi disa godina shekullore dhe kulturore të Italisë, si dhe ishte më i rëndi që goditi vendin që prej tërmetit të vitti 2009 në Akuila, ku humbën jetën afërsisht 300 persona.
top-channel.tv
Add new comment