Bloomberg: “Grexit”, pasoja globale që do arrijnë deri në Kinë

Në një artikull të botuar nga revista "Bloomberg" thuhet se "shock-u që do të pasojë daljen e Greqisë nga euro, mund të arrijë edhe në Kinë”.
Richard Klarinta, ekonomist i Pimco, Fondi më i madh i obligacioneve në botë, thekson se dalja e Greqisë nga euro, (që ka filluar të quhet me një fjalë “Grexit” - Greek exit) do të shkaktojë humbje të mëdha, pikëpamje që e mbështesin edhe ekonomistë nga Banka e Amerikës dhe JP Morgan Chase. "Skenari më i keq do të shkaktojë valë pamundësie pagesash në Evropë, panik mes depozituesve, krizë të kredive dhe recesion, fenomene që mund të shkaktojnë edhe daljen e një vendi tjetër ose vendeve të tjera nga euro", thotë Klarinta.
JP Morgan Chase vlerëson se një reduktim i PBB-së në eurozonë nga 1%, do të zvogëlojë PBB-në e pjesës tjetër të ekonomisë botërore në 0.7%. Sipas ekspertëve të saj, ekonomitë eksportuese si Kina dhe Britania do të vuajnë dhe vende të tilla si Rusia do të përballen me rënien e çmimit të naftës. JP Morgan Chase është një lider në fushën e bankave, investimeve, shërbimeve financiare për konsumatorët, bizneseve të vogla dhe të bankave tregtare, të përpunimit të transaksioneve financiare, menaxhimit të aseteve, me operacione në më shumë se 60 vende.
Analistët në Bank of America Merrill Lynch vlerësojnë se recesioni në zonën e euros mund të shkojë deri në 4%, një normë e ngjashme me tkurrjen e ekonomisë pas rënies së “Lehman Brothers” në vitin 2008. Euro do të zhvendoset në raportin 1.20 ndaj dollarit (nga rreth 1,2534 që është sot). "Nëse lejohet Greqia të dalë nga zona euro, atëherë do të dërgohet mesazhi se shtetet e tjera që mbeten në eurozonë nuk janë domosdoshmërisht të përhershme, gjë që mund të jetë katastrofike për disa prej tyre", thotë Lorens Boo, kryeekonomisti i Bankës së Amerikës Merrill Lynch për Evropën, sipas të cilit, skenari daljes së Greqisë nga euro, ka kosto më të lartë sesa çdo zgjidhje tjetër.
Agjencia e vlerësimit Fitch thotë se "gjasat e daljes së Greqisë nga euro, janë të pamundura", pasi sipas drejtorit Ekzekutiv të Fitch, John Olert, "një ngjarje e tillë do të ketë pasoja mbi aftësinë paguese të vendeve të tjera të Eurozonës". "Nëse Greqia do të largohej nga euro, kjo do të ketë pasoja në një seri vlerësimesh nga ana jonë, deri në pikën, ku shumë prej vendeve do të vendosen nën monitorim”, tha kreu i agjencisë.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment