Banka Kombëtare greke: Dalja nga euro pasoja dramatike

Në një studim të Bankës kombëtare greke, me titull “Duke përshkruar komponetët e dilemës së vështirë”, përcaktohen efektet dramatike, që mund të shkaktojë dalja e Greqisë nga euro dhe kthimi i saj në monedhën kombëtare.
Sipas studimit, dalja nga eurozona do të shkaktonte recesion në masën 22% dhe papunësi në masën 34%, ndërsa zhvlerësimi i monedhës së re do të arrijë 65%.
Dalja e Greqisë nga euro (Grexit), do të ketë një ndikim të madh në standardet e jetesës së çdo qytetari grek, dhe do të shkaktonte një ulje në të ardhurat për frymë në të paktën 55%. Do të vihet re përkeqësim në kushtet e jetesës dhe vështirësi në furnizimin me mallrat bazë, veçanërisht me karburante dhe lëndë të para të nevojshme.
Sipas autorëve të studimit, shteti do të detyrohet të përmbushë nevojat e tij financiare, duke krijuar kështu një spirale inflacioni, që do të arrinte fillimisht 30%.
Siç thuhet në raportin e Bankës Kombëtare, dalja nga euro do të shkaktonte vështirësi në qasjen e valutës së huaj. Prandaj, vendi do të shkelte detyrimet ndaj huadhënësve të tij (325 miliardë euro), gjë që do të vështirësonte edhe më shumë këmbimet e biznesit grek me botën e jashtme, me rezultat zhvlerësimin e mëtejshëm të nivelit të jetesës dhe vështirësive përherë në rritje të popullatës për të patur akses në artikuj të domosdoshëm të importit dhe posaçërisht në karburante, në barna dhe në lëndë të para të nevojshme. Rrjedhojat e sipërpërmendura do të ishin edhe më të dhimbshme nën skenarin e një tranzicioni jo normal në monedhën e re, vlerëson Banka Kombëtare e Greqisë.
Referuar ndryshimeve që mund të kryhen në Memorandumin e masave, ekonomistët kombëtarë, thonë se ndryshimet mund të përfshijnë zgjerimin e rregullimin e kohëzgjatjes dhe favorizimin e grupeve sociale më të dobëta që vuajnë nga kriza. Në çdo rast, ndryshimet kërkojnë vendimin e Samitit të BE dhe më pas ratifikimin nga parlamentet kombëtare. Prandaj, një ndryshim i tij do të jetë i arritshëm në qoftë se garantohet angazhim i besueshëm i zbatimit të reformave për arritjen e objektivave fiskale.
Ballkanweb.com
Add new comment